Kina të premten i ka përjashtuar disa produkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga tarifat e larta, që lufta tregtare në mes dy ekonomive më të mëdha botërore të lehtësohet. Por Pekini i ka mohuar sërish pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump se janë duke u zhvilluar negociata në mes dy vendeve, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Grupe të biznesit kanë njoftuar se Kina ka lejuar disa produkte farmaceutike të prodhuara në SHBA të hyjnë në Kinë pa paguar tarifat prej 125 për qind që Pekini i ka vendosur si kundërpërgjigje ndaj tarifave prej 145% që Trumpi ua vendosi produkteve kineze.
Gjithashtu, një listë prej 131 kategorive të produkteve është duke u konsideruar për përjashtim, sipas disa bizneseve dhe grupeve tregtare. Lista nuk është verifikuar. Raportohet se ajo përfshinë vaksina, kimikale dhe motorë të aeroplanëve. Kina akoma nuk ka reaguar publikisht rreth kësaj.
Administrata e Trumpit, ditëve të fundit ka dhënë sinjale se po synon të shtensionojë konfrontimin me Kinën, dhe vetë Trumpi ka deklaruar se janë duke u zhvilluar bisedime dhe se presidenti kinez, Xi Jinping e ka telefonuar atë.
“Nuk mendoj se është një shenjë dobësie nga ana e tij”, ka deklaruar Trump.
Kina e ka mohuar se janë duke u zhvilluar bisedime.
“Kina dhe SHBA-ja NUK janë duke zhvilluar konsultime apo negociata mbi tarifat. SHBA-ja duhet të ndalojë së krijuari konfuzion”, ka shkruar në rrjetet sociale Ambasada kineze në Washington.