Botë

Kina teston raketë balistike ndërkontinentale për herë të parë në dekada

Kina testimi i raketes

Foto: Associated Press

Kina ka thënë se ka lëshuar me sukses raketë balistike interkontinentale (ICBM), ku koka bërthamore ka rënë në Oqeanin Paqësor.

ICBM-ja është lëshuar të mërkurën dhe “ka rënë në zonat e pritura në det”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Pekinit, duke shtuar se testi ka qenë “rutinë” dhe se është pjesë e “trajnimit vjetor”.

Lloji i raketës dhe rruga e fluturimit mbeten të paqarta, por media shtetërore kineze ka thënë se Pekini i “ka njoftuar paraprakisht vendet”.

Analistët kanë thënë se përshkrimi i testit nga Pekini si “rutinor” ka qenë befasues, sepse testet e tilla të fundit kanë ndodhur në vitin 1980.

Testimet e armëve bërthamore të Kinës zakonisht kryhen brenda vendit dhe më parë i ka testuar ICBM-të në perëndim të vendit, në shkretëtirën Taklamakan në rajonin Xinjiang. Prandaj, besohet se kjo është hera e parë që nga viti 1980 që ka lëshuar një ICBM në ujëra ndërkombëtarë.

Ministria e Mbrojtjes së Japonisë ka thënë se nuk ka pasur dëme në anijet e saj.

“Ne do të vazhdojmë të mbledhim dhe analizojmë informacionet e lëvizjes së ushtrisë kineze dhe do të marrim të gjitha masat e mundshme, si në vigjilencë ashtu edhe në monitorim”, ka thënë ministria, sipas transmetuesit japonez NHK.

Kur Kina ka kryer një test të tillë për herë të fundit – në maj të vitit 1980 – ICBM-ja ka fluturuar mbi 9000 kilometra dhe ka rënë në Oqeanin Paqësor. Ky test ka përfshirë 18 anije detare kineze dhe akoma besohet të jetë një ndër misionet më të mëdha detare të Kinës.

Vitin e kaluar, Kina zëvendësoi dy drejtues të njësisë së Forcave Raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore - njësia elitare që e menaxhon arsenalin bërthamor - mbi akuzat për korrupsion.

Në një raport të botuar vitin e kaluar, Pentagoni vlerësoi se Kina ka më shumë se 500 koka bërthamore operacionale në arsenalin e saj, nga të cilat rreth 350 janë ICBM.

Raporti parashikonte gjithashtu se Kina do të arrijë mbi 1000 koka bërthamore deri në vitin 2030. Megjithatë, kjo është një pjesë e vogël në krahasim me rreth 5000 koka bërthamore që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia thonë se i zotërojnë secila.