Botë

Kina kritikon legjislacionin e SHBA-së që autorizon pakon ushtarake për Tajvanin

Wu Qian

Ministria e Mbrojtjes e Kinës ka kërkuar të enjten nga Shtetet e Bashkuara që të ndalojë ndërhyrjen e saj si në Tajvan ashtu edhe në Detin Jugor të Kinës, pas miratimit të pakos ushtarake, që përfshin miliarda dollarë ndihma, nga presidenti Joe Biden, për Tajvanin, Ukrainën dhe Izraelin.

Zëdhënësi i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës, Wu Qian i bëri deklaratat e tij një ditë pas nënshkrimit të pakos ushtarake nga Bideni, me anë të së cilës Tajvanit i ndahen 8 miliardë dollarë për t’u mbrojtur nga kërcënimet kineze në Tajvan dhe në Indo-Paqësor. 

Kina e pretendon Tajvanin si territor të vetin dhe thotë se duhet të vihet nën kontrollin e saj. Qeveria amerikane nuk e mbështet pavarësinë formale për Tajvanin, por është e detyruar nga ligjet e saj që t’i sigurojë ishullit mjetet për t’u mbrojtur, raporton “Associated Press”.

Wu ka kritikuar gjithashtu SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Australinë mbi mundësinë e përfshirjes së Japonisë në partneritetin AUKUS, që synon të pajisë Australinë me nëndetëse me energji bërthamore dhe armë konvencionale.