Botë

Kimi e quan “shok të ngushtë” Putinin

Vladimir Putin & Kim Jong Un

Vladimir Putin & Kim Jong Un

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i ka dërguar mesazh për ditëlindje presidentit rus Vladimir Putin, duke e quajtur si “shokun e tij më të ngushtë”.

Kim, duke uruar Putinin për ditëlindjen e 72-të, shtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve do të ngrihen në një nivel të ri.

Marrëdhëniet midis Phenianit dhe Moskës janë thelluar që nga fillimi i luftës në Ukrainë – një veprim që ka shqetësuar Perëndimin.

Të martën, Kimi ka thënë se Pheniani do të përshpejtojë hapat për ta bërë vendin superfuqi ushtarake me armë bërthamore.

Sipas “Yonhap News”, Kim vlerësoi marrëdhëniet midis të dy vendeve, duke thënë se ishin bërë “të pathyeshme dhe të përjetshme”, që nga vizita e Putinit në Phenian në qershor.

“Takimet dhe lidhjet miqësore mes nesh... do të japin kontribut pozitiv për konsolidimin e mëtejshëm të themelit të përjetshëm të miqësisë DPRK-Rusi”, shtoi ai, duke iu referuar Koresë së Veriut me emrin e saj zyrtar, Republika Popullore Demokratike e Koresë.

Marrëdhënia midis Koresë së Veriut dhe Rusisë ka dekada të tëra - te Stalini dhe Kim Il-sung, gjyshi i Kimit. Bashkimi Sovjetik e mbështeti Korenë e Veriut në ditët e para me armë dhe teknologji, dhe Pheniani kurrë nuk ka dashur të mbështetet plotësisht te Kina – të cilës nuk i beson.

Në fillim të këtij viti, Putini dhe Kimi nënshkruan marrëveshje duke u zotuar se do të ndihmonin njëri-tjetrin në rast të “agresionit” kundër secilit vend - megjithëse ishte e paqartë se çfarë do të përbënte agresion.