Botë

Katër skenarë çfarë mund të ndodhë me Grenlandën

Donald Trump - Grenlanda

Donald Trump, që do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, s’e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake dhe ekonomike për të marrë nën kontroll Grenlandën. Çështja ka nxitur diskutime, ndërsa ekspertët kanë folur për skenarët se çka mund të ndodhë pas deklaratave të Trumpit

Në javët e fundit, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shprehur interesim për ta marrë Grenladën nën kontroll, një territor autonom i Danimarkës në Arktik dhe ishulli më i madh në botë.

Në vitin 2019, ai pati shprehur interesim për të blerë ishullin, gjatë mandatit të tij të parë si president, por javëve të fundit shkoi më larg duke mos mohuar përdorimin e forcës ekonomike ose ushtarake për ta marrë ishullin nën kontroll. 

Zyrtarët danezë dhe evropianë janë përgjigjur duke thënë se ishulli nuk është për shitje dhe se integriteti territorial duhet të ruhet.

80 për qind e sipërfaqes së ishullit është e mbuluar në akull, por ka sasi të konsiderueshme të pasurive nëntokësore. Çfarë mund të ndodhë në këtë situatë të pazakontë në mes dy anëtarëve të NATO-s?
Si do të ndikojnë aspiratat e 56 mijë banorëve të Grenlandës për pavarësi pas 300 vjetëve kontroll nga Danimarka, në zgjidhjen përfundimtare të problemit?

Katër skenarë se si mund të jetë e ardhmja e Grenlandës:

Trumpi humb interesin, nuk ndodh asgjë

Janë disa spekulime që kjo lëvizje e Trumpit është vetëm blof, një lëvizje për të shtyrë Danimarkën për të shpenzuar më shumë në sigurinë e ishullit si pasojë e rritjes së kërcënimit nga influenca ruse dhe kineze në regjion.

Muajin e kaluar, Danimarka pati publikuar një pako të re ushtarake prej 1.5 miliardë dollarësh për Arktikun. Kjo pako ishte përgatitur orë para deklaratave të Trumpit, teksa ministri i Mbrojtjes së Danimarkës e ka përshkruar si “ironi e fatit”. 

“Çfarë ishte e rëndësishme në atë që Trumpi ka thënë, ishte se Danimarka duhet t’i përmbushë obligimet në Arktik ose duhet t’ia hapë rrugën SHBA-së”, ka thënë Elisabet Svane, korrespondentja kryesore politike për gazetën “Politiken”.

Marc Jacobsen, profesor në Kolegjin Mbretëror Danez të Mbrojtjes, beson se kjo është çështje në të cilën Trumpi “pozicionon veten para marrjes së detyrës” derisa Grenlanda është duke e përdorur momentin për ta ngritur autoritetin ndërkombëtar, si hap i rëndësishëm drejt pavarësisë. 
Edhe nëse Trumpi humb interesimin tani për Grenlandën, që profesori Jacobsen mendon se është skenari që do të ndodhë, ai gjithsesi e ka kthyer vëmendjen kah ky problem. 

Por pavarësia e Grenlandës ka qenë në agjendë për shumë vite, dhe ka diskutime e debat se mund të shkojë në drejtimin e kundërt. 

“Kam vërejtur gjatë ditëve të fundit se kryeministri i Grenlandës është më i qetë në komentet e tij, duke thënë se ne duam pavarësi, por në të ardhmen”, thotë Svane.

Grenlanda voton për pavarësi dhe zhvillon lidhje të ngushta me SHBA-në  

Është një konsensus i përgjithshëm në Grenlandë se pavarësia do të vijë në ndërkohë, dhe nëse Grenlanda voton për, Danimarka do ta pranojë dhe ratifikojë atë.

Gjithsesi, është e diskutueshme nëse Grenlanda do të votonte për pavarësi vetëm nëse populli garantohet që do të marrë shtesat nga Danimarka për të paguar për sistemin e shëndetësisë dhe mirëqenies.

“Kryeministri i Grenlandës mund të jetë i zëshëm tani, por nëse situata çon në referendum, atij do t’i duhet një plan se si ta shpëtojë ekonominë dhe sistemin e mirëqenies”, ka deklaruar Ulrik Gad, shkencëtar në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare.

Një hap i radhës mund të jetë aleancë e lirë – diçka e njëjtë sikur që SHBA-ja ka tani me shtetet e Paqësorit si Ishujt Marshall, Micronesinë dhe Palaun.

