Botë

Kërcënimet me të cilat përballet qyteti ukrainas Sumy

Sulmi rus ne Sumy

Foto: Associated Press

Sumy gjendet vetëm rreth 30 kilometra larg nga kufiri i rajonit Kursk të Rusisë, ku ushtarët ukrainas po mbrojnë pjesën e fundit të territorit që morën gjatë një ofensive të papritur verën e kaluar. Banorët thonë se ka pasur sulme më të shpeshta ndaj Sumyt në javët e fundit, megjithëse jo aq të përgjakshme sa sulmi ajror i së dielës së 13 prillit, i cili cak pati një kryqëzim të ngarkuar. Sulmet ndaj qyteteve të tyre i kanë lënë shumë ukrainas me frikën se ku do të ndodhë sulmi i radhës dhe kanë hedhur hije mbi bisedimet e vazhdueshme për armëpushim, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara

Rutina e jetës së përditshme në Sumy përfshin edhe kërcënimin e vazhdueshëm të vdekjes, me të cilin njerëzit e saj kanë jetuar qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës tre vjet më parë.

Ditë pasi Rusia shënjestroi qendrën e qytetit në sulme të njëpasnjëshme me raketa, duke lënë të vrarë 35 persona dhe duke plagosur më shumë se 100 të tjerë në sulmin më vdekjeprurës ndaj civilëve ukrainas këtë vit, fqinjët bënin thashetheme para bllokut të apartamenteve të tyre derisa fëmijët luanin futboll në oborr. Ata ndaluan dhe ngritën kokën vetëm kur dëgjuan dronët sulmues dhe zhurmën e njohur të mbrojtjes ajrore ukrainase përpara se të vazhdonin atë që po bënin. 

Sumy gjendet vetëm rreth 30 kilometra larg nga kufiri i rajonit Kursk të Rusisë, ku ushtarët ukrainas po mbrojnë pjesën e fundit të territorit që morën gjatë një ofensive të papritur verën e kaluar. Banorët thonë se ka pasur sulme më të shpeshta ndaj Sumyt në javët e fundit, megjithëse jo aq të përgjakshme sa sulmi ajror i së dielës i 13 prillit, i cili cak pati një kryqëzim të ngarkuar. 

Sulmi në Sumy, i cili kishte një popullsi prej rreth 250 mijë banorësh para luftës, ndodhi pak më shumë se një javë pasi një sulm me raketa ruse la të vrarë rreth 20 persona, përfshirë nëntë fëmijë, në qytetin Kryvyi Rih të Ukrainës qendrore. Rusia deklaroi se në shënjestër kishte disa ushtarë, por nuk ka prova që mbështesin këtë pretendim.

Sulmet ndaj qyteteve të tyre i kanë lënë shumë ukrainas me frikën se ku dhe kur do të ndodhë sulmi i radhës dhe kanë hedhur hije mbi bisedimet e vazhdueshme për armëpushim, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Bisedimet kanë dhënë vetëm rezultate të zbehta, pasi Rusia këmbëngul në kushte që Ukraina i konsideron të pamundura dhe Kievi beson se forcat e Moskës po përgatiten për një ofensivë të re.

Sulmi shkatërrues

Për banorët e Sumyt, bisedimet duken shumë abstrakte krahasuar me jetën e tyre të përditshme.
Derisa disa nga viktimat e sulmit të së dielës u varrosën të martën, Viktor Voitenko, 56 vjeç, përshkroi se si përfundoi i paralizuar në një shtrat spitali. Ai po punonte si rojë sigurie kur raketa e dytë goditi aty pranë dhe ia dëmtoi rëndë shtyllën kurrizore. Ndërkohë që ai fliste, gruaja e tij Hanna, 40 vjeçe, ia aplikoi me dashuri deodorantin, një veprim i thjeshtë që ai nuk mund ta kryente më vetë.

Përmendja e negociatave të armëpushimit i shkaktoi një buzëqeshje të lodhur. 

“Janë bisedime boshe. Nuk të çojnë askund. Më duket se janë marrëdhënie me publikun”, tha Hanna Voitenko. “Asgjë nuk ndodh që t’u sjellë ngushëllim njerëzve të zakonshëm”.

Burri i saj dha mendimin e tij: “Ata po fitojnë kohë”.

Puna, të përditshmet dhe vizitat e planifikuara familjare, i çuan viktimat e sulmit në kryqëzimin e rrugës “Petropavlivska” e tek universiteti, të dielën në mëngjes.

Asia Pohorila, 20 vjeçe, ishte duke punuar në një kafene dhe po mendonte nëse do të blinte ëmbëlsira pas turnit të saj kur sulmi i parë me raketa e la në gjendje shoku tek i rridhte gjak me shumicë nga këmbët.

Një adoleshent hero

Maryna Illiashenko dhe djali i saj 13-vjeçar, Kyrylo, dëgjuan zhurmën e shpërthimit të parë në qendër të qytetit derisa prisnin autobusin.

Ata ishin nisur që të vizitonin gjyshen e tij, por adoleshenti ishte më i emocionuar për stërvitjen e mundjes më vonë atë pasdite. Të patrembur, ata hipën në autobusin i cili mbërriti disa minuta më vonë. Sapo kaluan një stacion, raketa e dytë u përplas disa metra larg automjetit, duke djegur makinat aty pranë, duke djegur pasagjerët të gjallë, duke lënë të vrarë shoferin e autobusit dhe duke shkaktuar mbetje të shumta të predhave. Tri fragmente të këtyre mbetjeve ia shqyen kokën Kyrylos dhe ia gërvishtën fytyrën Marynas.

Mes tymit dhe copëzave të predhave, adoleshenti kërceu nga dritarja e thyer e autobusit dhe hapi derën e mbyllur nga jashtë, duke shpëtuar dhjetëra pasagjerë të bllokuar brenda, thanë dëshmitarët.

“Nuk dua ta mendoj këtë si një lloj të ri realiteti për qytetin e Sumyt. Mund ta shohim qartë se qytetet tona në vijën e frontit po zhduken”, tha Oleh Strilka, zëdhënës i Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të qytetit, ndërkohë që qëndronte jashtë ndërtesës së shembur të Universitetit, ku raketa e dytë goditi.

“Gjëja më e dhimbshme për mua janë fëmijët tanë. Pse duhet të vuajnë?” pyeti ai. “Nuk dua që fëmijët tanë 13-vjeçarë të bëhen heronj”.

Liudmyla Shelukhina, 70 vjeçe, po priste në shtëpinë e një fqinji për të prerë flokët. Ajo po qëndronte në radhë në kuzhinë kur dritaret u thyen papritmas.

Ajo tha se frigoriferi pranë të cilit ishte ia shpëtoi jetën. 

“Do të më ishte copëtuar koka”.

“Mos u bëj kaq dramatike”, bëri shaka burri i saj, Viktori, ish-ushtar. 

Djali i tyre u shtrua në spital si pasojë e sulmit.

Sfidat e reaguesve të parë

Reaguesit e parë, si Dmytro Shevchenko, 31 vjeç, duhet të jenë të përgatitur për të shkuar në vendin e sulmit të ardhshëm në çfarëdo kohe. Ai ishte ndër të parët që mbërriti në mjediset e universitetit të dielën. Shumica e njerëzve që gjeti ishin shumë të plagosur për t’ua dhënë ndihmën e parë, tha ai, duke fshirë lotët.

Ai ka pak shpresë se bisedimet për armëpushim do të japin fryte. “Thjesht nuk besoj në këtë”, tha ai.
Spitali i fëmijëve ku po trajtohet Kyrylo Illiashenko mban shenjat e sulmeve të përsëritura me dronë. Më shumë se 100 dritare u thyen vetëm dy javë më parë kur një sulm masiv me dronë goditi një zonë aty pranë, tha doktori Ihor Zmislya.

Derisa punëtorët po pastronin mbetjet e rrënojave nga vendet që ishin sulmuar me raketa dhe Kyrylo po shpjegonte lojërat e tij të preferuara kompjuterike, një shpërthim u dëgjua në distancë. Nga dritarja e spitalit ku ishte i shtrirë adoleshenti, re tymi shiheshin duke u ngritur nga një linjë hekurudhore aty pranë.

“Ky është realiteti ynë”, tha Zmislya. “Ndodh gjatë gjithë kohës”.