Botë

Kina e gatshme të bëhet partnere me SHBA-në

Xi Jinping

Foto: Associated Press

Presidenti kinez, Xi Jinping ka thënë se partneriteti i suksesshëm mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është mundësi që dy vendet të bëhen shtysë për zhvillimin e njëra-tjetrës, sipas medias shtetërore të mërkurën.

“Kina është e gatshme të jetë partnere dhe mike e SHBA-së. Ky do të ishte përfitim, jo vetëm për vendet, por edhe për botën”, ka thënë Xi, në një letër për darkën vjetore të çmimeve të 2024-s së Komitetit Kombëtar për Marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Xi ka vënë në dukje se marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së janë në mesin e marrëdhënieve më të rëndësishme bilaterale në botë, të cilat kanë ndikim në të ardhmen dhe fatin e njerëzimit, raporton Reuters.

Të dy vendet kanë qenë në mosmarrëveshje rreth shqetësimeve të sigurisë kombëtare, grindjeve të vazhdueshme tregtare, si dhe veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe stërvitjet e intensifikuara ushtarake rreth Tajvanit.

Marrëdhëniet tregtare janë ftohur gjatë vitit të kaluar dhe janë përqendruar rreth çështjeve, duke përfshirë kufizimet e automjeteve elektrike dhe gjysmëpërçuesit e avancuar.

“Kina i ka trajtuar gjithmonë marrëdhëniet Kinë-SHBA në përputhje me parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit të favorshëm dhe gjithmonë ka besuar se suksesi i Kinës dhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është mundësi për këto dy vende”, ka thënë Xi.