Një kompani japoneze e pelenave ka njoftuar se do ta ndalë prodhimin e pelenave për foshnja dhe do të fokusohet në tregun për të rritur.
“Oji Holdings” është vetëm një nga kompanitë që ka kthyer vëmendjen kah plakja e shpejtë që ka kapluar Japoninë, ku shkalla e lindjes është në nivel rekord të ulët.
Shitjet e pelenave për të rritur tejkaluan ato për foshnja për herë të parë në më shumë se një dekadë.
Numri i foshnjave të lindura në Japoni më 2023 ishte 758 mijë e 631 apo 5.1 për qind më pak se një vit më herët.
Ishte po ashtu numri më i ulët i lindjeve i regjistruar në Japoni që nga shekulli i 19-të. Në të 70-at shifra ishte mbi dy milionë.
Në një njoftim, “Oji Holdings” ka thënë se dega e saj “Oji Nepia” aktualisht prodhon 400 milionë pelena për foshnja çdo vit. Prodhimi ka pësuar rënie që nga 2001-shi, kur kulmi ishte 700 milionë pelena të prodhuara në vit.
Më 2011, prodhuesi më i madh i pelenave në Japoni, “Unicharm”, pati thënë se shitjet e pelenave për të rritur ka tejkaluar ato për foshnja.
Ndërkohë, tregu i pelenave për të rritur është zgjeruar shumë dhe parashikohet që tregu të tejkalojë vlerën e dy miliardë dollarëve. Japonia ka popullatën ndër më të moshuarat në botë. Gati 30 për qind e japonezëve janë 65-vjeç ose më të moshuar. Vitin e shkuar, mbi 80-vjeçarët përbënë 10 për qind për herë të parë.
“Oji Holdings” ka thënë se do të vazhdojë të prodhojë pelena për foshnja në Malajzi e Indonezi ku pret shtim të lindjeve.
Tkurrja e popullatës, si rezultat edhe plakjes por edhe shkallët të ulët të lindjes, është kthyer në krizë për një nga ekonomitë më të fuqishme të botës. Përpjekjet e qeverisë për t’i adresuar këto sfida kanë pasur pak sukses. Programet për kujdes ndaj fëmijëve e subvencionet për çiftet e reja, s’kanë nxitur lindjet në Japoni.
Por Japonia s’është e vetme në këtë aspekt. Telashe ka edhe në shtetet të tjera përreth.