Ministria e Jashtme kineze ka postuar në mediat sociale një video goditëse, përmes së cilës i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i kundërvihet udhëheqësit “ngacmues” të Amerikës.
“Të përkulesh para një dhunuesi është si të pish helm për të shuar etjen, kjo vetëm e thellon krizën”, ka thënë ministria në videon e saj, të transmetuar në anglisht dhe me titra në kinezisht.
"Historia ka dëshmuar se kompromisi nuk do t'ju sjellë mëshirë, gjunjëzimi vetëm tërheq më shumë ngacmime. Kina nuk do të gjunjëzohet”, thuhet më tej në mesazh, raporton CNN.
Videoja rrëfen një mësim historie të asaj që Kina e konsideron agresion ekonomik amerikan, duke detyruar kompani si Toshiba dhe Alstom drejt shpërbërjes, krizës financiare dhe falimentimit dhe duke e dërguar ekonominë e Japonisë në "dekada të rritjes anemike".
Kina e ka portretizuar veten si një strehë të tregtisë së lirë me të cilën vendet e tjera mund të kenë investime dhe partneritet të sigurt.
“Kina do të qëndrojë e palëkundur, pavarësisht se sa fort fryn era. Dikush duhet të ecë përpara, me pishtarin në dorë për të larguar mjegullën dhe për të ndriçuar shtegun përpara”.
Në video nuk përmenden në mënyrë specifike tarifat 145% që administrata Trump ka vendosur mbi importet kineze, ose tarifat hakmarrëse prej 125% që Kina ka vendosur, nga ana tjetër, për mallrat amerikane.
Trumpi ka thënë së fundmi se pret që tarifat për produktet kineze të ulen, teksa sekretari i Thesarit, Scott Bessent të martën i ka quajtur tarifat e larta “të paqëndrueshme”.
Trumpi ka thënë gjithashtu se Kina do të duhet të dalë me një ofertë të fortë dhe megjithëse ai ka thënë se të dy kombet janë në komunikim të vazhdueshëm, Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur se vendet janë në çfarëdo lloj negociatash aktive tregtare.
Ndërkohë, bisedimet tregtare me Amerikën janë aktivizuar për një pjesë të madhe të kombeve të tjera.
Bessent ka thënë se ai është në diskutime aktive me 17 vende të tjera gjatë periudhës 90-ditore të pauzës së tarifave reciproke.
Në video, Kina e ka quajtur SHBA-në po ashtu "një tigër letre". Sipas saj, importet dhe eksportet amerikane përbëjnë më pak se një të pestën e tregtisë globale dhe kombi "nuk përfaqëson të gjithë botën".
“Kur pjesa tjetër e botës qëndron së bashku në solidaritet, SHBA-ja është thjesht një varkë e vogël e bllokuar”, thuhet po ashtu në video.