Danimarka ka refuzuar këtë status për të dyja Grenlandën dhe Ishujt Faroe, por sipas Dr. Gad, kryeministrja e tanishme Mette Frederiksen nuk është kategorikisht kundër saj.
“Pikëpamja historike e Danimarkës mbi Grenlandën është shumë më e mirë sesa ishte 20 vjet më herët’’, ka thënë ai, me Danimarkën që tashmë e ka pranuar përgjegjësinë koloniale. 
“Diskutimet e fundit mund të shtyjnë kryeministren të thotë – më mirë të mbajmë Danimarkën në Arktik, të mbajmë një lidhje me Grenlandën edhe nëse është lidhje e zgjatur’’, ka deklaruar ai. 
Por edhe nëse Grenlanda ndahet nga Danimarka, është bërë e qartë viteve të fundit se nuk mund të ndahet nga SHBA-ja. Amerikanët që nga lufta e dytë botërore nuk e kanë lënë tamam ishullin dhe e shohin si pjesë vitale për sigurinë e tyre.

Sipas marrëveshjes së vitit 1951, Danimarka e ruan sovranitetin bazë të ishullit, por SHBA-ja që nga ajo kohë mund të bënte çfarë të donte aty.

Gad ka thënë se zyrtarët e Grenlandës kanë qenë në kontakt me dy administratat e fundit të SHBA-së për rolin e Washingtonit. “Ata e dinë se SHBA-ja nuk do të largohet kurrë’’, ka thënë ai.

Trumpi vendos presion ekonomik  

Ka spekulime se retorika ekonomike e Trumpit është potencialisht kërcënimi kryesor ndaj Danimarkës – që SHBA-ja të vendosë tarifa të larta në produktet daneze ose edhe evropiane, për ta shtyrë Danimarkën për koncesione mbi Grenlandën. 

Profesori Jacobsen ka thënë se qeveria daneze ka qenë duke u përgatitur për atë, dhe jo vetëm si pasojë e territorit arktik.

Trumpi ka kërcënuar me tarifë 10% në të gjitha importet e SHBA-së, të cilat do të pengonin rritjen ekonomike në Evropë. Disa kompani daneze dhe evropiane tashmë janë duke konsideruar të investojnë për prodhim brenda Shteteve të Bashkuara. 

Opsionet për rritjen e tarifave përfshijnë vendosjen e Aktit Emergjent Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike (IEEPA), sipas Benjamin Cotes nga firma për të drejtën ndërkombëtare “Pillsbury”, që ka folur për uebfaqen “Marketwatch”.

Një nga industritë kryesore daneze që do të preket nga kjo do të jetë industria farmaceutike. SHBA-ja importon produkte si aparate dëgjimi si dhe shumicën e insulinës nga Danimarka, si ilaçin “Ozempic” ndaj diabetit, e prodhuar nga kompania daneze “Novo Nordisk”. 
Analistët kanë thënë se rritja e çmimeve që do të rezultonte nga këto masa, nuk do të gjente përkrahje publike në SHBA.

Trumpi pushton Grenlandën

“Opsioni nuklear” duket shumë larg, por për shkak të refuzimit të Trumpit për të larguar opsionin ushtarak, mund edhe të konsiderohet. 

Për SHBA-në nuk do të ishte e vështirë të marrë ushtarakisht kontrollin e ishullit, pasi SHBA-ja ka baza dhe shumë trupa në Grenlandë. 

“SHBA-ja de facto e kontrollon”, ka deklaruar profesori Jacobsen, duke shtuar se Trumpi nuk ishte i mirinformuar dhe se ai nuk e kupton qëllimin e deklaratave të Trumpit. 

Bazuar në këtë, përdorimi i forcës ushtarake nga Washingtoni do të krijonte një incident ndërkombëtar. 

“Nëse ata pushtojnë Grenlandën, ata pushtojnë NATO-n”, ka thënë Svane. “Aty mbaron, neni 5 hyn në fuqi dhe nëse një anëtar i NATO-s pushton NATO-n, atëherë nuk ka NATO’’. 
Gad ndërkohë ka thënë se Trumpi po tingëllon sikur presidenti kinez Xi Jinping duke folur për Tajvanin ose Vladimir Putini i Rusisë për Ukrainën. 

“Ai po thotë se është legjitime për ne që të marrim një pjesë toke”, ka thënë ai. “Nëse e marrim shumë seriozisht ky është një ogur i zi për të gjithë Aleancën Perëndimore’’.