Për analistët e qeverisë dhe sigurisë, sulmi kibernetik i Rusisë në fillim të pushtimit të plotë të Ukrainës ka treguar se si satelitët mund të bëhen shënjestër kryesore gjatë luftës. Zhvillimi i teknologjive kundërhapësinore është duke ndodhur në mes të një epoke të re të fokusimit në hapësirë. Ndërsa rritet rivaliteti gjeopolitik në Tokë, ekspertët thonë se Pekinit dhe Moskës janë duke iu rritur interesat për t’ia ndaluar SHBA-së aftësinë për t’i përdorur ato
Teksa forcat ruse e kanë kaluar kufirin ukrainas në momentet e para të fillimit të pushtimit, një tjetër sulm, më pak i dukshëm, ka qenë duke u zhvilluar –sulm kibernetik që e ka dëmtuar internetin e lidhur me një rrjet satelitor.
Kjo ofensivë e teknologjisë – e kryer nga Rusia një orë para sulmit tokësor në shkurt të vitit 2022- është synuar për ta çrregulluar komandën dhe kontrollin e Kievit në momentin kryesor të hershëm të luftës, kanë thënë qeveritë e shteteve perëndimore.
Sulmi kibernetik, i cili ka goditur modemat e lidhur me satelitë, ka pasur efekte të mëdha – ka ndaluar turbinat e erës në Gjermani dhe ua ka ndërprerë internetin mijëra njerëzve dhe bizneseve përgjatë Evropës. Pas sulmit, Ukraina ka gjetur mënyra të tjera për t’u kthyer online.
Për analistët e qeverisë dhe sigurisë, sulmi kibernetik ka treguar se si satelitët – që luajnë rol të rëndësishëm në pozicionet ushtarake, komunikime dhe nisjen/detektimin e armëve – mund të bëhen shënjestër kyç gjatë luftës.
Ndërsa vendet dhe kompanitë kanë ndërtuar rrjete të satelitëve, një numër në rritje i qeverive po konkurrojnë për teknologji që mund t’i prishë apo edhe t’i shkatërrojë resurset e kundërshtarëve – jo vetëm në tokë, si sulmi i supozuar i Rusisë – por edhe në hapësirë.
Futja e bllokimit dhe mashtrimit të sinjalit, laserë që prishin zbulimin e imazheve, raketa antisatelitore dhe anije kozmike me kapacitetin për të ndërhyrë në orbitën e të tjerëve – janë teknologji kundërhapësinore që analistët thonë se fuqitë kryesore si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina mund t’i përdorin për t’i shënjestruar satelitët e njëri-tjetrit.
Një shembull ekstrem i kësaj arme ishte hedhur në dritë në fillim të këtij viti kur inteligjenca amerikane ka sugjeruar se, Rusia ishte duke u përpjekur të ndërtonte një armë bërthamore antisatelitore të bazuar në hapësirë – supozim i hedhur poshtë nga Moska.
Një armë e tillë mund të ketë ndikim shkatërrues – në satelitët në të cilët bota varet për parashikimin e motit dhe t’u përgjigjet fatkeqësive, ose sistemet e navigimit global, si bankat ose shpërndarjet e deri te dërgimi i ambulancës.
Javën e kaluar SHBA-ja e ka akuzuar Rusinë se ka lëshuar një satelit “të aftë për t’i sulmuar të tjerët në orbitën e Tokës”, me zyrtarët amerikanë që kanë thënë se kjo i pason lëshimet e mëparshme të satelitëve rusë të “sistemeve kundërhapësinore” të mundshme në 2019-n dhe 2022-n.
Si Rusia ashtu edhe Kina e kanë avancuar krijimin e teknologjisë që mund të përdoret për arsye të tilla gjatë viteve të fundit, teksa SHBA-ja bazohet në krijimin e tyre për kërkime hapësinore, sipas ekspertëve.
