Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka planifikuar të votojë të premten për anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB, një lëvizje që aleati i Izraelit, Shtetet e Bashkuara, pritet ta bllokojë sepse do të njihte në mënyrë efektive një shtet palestinez.
Këshilli prej 15 anëtarësh do të votojë të premten mbi projekt-rezolutën që i rekomandon Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh që “Shteti i Palestinës të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, kanë bërë të ditur diplomatët.
Për të kaluar, projekt-rezoluta ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga SHBA-ja, Britania, Franca, Rusia apo Kina. Diplomatët kanë thënë se rezoluta pritet të ketë mbështetjen e deri 13 anëtarëve të këshillit, gjë që do të detyronte SHBA-në të përdorte veton e saj, raporton Reuters.
Anëtarja e Këshillit, Algjeria, e cila parashtroi projekt-rezolutën, kishte kërkuar votimin për të enjten pasdite, në mënyrë që të përkonte me takimin e Këshillit të Sigurimit për Lindjen e Mesme, ku do të marrin pjesë disa ministra.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se krijimi i një shteti të pavarur palestinez duhet të bëhet përmes negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet palëve dhe jo në Kombet e Bashkuara.
Palestinezët janë aktualisht një shtet vëzhgues, jo-anëtar i OKB-së, një njohje de facto e shtetësisë që u dha nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së prej 193 anëtarësh në vitin 2012. Por aplikimi për t’u bërë anëtar i plotë i OKB-së duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit dhe më pas nga të paktën dy të tretat e Asamblesë së Përgjithshme.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan të mërkurën e ka akuzuar Këshillin e Sigurimit se po e investon kohën e tij në promovimin e krijimit të një shteti terrorist palestinez.
“Nëse Këshilli i Sigurimit vendos të rekomandojë anëtarësimin e plotë për Autoritetin Palestinez, i cili nxit dhe financon terrorizmin dhe nuk ka kontroll mbi territorin e tij, ai do të humbasë të gjithë legjitimitetin”, është shprehur Erdan.
Komiteti i Këshillit të Sigurimit për pranimin e anëtarëve të rinj, i përbërë nga të 15 anëtarët e këshillit, është takuar dy herë javën e kaluar për të diskutuar kërkesën për anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB.
Anëtarësimi në OKB është i hapur për “shtetet paqedashëse” që pranojnë detyrimet e Kartës së OKB-së dhe që janë të afta dhe të gatshme t’i zbatojnë ato.