Kina i ka mohuar të hënën akuzat e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se ky shtet është duke u bërë presion shteteve të tjera dhe liderëve të tyre që të mos e ndjekin konferencën e paqes për luftën në Ukrainë, të organizuar nga Zvicra.
Zelensky ishte duke folur në një konferencë të sigurisë për Azinë në Singapor të dielën, kur lëshoi akuza për Kinën, se po e ndihmon Rusinë për ta minuar konferencën e paqes që do të mbahet nga 15-16 qershor në Luzern të Zvicrës, raporton AP.
Ministrja e Jashtme kineze, Mao Ning, ka deklaruar të hënën në një konferencë në Pekin se Kina nuk po merr pjesë në konferencën e paqes sepse nuk i plotëson ende kërkesat e saj, dhe se vendimi i saj nuk synonte asnjë palë apo takimin në veçanti.
“Ne gjithashtu i kushtojmë rëndësi të madhe lidhjeve me Ukrainën. Që nga shpërthimi i krizës, Kina ka ruajtur komunikimin dhe bashkëpunimin me Ukrainën. Kina mbetet partneri më i madh tregtar i Ukrainës dhe ambasada jonë në Ukrainë ka funksionuar normalisht. Pozicioni i Kinës për konferencën e paqes është gjithashtu i hapur dhe transparent, dhe ne e kemi theksuar vazhdimisht rëndësinë e tre elementëve. Ne besojmë se kjo do të kuptohet dhe mbështetet nga palët përkatëse”, ka deklaruar ajo.
Kina e ka prezantuar vazhdimisht atë që e ka quajtur pozicion neutral ndaj luftës në Ukrainë, duke e vënë veten kundër vetë Ukrainës, SHBA-së dhe shumicës së vendeve të Evropës.
Marrëdhëniet e saj tregtare me Rusinë janë rritur, duke lehtësuar kështu ndikimin e sanksioneve ndaj saj, të vendosura nga Perëndimi si pasojë e pushtimit të Ukrainës.
Ndërkohë, agjencitë e Inteligjencës të SHBA-së, Ukrainës dhe vendeve të tjera thonë se pajisjet e Kinës po përdoren në armatimin rus, ndonëse Kina nuk është direkt duke bërë armatosjen e fqinjit të saj.
LEXO EDHE: