Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi i ka kërkuar Britanisë dhe Bashkimit Evropian të martën të mbrojnë sistemet tregtare shumëpalëshe, teksa Pekini kërkon të sigurojë mbështetjen nga partnerët tregtarë për të kundërshtuar masat tarifore të SHBA-së.
Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbetur të mbyllura në një luftë tregtare që po thellohet, me rritje tarifash që kanë ndërprerë ndjeshëm tregtinë dypalëshe, raporton Reuters.
"Shtetet e Bashkuara kanë armatosur tarifat për të nisur sulme pa dallim ndaj vendeve, duke shkelur hapur rregullat e OBT-së dhe duke minuar të drejtat dhe interesat legjitime të të tjerëve”, ka cituar ministria e Jashtme e Kinës të ketë thënë Wang në një telefonatë me sekretarin e jashtëm britanik, David Lammy.
Kina dhe Britania kanë përgjegjësinë për të ruajtur rendin ndërkombëtar përballë “bullizmit të njëanshëm të shfrenuar”, i ka thënë Wang Lammy-t.
Sipas Wang, Kina është e gatshme të punojë me Britaninë për të "eliminuar të gjitha shpërqendrimet", teksa ka shtuar se përgjegjësia është mbi të dy vendet për të mbrojtur sistemet tregtare shumëpalëshe.
Në një telefonatë të veçantë me ministrin e Jashtëm austriak, Beate Meinl-Reisinger, Wang i ka bërë thirrje BE-së të mbrojë tregtinë shumëpalëshe dhe ka thënë se Kina është e gatshme të forcojë më tej shkëmbimet e nivelit të lartë me bllokun.
Uashingtoni ka rritur tarifat në 145% për mallrat kineze, duke bërë që Pekini të hakmerret duke vendosur tarifa prej 125% për artikujt e importuar nga SHBA-ja.