Ministria e Tregtisë e Kinës të enjten i ka kërkuar SHBA-së të ndalojë së ushtruari "presion ekstrem" mbi ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe të ketë respekt në çdo bisedë tregtare, por të dy palët kanë hedhur topin te njëra-tjetra për atëKina dhe SHBA-ja hedhin topin te njëra-tjetra për nisje të bisedimeve tregtare se kush duhet t'i nisë ato bisedime.
Administrata e Donald Trumpit ka rritur presionin ndaj Kinës duke rritur tarifat e importit për mallrat kineze në muajt e fundit. Të martën, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Kina tani përballet me një tarifë prej 245%, raporton Reuters.
Ministria kineze e Tregtisë i ka kritikuar tarifat si të paarsyeshme dhe ka thënë se Pekini do të injorojë lojën "e pakuptimtë" të numrave tariforë. Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se Kina do të "luftojë deri në fund" nëse SHBA-ja synon të krijojë dëme mbi të drejtat dhe interesat e Kinës.
"Rritjet e njëanshme të tarifave u iniciuan tërësisht nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë He Yongqian, një zëdhënëse e ministrisë kineze të Tregtisë, në një konferencë javore për shtyp.
Ndryshe nga një numër vendesh që i janë përgjigjur "tarifave reciproke" të Trumpit duke kërkuar marrëveshje me Uashingtonin, Pekini ka rritur taksat e veta për mallrat amerikane si përgjigje, dhe nuk ka kërkuar bisedime, të cilat sipas tij mund të zhvillohen vetëm në bazë të respektit dhe barazisë reciproke.
Uashingtoni ka thënë të martën se Trumpi është i hapur për të bërë një marrëveshje tregtare me Kinën, por Pekini duhet të bëjë lëvizjen e parë dhe se "topi është në fushën e Kinës".
“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë menjëherë presionin ekstrem, detyrimin dhe shantazhin dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet me Kinën përmes dialogut të barabartë mbi bazën e respektit të ndërsjellë”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë.
Ministria e Tregtisë ka mbajtur komunikim në nivel pune me homologët e saj amerikanë, ka shtuar ajo, duke thënë se Kina është e hapur për konsultime ekonomike dhe tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Por “personi që ka lidhur zilen duhet të jetë ai që e zgjidh”, është shprehur ajo, duke përdorur një proverb kinez.