Një kirurg francez 74-vjeçar, i akuzuar për abuzimin e 299 personave, shumica fëmijë, në kohën kur ata ishin nën anestezion ose duke u këndellur nga operimet, ka pranuar në gjykatë se ka bërë “gjëra të shëmtuara” dhe se është i gatshëm të japë përgjegjësi për veprat.
Joel Le Scouarnec akuzohet se gjatë karrierës 30-vjeçare ka dhunuar apo abuzuar seksualisht me viktimat, mosha mesatare e të cilëve ishte 11-vjeç. Të gjitha veprat ai i kishte shkruar duke ofruar detaje të abuzimeve.
“Kam bërë gjëra të shëmtuara”, ka thënë 74-vjeçari të hënën para trupit gjykues në Vannes, në ditën e parë të gjykimit. Ai ka thënë se “është plotësisht i vetëdijshëm se këto plagë nuk mund të fshihen apo shërohen”, dhe ka thënë se është “i gatshëm të japë përgjegjësi për veprat”.
Gati të gjithë fëmijët viktimë nuk ishin të vetëdijshëm për abuzimet deri sa policia ua gjeti emrat në dorëshkrimet e Le Couarnecut.
Abuzimet ndodhën në periudhën 1989 – 2014, kur Le Scouarnec punoi në disa spitale private e publike në disa pjesë të Francës Perëndimore.
Më 2017, fqinjët e tij e kishin raportuar në Polici. Më 2020, u dënua për dhunim apo abuzim seksual të katër fëmijëve, përfshirë një pacienti. U dënua me 15 vjet burgim dhe është ende duke vuajtur dënimin.
Kur hulumtuesit bastisën shtëpinë e tij gjetën më shumë se 300 mijë foto e video me abuzim seksual të fëmijëve, dhe një dorëshkrim që tregonte në detaje abuzimet.
“Jam pedofil dhe do të jem gjithmonë”, shkruhej në njërën nga letrat e tij.
Gjykimi pritet të zgjasë katër muaj. Janë më shumë se 60 avokatë të viktimave dhe familjeve të tyre që do të japin dëshmi muajin e ardhshëm. 256 nga viktimat ishin nën 15-vjeç. Një prej tyre ishte vetëm njëvjeçar e më i moshuari ishte 70.