Zhvillimi i teknologjive kundërhapësinore është duke ndodhur në mes të një epoke të re të fokusimit në hapësirë – ku SHBA-ja dhe Kina janë duke konkurruar për të dërguar astronautë në hënë dhe për të ndërtuar baza kërkimi atje.
Ndërsa rritet rivaliteti gjeopolitik në Tokë, ekspertët thonë se Pekinit dhe Moskës janë duke iu rritur interesat për t’ia ndaluar SHBA-së - si vendi me aftësitë më të mëdha tokësore të lidhura me hapësirën – aftësinë për t’i përdorur ato.
Gara kundërhapësinore
Ideja e armëve të kthyera ose të pozicionuara në hapësirë mbetet shumë e diskutueshme, por nuk është e re.
Disa dekada më parë, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik kanë krijuar teknologji për t’ia shkatërruar njëra-tjetrës satelitët, me lëshimin e “Sputnikut” të Rusisë në vitin 1957 – sateliti i parë artificial – shpejt i pasuar nga testimet amerikane kundërhapësinore.
Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Amerika është bërë fuqia më e madhe sa u përket aftësive hapësinore, të lidhura me mbajtjen e operacioneve ushtarake në Tokë, thonë analistët – fuqi që Rusia dhe Kina kanë shpresuar t’i kundërpërgjigjen.
“Zhvillimi i aftësive kundërhapësinore si armët antisatelitore, u ofron një mjet për ta prishur aftësinë e kundërshtarit të bazuar në hapësirë, qofshin ato aftësitë e komunikimit, navigacionit, apo sistemet e komandimit e kontrollit dhe rrjetet logjistike që mbështeten në sistemet e bazuara në hapësirë”, ka thënë Rajeswari Pillai Rajagopalani, drejtoreshë e Qendrës për Sigurinë, Strategjinë dhe Teknologjinë në fondacionin kërkimor “Observer” në Nju-Delhi. “Ndalimi i avantazheve hapësinore të SHBA-së që përdoren në ndonjë konflikt ushtarak është çka po i shtyn Rusinë dhe Kinën t’i zhvillojnë aftësitë dhe strategjitë e tyre”.
Rusia besohet se i ka përdorur programet kërkimore antisatelitore të kohës së Luftës së Ftohtë, të tilla si “sistemi lazer me avion”, për t’i prishur satelitët e zbulimit të imazheve, sipas një raporti vjetor nga SHBA-ja i “Secure World Foundation” (SWF), i lëshuar në mars.
Prova të reja sugjerojnë se Rusia mund të jetë duke punuar për t’i zgjeruar kapacitetet e sistemeve elektronike të bazuara në tokë për t’i bllokuar sinjalet e satelitëve, ka thënë raporti. Gjatë viteve të fundit, Rusia gjithashtu ka lëshuar anije kozmike që duken se i vëzhgojnë satelitët e huaj.
Kina ka treguar për ambiciet e saj kundërhapësinore në vitin 2007, kur e ka lëshuar një raketë rreth 500 milje nëpër hapësirë për ta shkatërruar një satelit kinez të vjetër të motit.
Që nga atëherë, besohet nga analistët se Kina i ka kryer disa testime raketore joshkatërruese që mund ta avancojnë aftësinë e saj për t’i shënjestruar satelitët. E fundit si kjo ka ndodhur në prill, sipas SWF-së, që është quajtur testim për përgjimin e raketave nga Pekini.
Nga Forcat Hapësinore të SHBA-së, Kina besohet se është “duke krijuar bllokues për ta shënjestruar një gamë të gjerë të satelitëve” dhe se ka “disa sisteme të laserëve të bazuar në tokë”.
Sipas Pekinit, ata janë duke i mbrojtur “interesat e sigurisë në hapësirë” dhe për një kohë të gjatë qëndron me mendimin e “përdorimit paqësor të hapësirës” dhe është kundër garës me armë atje.
