Botë

Keqinformimi rreth vaksinave dhe përhapja e fruthit në Teksas

Keqinformimi rreth vaksinave dhe përhapja e fruthit në Teksas

Më shumë se 400 raste të fruthit janë konfirmuar vetëm në Teksas midis janarit dhe marsit, duke tejkaluar numrin e përgjithshëm të regjistruar në mbarë vendin në vitin 2024, i cili ishte vetëm 285. 40 prej këtyre infeksioneve kanë rezultuar në shtrime në spital. Një fëmijë në qytetin e Lubbockut ka vdekur - duke shënuar vdekjen e parë nga fruthi kudo në SHBA në një dekadë

Therissa Grefsrud ende e mban mend emailin. Pandemia e COVID-19 kishte shpërthyer para gati një viti dhe një grua e kishte kontaktuar për të pyetur për vaksinat: A do të shkaktonin ato infertilitet tek ajo apo tek fëmijët e saj të ardhshëm?

Grefsrud, infermiere e specializuar në parandalimin e infeksionit, kishte dëgjuar shqetësime të tilla më parë. Por studimet nuk tregojnë asnjë lidhje midis infertilitetit dhe vaksinimit të çfarëdo lloji.

Megjithatë, Grefsrud shkëmbeu mesazhe me gruan, ndërsa ajo tregonte drojën e vet. Pastaj ajo e drejtoi atë drejt fakteve.

“Ajo erdhi tek unë rreth një muaj më vonë dhe më tregoi se sa mirënjohëse ishte për mua që e dëgjova problemin e saj”, tha Grefsrud. Gruaja gjithashtu i tregoi se tani ishte vaksinuar.

E pas katër vjetësh, Grefsruf është një ndër profesionistët e kujdesit shëndetësor në Tekses që po përballet me një shpërthim të ri: fruthin.

Virusi është një nga sëmundjet më ngjitëse në planet. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Shteteve të Bashkuara (CDC) vlerëson se, nëse një person e ka atë, mund të infektojnë nëntë nga 10 persona në afërsi të tij.

Vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar sëmundjen dhe ekspertë si Grefsrud thonë se bisedat empatike janë të nevojshme për të rritur ndërgjegjësimin.

Por ata thonë se dezinformimi i shfrenuar e ka bërë më të vështirë arritjen e këtyre llojeve të bisedave.

“Zyrtarët e shëndetit publik nuk janë të aftë në luftën e informacionit”, tha Jennifer Nuzzo, drejtoreshë e Qendrës Pandemike të Universitetit Brown.

“Ata duhet t’i bëjnë njerëzit të kuptojnë rëndësinë dhe vlerën e vaksinimit, por lufta kundër fushatave dezinformuese nuk është ajo që na mësohet në shkollat ​​e shëndetit publik”, shton ajo.

Vdekja e një fëmije

Nuzzo e quan shpërthimin aktual “një tragjedi të madhe”.  Vetëm 25 vjet më parë, fruthi ishte shpallur i eliminuar në SHBA, falë vaksinimit.

Tani, më shumë se 400 raste të fruthit janë konfirmuar vetëm në Teksas midis janarit dhe marsit, duke tejkaluar numrin e përgjithshëm të regjistruar në mbarë vendin në vitin 2024, i cili ishte vetëm 285.

Dyzet prej këtyre infeksioneve kanë rezultuar në shtrime në spital. Një fëmijë në qytetin e Lubbockut ka vdekur - duke shënuar vdekjen e parë nga fruthi kudo në SHBA në një dekadë.

Ekspertët paralajmërojnë se shpërthimi në Teksasis mund të ketë shkaktuar më shumë raste edhe në shtetet e afërta. Vetëm këtë muaj, New Mexico raportoi një vdekje të dytë të lidhur me fruthin në Lea County, në kufi me Teksasin.

Fruthi, megjithëse është shumë infektiv, ka një shkallë relativisht të ulët të vdekjeve. CDC-ja vlerëson se, për çdo 1000 fëmijë të pavaksinuar që infektohen me virusin, vetëm një deri në tre do të vdesin.

