Botë

Kina e paralajmëron SHBA-në që të mos shkelë “vijat e kuqe” të saj

Kina-SHBA

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, e ka paralajmëruar Sekretarin amerikan, Antony Blinken, që të mos shkelë “vijat e kuqe” të Kinës, pasi kryediplomatët u takuan në Pekin të premten.

Wang e hapi takimin me një pyetje që u duk më shumë si paralajmërim: “A duhet të vazhdojnë Kina dhe SHBA-ja të ecin përpara me stabilitet apo të kthehen në spiralen në rënie?”

Marrëdhëniet Kinë-SHBA kanë filluar të stabilizohen, por ende po testohet nga “faktorë negativë”, ka shtuar ai.

Wang ka thënë se të dyja vendet munden të bashkëpunojnë ose të konfrontohen, teksa ka përmendur edhe konfliktin, raportoi BBC. 

“A duhet që të dyja palët të udhëheqin bashkëpunimin ndërkombëtar për çështje globale dhe të arrijnë fitore për të gjithë, apo të përfshihen në rivalitet dhe konfrontim apo edhe të rrëshqasin në konflikt, i cili do të ishte humbje për të gjithë. Komuniteti ndërkombëtar po pret përgjigjen tonë”, ka thënë Wang.

Ai përcaktoi ato që i quajti vija të kuqe të Kinës për sovranitetin, sigurinë dhe zhvillimin e saj, dhe paralajmëroi SHBA-në që të mos i shkelte ato.

Ndërkaq, Blinkeni ka theksuar se Pekini dhe Washingtoni kanë përgjegjësi të përbashkët që të lëvizin përpara “me diplomaci aktive”. Ai është shprehur se ishte mirë që takimi u mbajt sy më sy ashtu që të “shmangeshin keqkuptimet dhe llogaritjet e gabuara”.

Kjo ishte vizita e dytë e Blinkenit në Kinë në më pak se një vit.