Kievi do të propozojë një armëpushim ajror dhe detar me Rusinë gjatë bisedimeve me zyrtarët amerikanë në Arabinë Saudite të martën, ka thënë një zyrtar ukrainas për AFP-në, teksa presidenti Volodymyr Zelensky është nisur tashmë për në mbretëri.
Këto diskutime nga e marta do të jenë takimi i parë Ukrainë-SHBA që nga tensioni në Shtëpinë e Bardhë midis Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump më 28 shkurt, që ka çuar në ndalimin nga Uashingtoni të ndihmës ushtarake për Kievin, raporton The Guardian.
“Ne kemi një propozim për një armëpushim në qiell dhe armëpushim në det”, ka thënë zyrtari për AFP, duke folur në kushte anonimiteti.
"Sepse këto janë opsionet e armëpushimit që janë të lehta për t'u instaluar dhe monitoruar dhe është e mundur të fillohet me to”, ka arsyetuar ai.
Propozimi për armëpushimin ajror dhe detar është prezantuar fillimisht nga presidenti francez Emmanuel Macron, pas samitit të Londrës më shumë se një javë më parë.
Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë do të takohen të martën për të kërkuar një rrugëdalje nga konflikti më shumë se tre vjet që kur Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë.