Botë

Kina dhe Mbretëria e Bashkuar rinisin bisedimet për ekonomi pas gjashtë vjetëve

kina

Foto: Associated Press

Kina dhe Mbretëria e Bashkuar kanë arritur marrëveshje të re pasi kanë rifilluar bisedimet për financa dhe ekonomi, të shtunën gjatë një vizite nga udhëheqësja e Thesarit të Britanisë në Pekin, pas gjashtë vjetësh mungesë takimesh, raporton Associated Press.

Rachel Reeves ka udhëtuar për Pekin e shoqëruar nga një delegacion i biznesmenëve britanikë dhe zyrtarëve të financave.

Ajo u takua me liderët kinezë duke përfshirë zëvendëskryeministrin He Lifeng dhe zëvendëspresidentin Han Zheng.

Të dyja palët rifilluan dialogun ekonomik dhe financiar që nga viti 2019 kur u suspenduan si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe përkeqësimit të marrëdhënieve.

Londra shpreson se rifillimi i bisedimeve do të ndihmojë të largohen barrierat që bizneset britanike hasin gjatë zgjerimit të eksportit në Kinë.

Reeves ka thënë se rifillimi i dialogut do t’i shtojë ekonomisë së Britanisë rreth 730 milionë dollarë gjatë pesë vjetëve të ardhshme.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Britanisë janë përkeqësuar si pasojë e dyshimeve të dyanshme për spiunazh. Kina mbështet Rusinë në luftën ndaj Ukrainës si dhe disa shkelje të të drejtave të njeriut në Hong Kong, ish-koloni britanike.

Vizita e Reevesit vjen pasi sekretari i Jashtëm David Lammy udhëtoi në Kinë në tetor dhe kryeministri Keir Starmer u takua me presidentin kinez Xi Jinping në prapavijat e samitit të G20-s në Brazil në nëntor.

Është e gjitha një nismë e Starmerit, i zgjedhur si kryeministër në qershor, për të fuqizuar lidhjet ekonomike dhe politike me Kinën, partneri i katërt tregtar i Britanisë.

Liderët politikë britanikë dhe shefat e inteligjencës kanë paralajmëruar vazhdimisht se Kina përbën kërcënime për sigurinë.

Përgatiti: Shkëlzen Dema