Botë

“Kolonializëm i pastër”, dalin dokumente të para 50 vjetëve nga negociatat për Kanalin e Panamasë

Jimmy Carter dhe gjenerali Omar Torrijos pas nënshkrimit të Traktatit për Kanalin e Panamasë. Washington, 7 shtator, 1977

Jimmy Carter dhe gjenerali Omar Torrijos pas nënshkrimit të Traktatit për Kanalin e Panamasë. Washington, 7 shtator, 1977

Ish-sekretari amerikan, Henry Kissinger, i kishte thënë presidentit Gerald Ford 50 vjet më parë, se vazhdimi i kontrollit amerikan mbi Kanalin e Panamasë “duket si kolonializëm i pastër”, sipas dokumentit të deklasifikuar, të publikuar më 3 shkurt nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare, institucion kërkimor në Universitetin “George Washington” në Washington DC (Dokumentet)

Sipas këtij dokumenti, Kissingeri kishte thënë në maj të 1975-s në një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë në SHBA që “dështimi për të arritur marrëveshje, do të shkaktonte protesta e sulme ndaj ambasadave”.

Çështja e Kanalit të Panamasë, si krizë diplomatike, u rikthye pas ardhjes së Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka akuzuar një kompani kineze për shkelje të traktatit të vitit 1977 mbi neutralitetin e Kanalit. Më 2 shkurt, në Panama, Rubio kërcënoi se SHBA-ja do të ndërmarrë veprime për t’i mbrojtur të drejtat e saj, ndërsa gjatë inaugurimit Trumpi pati thënë se SHBA-ja do ta rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë pasi s’dëshiron t’ia japë Kinës.

Dokumentet e publikuara më 3 shkurt përfshijnë raporte të CIA-s, dokumente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe transkripte të bisedave telefonike e audioincizime nga epoka e Kennedyt. Edhe pse Marrëveshja për Kanalin e Panamasë ishte nënshkruar nga presidenti Jimmy Carter dhe lideri i Panamasë, Omor Torrijos në shtator të 1977-s, negociatat për traktat të ri që Panamaja të marrë Kanalin nën kontroll, zgjatën 13 vjet (1964-1977), gjatë administratave të katër presidentëve: Johnson, Nixon, Ford dhe Carter.

Gjysmëshekulli pas marrëveshjes komplekse dhe që e hoqën Kanalin nga diskutimet e vazhdueshme mbi tensionet në Amerikë, rrezikohet një konflikt i ri në këtë zonë.

“Teksa SHBA-ja kërcënon me rikthim të një epoke të diplomacisë me armë zjarri në Panama, të dhëna historike mbi negociatat në zonën e Kanalit pasqyrojnë premtimin pragmatik të diplomacisë aktuale për t’i çuar përpara interesat e SHBA-së”, ka thënë analisti i Arkivit të Sigurisë Kombëtare Peter Kornbluh.

Trumpi po e do rikthimin e Kanalit të Panamasë nën administrimin amerikan, pasi e ka kritikuar Panamanë se ka vendosur tarifa të larta për anijet amerikane në raport me ato të vendeve të tjera dhe ka shprehur shqetësim se Kina po e merr kontrollin e Kanalit.

Kanali i Panamasë u hap në vitin 1914. Ai e ndan Amerikën Veriore me atë Jugore dhe lidh dy oqeanet Atlantik e Paqësor. Ishte menaxhuar fillimisht nga amerikanët deri kur në Panama pati protesta të dhunshme më 1964 ndaj pranisë amerikane. Këto nxitën negociata që u përmbyllën me marrëveshje dhe që parashihnin transferimin gradual të kontrollit të Kanalit te Panamaja deri më 31 dhjetor 1999. SHBA-ja ka ruajtur të drejtën për të mbrojtur neutralitetin e kanalit. Më 1999, Kanali i Panamasë kaloi plotësisht nën kontrollin panamez.