Botë

KE-ja kritikon Hungarinë, Italinë e Sllovakinë për sundim të ligjit

Komisioni Evropian

Komisioni Evropian kritikoi zhvillimin e sundimit të ligjit në Hungari, Itali dhe Sllovaki, por mirëpriti reformat në Poloni dhe Spanjë, gjatë prezantimit të mërkurën të gjendjes së institucioneve themelore demokratike në Bashkimin Evropian.

"Mbrojtja e shtetit të së drejtës është një punë e vazhdueshme”, u ka thënë gazetarëve nënpresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova në një konferencë shtypi në Bruksel. 

"Ne shohim se nevojiten veprime të mëtejshme, veçanërisht kur ndodhin çështje sistemike dhe kthim prapa në disa vende”, ka shtuar ajo, raporton AP.

Vendet e BE-së kishin adresuar plotësisht ose pjesërisht 68% të rekomandimeve të dhëna nga Komisioni Evropian në vitin 2023, zbuloi dega ekzekutive e BE-së në raportin e fundit vjetor mbi gjendjen e gjyqësorit, përpjekjet kundër korrupsionit, lirinë e shtypit dhe shoqërinë civile, në secilin nga 27 shtetet anëtare.

Por Hungaria, për shembull, nuk kishte bërë përparim në zbatimin e asnjë prej shtatë rekomandimeve të reformës, të përcaktuara nga Komisioni Evropian vitin e kaluar.

“Hungaria është një çështje reale sistematike për Komisionin në lidhje me sundimin e ligjit”, ka thënë Komisioneri Evropian për Drejtësi, Didier Reynders.

Jourova ka folur edhe për zhvillimet në Itali të mërkurën. 

"Ne shprehëm shqetësime në lidhje me pavarësinë dhe financimin e mediave të shërbimit publik”, ka thënë zyrtari çek i BE-së.

Në maj, gazetarët në transmetuesin shtetëror të Italisë "RAI" hynë në grevë për të protestuar kundër riorganizimit të buxhetit dhe asaj që ata e panë si një atmosferë gjithnjë e më represive për median, nën qeverinë e kryeministres, Giorgia Meloni.

“Ne kemi shprehur nevojën për masa mbrojtëse për vite me radhë, por me incidentet e reja të raportuara nga palët e interesuara dhe shkurtimet e buxhetit, kjo po bëhet shumë urgjente”, është shprehur Jourova.

Ndërkaq Sllovakia, nën qeverinë e kryeministrit populist Robert Fico, mori gjithashtu një notë të dobët të mërkurën. Sipas shtatë prej rekomandimeve të përcaktuara në raportin e vitit të kaluar, nuk kishte pasur vetëm "pak përparim" në një prej tyre.

Zyrtarët e lartë të BE-së vlerësuan përparimin në Varshavë dhe Madrid.