Sulmet ruse në një spital të madh të fëmijëve në Kiev po diskutohen në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën, pas bombardimeve më të rënda të Rusisë në Kiev në pothuajse katër muaj.
"Këto incidente janë pjesë e një modeli thellësisht shqetësues të sulmeve sistematike që dëmtojnë kujdesin shëndetësor dhe infrastrukturën tjetër civile”, ka thënë Joyce Msuya, nënsekretari i përgjithshëm në detyrë për çështjet humanitare, raporton AP.
Sulmet goditën shtatë nga 10 lagjet e kryeqytetit. Ndërkaq, sulmi në spitalin e fëmijëve më të madh të fëmijëve në Kiev ndodhi derisa aty po trajtoheshin 627 pacientë, sipas ministrit të Shëndetësisë së vendit.
Msuya ka thënë se pas sulmeve, reaguesit e parë gjetën se fëmijët që po trajtoheshin për kancer në shtretërit e spitalit ishin vendosur në parqe dhe në rrugë pas sulmit.
Autoritetet po punojnë për të rikthyer furnizimin me energji dhe ujë të spitalit pasi administratorët e qytetit të Kievit shpallën të martën një ditë zyrtare zie.
Rusia mohoi përgjegjësinë për sulmin në spital, duke këmbëngulur se nuk sulmon objektivat civilë në Ukrainë, pavarësisht provave të shumta për të kundërtën.