Të paktën katër persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e një sulmi rus në një ndërtesë banimi në verilindje të Ukrainës, natën e të mërkurës.
Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se nëntë të tjerë kanë mbetur të lënduar, raporton AP.
Droni "Shahed" ka goditur një mur dhe dritaret përreth në bllokun e apartamenteve në Sumy, pak pas orës 1 të mëngjesit, ka bërë të ditur administrata rajonale e Sumy.
Katër persona u shpëtuan nga rrënojat dhe një fëmijë ishte në mesin e të lënduarve, sipas administratës, e cila ka shtuar se 120 janë evakuuar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e quajti ngjarjen "një tragjedi të tmerrshme, një krim të tmerrshëm rus".
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila hyn në vitin e saj të katërt muajin e ardhshëm dhe nuk tregon shenja të përfundimit, ka lënë të vdekur më shumë se 10,000 civilë ukrainas, sipas Kombeve të Bashkuara.
Civilët janë përballur gjithashtu me vështirësitë e shkaktuara nga sulmet ruse në rrjetin elektrik që u kanë ndaluar ngrohjen dhe ujin e rrjedhshëm. Shumë prej tyre janë evakuuar nga zonat përgjatë vijës së frontit afërsisht 1,000 kilometra, ku mbrojtja ukrainase po sforcohet për të mbajtur nën kontroll ushtrinë më të madhe ruse.
Rusia lëshoi më shumë se 80 dronë në Ukrainë gjatë natës, njoftuan forcat ajrore.
Në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, dronët rusë dëmtuan një spital dhe dy ndërtesa banimi, ka njoftuar kreu rajonal Oleh Kiper në Telegram.