Ish-gazetar i medias shtetërore kineze, Dong Yuyu, 62 vjeç, të premten është dënuar me shtatë vjet burgim për spiunazh. Këtë e kanë konfirmuar për BBC-në familja e tij.
Ai ishte arrestuar në vitin 2022 dhe para asaj ishte aktiv në qarqet akademike dhe gazetareske në SHBA dhe Japoni dhe takohej rregullisht me diplomatë të huaj.
Ditën që u arrestua ai ishte duke drekuar me një diplomat japonez në Pekin.
Në kohën e ndalimit të tij, Dong kishte qenë anëtar i lartë i stafit të “Guangming Daily”, një nga pesë gazetat kryesore të lidhura me Partinë Komuniste Kineze.
Në një deklaratë, familjarët e tij thanë se sipas vendimit të gjykatës, dy diplomatë japonezë me të cilët Dong u takua u cilësuan si "agjentë të një organizate spiunazhi". Sipas tyre ajo organizatë ishte Ambasada e Japonisë.
“Jemi të shokuar që autoritetet kineze e konsiderojnë në mënyrë flagrante një ambasadë të huaj si ‘organizatë spiunazhi’”, thuhet në deklaratën e familjes së tij.