Por kjo do të thoshte se qindra fëmijë vdisnin çdo vit përpara se vaksinimi të  përhapej. Në atë kohë, deri në katër milionë pacientë infektoheshin çdo vit. Dhe të mbijetuarit mund të pësojnë komplikime afatgjata, duke filluar nga humbja e shikimit dhe dëgjimit deri te dëmtimi i trurit.

Megjithatë, zyrtarët, përfshirë Sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F Kennedy Jr, janë akuzuar për minimizimin e shpërthimit - dhe nxitjen e frikës nga vaksinimi.

Në një paraqitje në muajin mars në Fox News, Kennedy paralajmëroi se vaksina për të parandaluar fruthin mund të ketë efekte anësore vdekjeprurëse, megjithëse është provuar në mënyrë të përsëritur të jetë e sigurt.

“Ka ngjarje negative nga vaksina. Ajo shkakton vdekje çdo vit”, tha Kennedy. “Shkakton të gjitha sëmundjet që shkakton vetë fruthi”.

Në vend të kësaj, Kennedy promovoi përdorimin e suplementeve të vitaminës A, të cilat nuk parandalojnë fruthin. Vetëm vaksinimi mund ta bëjë këtë. Ai madje sugjeroi se marrja e fruthit mund të ishte në vetvete një linjë mbrojtjeje.

“Dikur, kur ju dhe unë ishim fëmijë, të gjithë prekeshin nga fruthi”, tha Kennedy, 71 vjeç. “Dhe fruthi ju dha mbrojtje të përjetshme kundër infeksionit të fruthit”.

Një valë projektligjesh

Përhapja e fruthit në Teksas vjen pas një tendence në rritje për legjislacion kundër vaksinave.

Vaksinimi ishte kusht i detyrueshëm për pjesëmarrje në shkollat ​​publike të Teksasit. Por në vitin 2003, u miratua një amendament që zbuti kufizimet.

Më parë, prindërit nga Teksasi mund të hiqnin dorë nga vaksinimi vetëm për arsye shëndetësore ose fetare. Por ligji i 2003-s krijoi një kategori të re për përjashtimin e vaksinave: “arsye ndërgjegje”.

Që atëherë, ligjvënësit e Teksasit kanë prezantuar një sërë projektligjesh që do ta bënin më të lehtë për prindërit të heqin dorë nga injeksionet si vaksina për fruthin ose sëmundje tjera.

Vetëm këtë vit, dhjetëra ligje janë propozuar, duke përfshirë një projektligj për ta bërë më të lehtë qasjen në formularët e përjashtimit dhe një tjetër për të kufizuar shtetin nga mbledhja e të dhënave për kërkesat e përjashtimit.

Vërshimi i ligjeve pasqyron rritjen e skepticizmit publik. Në Teksas, shkalla e përjashtimeve nga vaksinat është dyfishuar në 10 vjetët e fundit, i tha Al Jazeeras Donna Howard, infermiere dhe ligjvënëse.

Shumë nga projektligjet antivaksinë të Teksasit sponsorizohen nga republikanët. Howard ka qenë një demokrate në legjislaturën e shtetit, e cila dominohet nga republikanët, që nga viti 2006. Për të, puna në bashkëpunim me palën tjetër nuk është një mundësi, por një nevojë. “Është ndërtimi i marrëdhënieve, është ndërtimi i respektit dhe besimit, dhe është përpjekja për të gjetur gjuhë të përbashkët. Gjetja e pikave të përbashkëta është bërë më e vështirë, por jo e pamundur”, tha Howard.

