Një numër eurodeputetësh po kërkojnë nga Komisioni Evropian (KE) që të veprojë ndaj siç i kanë quajtur, sulmeve agresive të miliarderit amerikan, Elon Musk, në politikën evropiane.
Sipas tyre, ekzekutivi i BE-së ka qenë “shumë i ngadalshëm” në zbatimin e një ligji të rëndësishëm që synon të sigurojë sjellje të mirë të kompanive të mediave sociale.
Presioni ndaj KE-së për të vepruar po rritet teksa Musku, pronari i X, dhe njeriu më i pasur në botë, po përgatitet të zhvillojë një bisedë të drejtpërdrejtë në platformë të enjten me udhëheqësen e Alternativës së ekstremit të djathtë për Gjermaninë, Alice Weidel, raporton The Guardian.
Biseda me Musk, uebfaqja e të cilit pretendon se ai ka 211.4 milionë ndjekës, shihet si një avantazh i rëndësishëm për AfD-në në kohën kur Gjermania po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme federale të 23 shkurtit.
Damian Boeselager, një eurodeputet, bashkëthemelues i partisë pan-evropiane “Volt” dhe kandidat për Bundestagun në zgjedhjet gjermane, i ka shkruar Komisionit duke i kërkuar që të shqyrtojë "ndërhyrjen" e Muskut në zgjedhjet evropiane.
Deputeti kërkon që Komisioni të hetojë nëse promovimi i dukshëm nga postimet e Muskut në X është i ligjshëm sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së, i cili hyri në fuqi në vitin 2022.
Eurodeputeti ka thënë për The Guardian se është bërë më i shqetësuar për këtë çështje kohët e fundit pasi Musku hyri në politikën evropiane, me një postim muajin e kaluar kur ai tha se "vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë".
“Unë nuk e kuptoj pse njerëzit besojnë se liria e fjalës nuk ndikohet nga përqendrimi i fuqisë opinionbërëse në duart e pak njerëzve. Për mua, kjo ka më tepër tendenca joliberale, autokratike, sesa tendenca liberale, kur një zë është shumë më i fuqishëm se të gjithë të tjerët”, ka deklaruar ai.
Të mërkurën, ministri i jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, ka kërkuar nga KE-ja për të përdorur ligjin e BE-së në një mënyrë më të ashpër.
“Komisioni Evropian ose zbaton me vendosmërinë më të madhe ligjet që ekzistojnë për të mbrojtur hapësirën tonë unike ose jo dhe në atë rast duhet të mendojë t'i japë përsëri kapacitetin për ta bërë këtë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Francës”, ka thënë ai.