Kina ka vendosur taksa mbi importet e rakisë evropiane, në një lëvizje që Franca ka thënë se është hakmarrje për tarifat e mëdha që Bashkimin Evropian (BE) njoftoi për automjetet elektrike kineze, raporton BBC të martën.
Komisioni Evropian ka thënë se do ta sfidojë vendimin e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), duke e quajtur “abuzim të masave të mbrojtjes tregtare”.
Por Kina ka reaguar duke thënë se masa ishte “anti-dumping” që do të mbronte prodhuesit vendas.
Prodhuesit francezë të rakisë kanë thënë se taksa, e cila godet markat e mëdha, duke përfshirë “Hennessyn” dhe “Remy Martin”, do të ishte katastrofike për industrinë. Pas njoftimit për vendimin e Kinës, ranë aksionet e kompanive.
Kina njoftoi kufizime të reja për rakinë evropiane vetëm disa ditë pasi vendet e BE-së miratuan tarifa të larta për automjetet elektrike të prodhimit kinez.
Ministria e Tregtisë e Kinës ka thënë se importet e rakisë kërcënojnë “dëm të konsiderueshëm” për prodhuesit e saj. Importuesit do të duhet të paguajnë “depozita sigurie” për rakinë evropiane.
Kina po shqyrton gjithashtu tarifa të reja për importet e tjera të BE-së, duke përfshirë veturat, mishin e derrit dhe bulmetin.
Ajo ka thënë se tarifat e BE-së për automjetet elektrike kineze janë shkelje e rregullave të tregtisë globale.
Ministrja franceze e Tregtisë Sophie Primas ka thënë se kjo lloj hakmarrjeje do të ishte “e papranueshme” dhe “kontradiktë totale” e rregullave të tregtisë ndërkombëtare, duke shtuar se Franca do të punonte me Bashkimin Evropian për të ndërmarrë veprime në OBT.
Franca përbën 99 për qind të rakisë së eksportuar në Kinë.