Teksa republikani Donald Trump ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke mundur demokraten Kamala Harris, Kina po përgatitet për katër vjet të tjera rivaliteti të ashpër të superfuqive mbi tregtinë, teknologjinë dhe çështjet e sigurisë.
Trumpi tregoi forcë në shumë zona të vendit, duke fituar një pjesë më të madhe të votave në mbarë vendin se sa katër vjet më parë, treguan fletëvotimet, raporton Reuters.
Strategët kinezë kanë thënë se politika e tij e jashtme izoluese mund t'i japë Pekinit një vakum për të zgjeruar ndikimin e tij global.
"Pekini parashikoi një garë të ngushtë në zgjedhjet në SHBA. Megjithëse fitorja e Trumpit nuk është rezultati i preferuar i Kinës dhe ngre shqetësime, nuk është krejtësisht e papritur”, ka thënë Tong Zhao, bashkëpunëtor i lartë në Carnegie Endowment for International Peace.
Kërcënimi tarifor i Trumpit
Trumpi ka propozuar tarifa mbi importet kineze mbi 60%, dhe duke i dhënë fund statusit të Kinës si kombi më i favorizuar tregtar, analistët thonë se perspektiva e një lufte tregtare ka tronditur udhëheqjen e Kinës.
Kina shet mallra me vlerë më shumë se 400 miliardë dollarë në vit në SHBA dhe qindra miliarda të tjera në komponentë për produktet që amerikanët blejnë nga vende të tjera.
"Pekini është veçanërisht i kujdesshëm ndaj një ringjalljeje të mundshme të luftës tregtare nën Trumpin, veçanërisht pasi Kina aktualisht përballet me sfida të rëndësishme të brendshme ekonomike”, ka thënë Zhao.
“Kina pret gjithashtu që Trumpi të përshpejtojë shkëputjen e teknologjive dhe zinxhirëve të furnizimit, një lëvizje që mund të kërcënojë rritjen ekonomike të Kinës dhe të ndikojë indirekt në stabilitetin e saj social dhe politik”.
Si përgjigje, Kina ka të ngjarë të intensifikojë shtytjen e saj për vetë-mjaftueshmëri më të madhe teknologjike dhe ekonomike, ndërsa ndjen më shumë presion për të forcuar lidhjet ekonomike me vende si Rusia, shtoi ai.
Vakuumi global
Kina ka të ngjarë të forcojë lidhjet me vendet Jugut Global, Evropën dhe Azinë Verilindore në rast të fitores së Trumpit, duke pasur parasysh "politikën e tij të jashtme transaktive, izoluese, anti-globaliste dhe anti-shumëpalëshe", ka thënë Brian Wong, asistent profesor në Universitetin e Hong Kongut.
Presidenti kinez Xi Jinping dhe kryeministri indian Narendra Modi arritën një përafrim muajin e kaluar, teksa Pekini ka kontaktuar me administratën e re japoneze këtë vjeshtë pas viteve të marrëdhënieve të tensionuara.
“Kina pret që administrata e dytë e Trumpit të shkëputet më tej nga marrëveshjet dhe angazhimet ndërkombëtare, duke krijuar mundësi për Kinën që të zgjerojë ndikimin e saj në vakumet e reja të pushtetit”, ka shtuar Zhao.
Trumpi po shtu nuk ka shumë gjasa t'i japë Tajvanit të njëjtën mbështetje në të ardhmen siç e ka marrë gjatë kohës së Joe Bidenit, ka thënë Shen Dingli, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shangai.