Botë

Kisha katolike ende dështon të merret me rastet e abuzimit seksual, thotë raporti i Vatikanit

vatikan

Udhëheqësit e kishave katolike që dështojnë të ndërmarrin veprime kundër priftërinjve pedofilë janë “burim i mëtejshëm i të keqes” për viktimat e abuzimit seksual dhe duhet të hiqen nga postet e tyre, ka thënë komisioni për mbrojtjen e fëmijëve i Vatikanit.

Në raportin e tij të parë për një skandal që ka përfshirë kishën katolike për dekada, Komisioni Papnor për Mbrojtjen e të Miturve ka thënë se kisha ende po dështon të sigurojë se rastet e abuzimit seksual nga klerikët po trajtohen në mënyrë adekuate. Po ashtu, kritikon zyrën e Vatikanit për ankesa se po punon ngadalë dhe fshehtë.

Komisioni ishte themeluar nga Papa Françesku më 2014 dhe raporti i tij vjen një muaj pasi papa u kritikua për trajtimin që i ka bërë kisha ndaj abuzimit nga Mbreti Philippe i Belgjikës dhe kryeministri Alexander De Croo gjatë një udhëtimi në vend, raportoi Guardian. 

Raporti thotë se viktimave të abuzimit duhet t’u jepet më shumë qasje në informacione për rastet e tyre, duke theksuar rëndësinë e kompensimit të tyre. Kompensimi megjithatë nuk duhet të jetë financiar, por përfshin njohjen e gabimit dhe kërkimfaljen publike.

Kardinali Sean O’Malley ka thënë se raporti është hapi i parë në përkushtimin e tyre që të sigurojnë se ngjarje të tilla të mos ndodhin më kurrë.