Botë

Khamenei as optimist e as pesimist rreth bisedimeve për programin nuklear me SHBA-në

Ayatollah Ali Khamenei

Foto: Associated Press

Lideri suprem i Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë të martën se nuk është “as shumë optimist e as pesimist” rreth bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për programin nuklear të Teheranit zyrtar.

“Ne nuk jemi as shumë optimistë e as pesimistë në lidhje me këtë. Para së gjithash, është një proces që është vendosur dhe hapat e parë janë zbatuar mirë”, ka thënë Khamenei në një takim me ligjvënës.

Nëse Irani dështon të arrijë marrëveshje me presidentin amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund konfliktit që ka zgjatur për disa dekada, atëherë kjo mund ta dëmtojë Republikën Islamike, kanë thënë politikanë iranianë dhe burime të brendshme për agjencinë e lajmeve Reuters.

Si rezultat i bisedimeve në fundjavën e kaluar midis Teheranit dhe Washingtonit në Oman, i cili u përshkrua si pozitiv nga të dyja palët, u arrit pajtim për një takim të ri më 19 prill.

Valuta iraniane (rial) ka pësuar rritje prej 20 për qind kundrejt dollarit ditëve të fundit. Shumë qytetarë iranianë shpresojnë se marrëveshja do t’i japë fund izolimit ekonomik të vendit.