Botë

Katër të vdekur pas një aksidenti me teleferik në Itali

teleferik-itali

Foto: Associated Press

Katër persona kanë vdekur kur një kabinë e teleferikut ra në tokë afër Napolit në jug të Italisë, të enjten. Prokurorët kanë hapur hetimet për “vrasje të mundshme”, ka raportuar “The Guardian”. 

Një grua nga Britania, operatori italian i teleferikut dhe një izraelite janë në mesin e viktimave të aksidentit. Ndërsa një burrë tjetër izraelit, është hospitalizuar në Ponticelli me lëndime të rënda. Sipas spitalit, gjendja e burrit i cili ishte intubuar dhe kishte fraktura në gjymtyrët e tij të poshtme, ka qenë stabile pavarësisht seriozitetit të lëndimeve dhe testeve që duhet të kryej. 

Në kohën e aksidentit në teleferik kanë qenë duke operuar dy kabina. Ajo që u aksidentua ka qenë duke udhëtuar për në mal, derisa 16 persona janë shpëtuar nga kabina që ka qenë duke u kthyer poshtë dhe është ndalur në mes të rrugës. 

Mediat italiane kanë raportuar se një nga kabllot që mbështeste kabinën është shkëputur. Shërbimi i teleferikut, që ka është hapur për sezonet e verës dhe pranverës, 10 ditë më parë, ka pasur një kontroll mirëmbajtjeje një javë më herët. 

Vincenzo De Luca, kryetar i rajonit Campania rreth Napolit, ka njoftuar se operacionet e shpëtimit janë penguar nga mjegulla dhe erërat e mëdha, që të enjten kanë arritur 100 km/h.

Banorët kanë dëgjuar një zhurmë të madhe para se të bie kabina sipas raportimeve. 

“Me të vërtetë ishte një situatë shumë e vështirë e motit, prandaj mund të imagjinoj çfarë mund të ketë ndodhur 1,500 metra mbi nivelin e detit. Por, e përsëris, kontrollet teknike duhet të bëhen me rigorozitetin më të madh”, ka deklaruar De Luca.