Rusia ka thënë gjithashtu se është kundër përdorimit të armëve në hapësirë. Të dyja vendet gjatë viteve të fundit i kanë themeluar forcat ushtarake të dedikuara te hapësira, siç ka bërë SHBA-ja me Forcat Hapësinore në 2019-n.
Zyrtarët e SHBA-së e kanë përshkruar Amerikën si lider në “përdorimin e përgjegjshëm dhe paqësor” të hapësirës. Ajo gjithashtu sigurohet që vendet e tjera nuk i përdorin teknologjitë kundër satelitëve atje.
“Për ta ndaluar” Kinën
Që kur e ka rrëzuar një satelit që nuk funksiononte me raketë në vitin 2008, Washingtoni ka thënë se nuk do ndërmerrte më testime të tilla shkatërruese me raketa antisatelitore, të cilat mund të krijojnë mbeturina të rrezikshme hapësinore dhe se mendon se nuk ka programe të posaçme për ndërmarrjen e hapave të tillë.
Gjithashtu nuk ka satelitë ose anije kozmike që i shënjestrojnë satelitët e tjerë nga brenda orbitës, por mund të krijojë diçka të tillë në të ardhmen, sipas SWF-së.
SHBA-ja ka vetëm një sistem operimi kundërhapësinor dhe ushtria e saj shihet se ka aftësi të avancuara për t’i bllokuar komunikimet dhe aftësi për të ndërhyrë me satelitë të caktuar navigimi.
Shefi i Operacioneve Hapësinore amerikane, Chance Saltzman, ka shpjeguar se pse SHBA-ja e ka ndier nevojën e aftësive kundërhapësinore. Ai e ka përmendur strategjinë “vrit rrjetin” të Kinës për ta zhvilluar rrezen dhe saktësinë e armëve të veta.
“Kjo është e gjitha aftësi e mundësuar nga hapësira”, ka thënë Saltzmani. “Dhe nëse Pekini vendos t’i përdorë këto armë, ne duhet të jemi në gjendje ta ndalojmë qasjen në informacion, ta prishim atë në mënyrë që forcat tona të mos jenë në shënjestër dhe brenda rrezes”.
Në ndërkohë, aktivitetet potenciale të hapësirës i kanë shtyrë aleatët e SHBA-së, Francën dhe Australinë për të kërkuar aftësi kundërhapësinore – shpesh joshkatërruese, vetëm për të intervenuar me satelitët e armikut.
Izraeli gjithashtu ka thënë se e ka përdorur bllokimin me GPS në luftën e tij në Gaza për t’i “neutralizuar” kërcënimet.
“Shkatërrim”
Me shumë se 7500 satelitë funksionues janë në orbitën e Tokës, sipas të dhënave të fundit nga Unioni i Shkencëtarëve të cilët merren me çështje më shqetësuese sa i përket hapësirës (UCS) në maj të vitit 2023.
Nga këta satelitë, më shumë se 5000 janë të SHBA-së, prej tyre shumica satelitë komercialë, të prodhuar për përdorim civil, qeveritar ose jofitimprurës. Kina është e dyta me rreth 628 dhe Rusia e treta me më pak se 200, sipas UCS-së.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Moska e ka akuzuar Perëndimin se i përdor sistemet satelitore komerciale për arsye ushtarake.
Rusia gjithashtu është akuzuar se ka kryer krime kibernetike ndaj rrjetit më të madh satelitor komercial, të kompanisë amerikane të “SpaceX Starlink”, e cila i ka ndihmuar ushtrisë ukrainase.
Sa i përket krijimit të armëve bërthamore të bazuara në hapësirë, Moska i ka hedhur poshtë këto supozime të Perëndimit.
Nëse Rusia është duke krijuar një armë të tillë, shqetësimet e saj në lidhje me rrjetet amerikane si “Starlinku”, që kanë treguar dobi ushtarake “ka gjasa të jenë faktori motivues kryesor”, sipas Tong Zhao, bashkëpunëtor i lartë në institutin e mendimit “Carnegie Endowment for International Peace” në Washington.
