Botë

Kombet e Bashkuara refuzojnë kërkesën e Izraelit që të largohen nga Libani jugor

Kombet e Bashkuara

Kombet e Bashkuara kanë thënë se paqeruajtësit e saj në Libanin jugor do të qëndrojnë në pozicionet e tyre, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Izraelit që ata të largohen nga zona ku po qëndrojnë.

Kreu i operacioneve paqeruajtëse të OKB-së, Jean-Pierre Lacroic, iu ka thënë gazetarëve se vendimi për të mbrojtur Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) kishte mbështetjen e plotë si të Këshillit të Sigurimit, ashtu edhe të shteteve të tjera, ka raportuar BBC.

Të dielën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka  bërë thirrje OKB-së të largohet nga bazat e saj në jug të Libanit, të cilat tha se po siguronin një mburojë njerëzore për luftëtarët e Hezbollahut.

Kreu i paqeruajtësve tha se është thelbësore që helmetat blu të qëndrojnë në zonë, për të kryer mandatin që iu është dhënë nga Këshilli i Sigurimit për të ndihmuar popullatën civile.

Sipas Izraelit, OKB-ja ka dështuar të ndalojë Hezbollahun nga ndërtimi i tuneleve dhe pozicionimi i armëve si raketat pranë kufirit, në kundërshtim me marrëveshjen që i dha fund luftës së fundit, 18 vjet më parë.

OKB-ja ka deklaruar se misioni i saj është të mbështesë palët në konflikt, e jo të zbatojë marrëveshje.

OKB-ja ka akuzuar Izraelin se ka shënjestruar qëllimisht bazat e tij, me pesë paqeruajtës të plagosur në javën e kaluar.