Një prodhues japonez i radiolidhjeve është distancuar nga pajisjet që mbanin logon e tij e që shpërthyen në Liban të mërkurën, duke thënë se e ndërpreu prodhimin e tyre një dekadë më parë.
Të paktën 20 njerëz u vranë dhe 450 u plagosën pasi qindra radiolidhje, disa të përdorur nga grupi i armatosur Hezbollah, shpërthyen në të gjithë Libanin të mërkurën, raporton BBC.
Pajisjet, sipas fotove dhe videove të shpërthimeve, duket se janë marrës IC-V82 të prodhuara nga Icom, një prodhues telekomunikacioni me bazë në Osaka.
Por Icom thotë se nuk ka prodhuar apo eksportuar IC-V82, madje as bateritë e nevojshme për t'i përdorur ato, për 10 vjet.
Kjo është kompania e dytë aziatike që përfshihet në incidente shpërthimesh në Liban këtë javë, pasi mijëra pejxherë që shpërthyen e që mendohej se ishin të prodhuara nga firma tajvaneze “Gold Apollo” vranë të paktën 12 persona dhe plagosën më shumë se 2,000.
Themeluesi i “Gold Apollo”, Hsu Ching-Kuang mohoi kategorikisht se kompania e tij kishte ndonjë lidhje me sulmet, duke thënë se ai e licencoi markën e tij tregtare në një kompani në Hungari të quajtur BAC Consulting.
Mirëpo qeveria hungareze e ka mohuar të mërkurën se një kompani në shtetin e saj ka prodhuar pejxherët.
Sipas qeverisë, kompania në fjalë është vetëm ndërmjetës tregtar dhe nuk ka të bëjë me prodhimin e tyre.