Në kërkim të informacioneve të sakta

Pjesë e problemit është perceptimi. Vaksina kundër fruthit ka ekzistuar që nga viti 1963. Rastet e shpërthimeve janë zvogëluar kryesisht që nga ajo kohë. Si pasojë, doktori Philip Huang thekson se shumica e mjekëve, përfshirë edhe veten e tij, nuk kanë parë kurrë një rast fruthi. Huang drejton departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore për Qarkun e Dallasit, që ndodhet rreth 644 kilometra larg komunitetit Menonit në Teksasin perëndimor, ku duket se ka nisur shpërthimi aktual i fruthit. “Jemi shumë të angazhuar, edhe nëse nuk jemi në mes të ngjarjeve,” tha Huang. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e empatisë dhe kuptimit në adresimin e skepticizmit ndaj vaksinave. Huang tha se ai dhe ekipi i tij janë vazhdimisht në kërkim të “përcjellësve të besuar”: liderë lokalë të kishave, bizneseve dhe komunitetit, të cilët kanë besimin e fqinjëve të tyre. Ata janë më të pozicionuar për të depërtuar nëpërmjet zhurmës me informacion të besueshëm dhe të bazuar në fakte rreth vaksinave. “Po përpiqemi vazhdimisht të adresojmë disa nga informacionet e pasakta dhe dezinformatat,” tha Huang, duke shtuar se “është ende shumë e vështirë.”

Vickie Parker, një grua 72-vjeçare që është rritur në San Antonio, Teksas, ka “punuar në çdo lloj institucioni shëndetësor që mund të imagjinoni”. Por përvojat e saj duke dëshmuar sëmundje që mund të parandaloheshin i kanë mësuar asaj rëndësinë e vaksinimit. Ajo tha se është e pamundur të mos e mendojë atë kur përballet me rritjen e rasteve të fruthit sot. Një nga kujtimet e saj më traumatike të fëmijërisë është kur pa një vajzë të re me poliomielit të futur në një aparat që ndihmon për funksionimin e mushkërive.

“Ajo dukej se ishte ndoshta 12 ose 13 vjeçe”, tha Parker. Mund të shihnit trupin e saj të vogël, të dobët, me muskujt e saj të paralizuar të frymëmarrjes”.

Që atëherë, vaksinimi pothuajse e ka zhdukur poliovirusin. Por imazhi i vajzës në aparat i ka mbetur Parkerit në mendje për dekada.

Ajo tha se është e pamundur të mos mendosh për këtë kur përballemi me rritjen e sotme të rasteve të fruthit.

Përkeqësimi nga Covid -19

Në punën e saj në spitale ose në kujdesin shëndetësor në shtëpi, Parker shpjegoi se shpesh ka folur me pacientët për rëndësinë e vaksinave. Disa dëgjojnë. Shumë jo.

Ndërsa Parker ka dëgjuar shumë dezinformata dhe keqinformime gjatë viteve, ajo tha se pandemia COVID-19 i ka përkeqësuar gjërat.

Rekha Lakshmanan vërejti diçka të ngjashme. Ajo është zyrtarja kryesore strategjike për The Immunization Partnership, një organizatë joqeveritare me bazë në Hjuston që synon të zhdukë sëmundjet e parandalueshme.

Ajo argumentoi se Teksasi ka qenë prej kohësh një vend i keqinformimit për vaksinat.

Thashethemet e rreme vërshuan internetin, duke paralajmëruar se vaksinat mund të ndryshojnë ADN-në ose t'i bëjnë njerëzit infertilë. Disa teori konspirative madje parashtruan se vaksina mund të përdoret për të implantuar çipe në trupat e pacientëve.

Jo të gjithë skeptikët e vaksinave e besojnë keqinformimin. Siç e sheh Lakshmanan, ka nga ata që nuk mund të binden për të marrë një vaksinë, pavarësisht nga të dhënat që ju prezantoni.

Ajo shpjegoi se prindërit shpesh shoshitin një mori dezinformatash, duke u përpjekur të kuptojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë jo.

Për shembull, organizata kundër vaksinave “Children's Health Defense” botoi kohët e fundit një faqe interneti që kishte një ngjashmëri të jashtëzakonshme me materialet e publikuara nga CDC-ja.

Por faqja e saj ishte e mbushur me dezinformata rreth vaksinave. Kennedy, i cili shërbeu si udhëheqës në organizatë përpara se të bashkohej me qeverinë, në fund urdhëroi organizatën ta mbyllte faqen.