Në të kundërt, “përdorimi i armëve të tilla (bërthamore) në hapësirë mund të shkatërrojë rrjete të mëdha satelitore, duke krijuar mbeturina afatgjata dhe mbetje radioaktive që i bëjnë orbitat të papërdorshme për qëllime ushtarake dhe civile”, ka shtuar Zhao. “Kjo gjithashtu mund të shkaktojë pengesë të madhe në ruajtjen e hapësirës, si domen i përbashkët për zhvillimin e ardhshëm njerëzor”.
Studiuesit kinezë i kanë konsideruar gjithashtu pasojat e shpërthimit bërthamor në hapësirë, ku ata kanë vënë re se mund të ketë efekte të mundshme në satelitë dhe avionë të tjerë.
Traktati i hapësirës
Armët bërthamore gjithashtu kanë një histori të diskutueshme të lidhur me hapësirën.
Testi bërthamor i “Starfish Prime” i Amerikës i vitit 1962, rreth 250 milje mbi Tokë, e ka dëmtuar të paktën një të tretën e 24 satelitëve që vepronin në atë kohë, sipas dokumenteve ushtarake. Gjithashtu ka prishur linjat e energjisë elektrike në Hawaii dhe e ka kthyer qiellin në një nuancë portokalli për orë të tëra. Testi, i nisur nga Toka, ishte pjesë e serisë për ta vlerësuar efektin e shpërthimeve të tilla, duke e përfshirë atë kundër raketave balistike.
Pesë vjet më vonë, vendet e shqetësuara nga gara hapësinore e kanë ndaluar stacionimin e armëve të shkatërrimit në masë në hapësirë me Traktatin Hapësinor të vitit 1967, e cila nuk i ndalon armët në orbitë ose raketat e lëshuara nga Toka.
Edhe pse i vjetër, ekspertët thonë se Traktati mbetet themel për një fushë që i mungojnë normat e gjera ndërkombëtare për ta siguruar paqen.
Muajin e kaluar, Rusia i ka vënë veton një përpjekjeje për t’i riafirmuar parimet e Traktatit të Hapësirës, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të udhëhequr nga SHBA-ja dhe Japonia. Këtu është përfshirë detyrimi për të mos i vendosur armët bërthamore në hapësirë. Rezoluta do të ishte e para rreth hapësirës nga Këshilli dhe është mbështetur nga të gjithë anëtarët e tjerë përveç Kinës, e cila ka abstenuar.
Në vend të kësaj, Kina dhe Rusia, kanë nxitur që rezoluta të zgjerohet në mënyrë që ta ndalonte vendosjen e çfarëdo armeje në hapësirë.
Duke e përdorur një gjuhë që dukej se e synonte SHBA-në, rezoluta u bëri thirrje :të gjitha shteteve dhe mbi të gjitha atyre me aftësi të mëdha hapësinore” ta parandalojnë “kërcënimin ose përdorimin e forcës” në hapësirë. Një projekt-rezolutë e dytë e mbështetur nga Rusia që e përfshinte atë amendament, është refuzuar nga këshilli javën e kaluar, me SHBA-në që e ka quajtur atë “të pasinqertë”.
Çdo përpjekje e ardhshme për të rënë dakord mbi rregullat e hapësirës do të përballet me një perspektivë të ndërlikuar, thonë ekspertët.
Për shembull, vendosja në hapësirë e një arme bërthamore si ajo që raportohet për Rusinë, do të jepte sugjerime të gjera në mënyrën se si përdoret hapësira - dhe si kontrollohen armët, sipas Juliana Suessit, hulumtuese për sigurinë hapësinore në institutin e mbrojtjes me bazë në Londër- “RUSI”.
“Nëse Traktati i Hapësirës do të thyhej në një mënyrë të tillë, kjo do ta bënte edhe më të vështirë të imagjinohet se ku mund të shkojnë përpjekjet shumëpalëshe nga këtu”, ka thënë Suessi.