Ekspertët kanë thënë se bombardimet e Izraelit janë më të ashprat në historinë moderne. Autoritetet shëndetësore në Gazë kanë raportuar për 23 mijë të vrarë, ose 1 për qind e popullsisë së territorit palestinezë. Mijëra të tjerë janë të zhdukur ose të plagosur rëndë. Më shumë se 80 për qind e popullsisë është zhvendosur dhe po jeton nëpër tenda.
E diela shënon 100 ditët e luftës mes Izraelit dhe grupit militant të Hamasit në Rripin e Gazës. Lufta tashmë është më e gjata dhe më vdekjeprurësja mes Izraelit dhe palestinezëve që prej themelimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948. Kjo luftë nuk ka shenja se do të soset.
Izraeli ka nisur luftën si reagim ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor, në të cilin grupi militant vrau 1 mijë e 200 persona, shumica civilë. Më shumë se 250 të tjerë i morën peng. Ishte sulmi më vdekjeprurës në histori të Izraelit dhe më vdekjeprurësi për hebrenjtë që prej Holokaustit.
Izraeli reagoi me javë të tëra të bombardimeve në Gazë, para se të zgjeronte operacionin në ofensivë tokësore. Ka deklaruar se qëllimi është shtypja e Hamasit dhe lirimi i më shumë se 100 pengjeve që ende po mbahen në Gazë.
Nga ofensiva izraelite Gaza është bërë pothuajse rrafsh me tokë. Mirëpo më shumë se tre muaj luftë, Hamasi nuk është dobësuar dhe pengjet ende po mbahen. Ushtria izraelite ka thënë se lufta do të vazhdojë gjatë tërë vitit 2024.
Sulmi i 7 tetorit lëkundi Izraelin dhe zbehu besimin e izraelitëve në liderët e tyre. Teksa publiku ka përkrahur përpjekjet ushtarake, por ka mbetur me trauma. Fotografitë e pengjeve kanë mbuluar të gjitha muret e qyteteve izraelite. Izraelitët mbajnë bluzat me mbishkrimin “Kthejini në shtëpi”.
Televizionet izraelite çdo ditë raportojnë për luftën. Ato transmetojnë rrëfime për tragjeditë dhe heroizmat e 7 tetorit. Flasin për pengjet dhe familjet e tyre, transmetojnë pamjet e funeraleve të ushtarëve të vrarë dhe raportojnë nga Gaza me korrespodentët që qeshin bashkë me ushtarët.
Ka pak simpati apo debat për numrin e madh të palestinezëve të vrarë dhe për krizën humanitare në Gazë. Planet për Gazën e pasluftës nuk përmenden fare.
Një gjë pothuajse ka mbetur e njëjtë. Zyrtarët izraelitë të sigurisë kanë kërkuar falje dhe kanë sinjalizuar se do të ofrojnë dorëheqje pas përfundimit të luftës, por kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ka lëshuar pe.
Gjendja para sulmit të 7 tetorit në Gazë ishte e vështirë për shkak të bllokadës nga Izraeli dhe Egjipti qysh kur Hamasi mori pushtetin në vitin 2007. Sot, territori është pothuaj i panjohur.
Ekspertët kanë thënë se bombardimet e Izraelit janë më të ashprat në historinë moderne. Autoritetet shëndetësore në Gazë kanë raportuar për 23 mijë të vrarë, ose 1 për qind e popullsisë së territorit palestinezë. Mijëra të tjerë janë të zhdukur ose të plagosur rëndë. Më shumë se 80 për qind e popullsisë është zhvendosur dhe po jeton nëpër tenda.
Lufta ka rrezik që të zgjerohet në krejt Lindjen e Mesme, për shkak se në të mund të përfshihen grupet e tjera militante të përkrahura nga Irani.
Pothuajse menjëherë pas sulmit të Hamasit, militantët e Hezbollahut në Liban nisën bombardimin e Izraelit.