Irlanda, Spanja dhe një numër i shteteve të tjera të Bashkimit Evropian janë duke shqyrtuar njohjen e shtetit palestinez më 21 maj, sipas një raporti të transmetuesit nacional të Irlandës.
RTE News ka raportuar të mërkurën mbrëma se kontaktet mes Dublinit dhe Madridit, dhe në mes të Sllovenisë dhe Maltës, janë intensifikuar në drejtim të njohjes së përbashkët të shtetësisë së Palestinës, raporton Reuters.
Sipas raportit, shtetet kanë qenë duke pritur për një votim nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 maj, e cila mund të çojë në njohjen e palestinezëve, si të kualifikuar për t'u bërë një anëtar i plotë i OKB-së.
Në një deklaratë të përbashkët më 22 mars, Spanja, Irlanda, Malta dhe Sllovenia thanë se kishin rënë dakord të hidhnin hapat e parë drejt njohjes së një shteti palestinez.
Spanja dhe Irlanda kanë qenë prej kohësh kampione të të drejtave të Palestinës.
Përpjekjet vijnë pasi një numër në rritje i vdekjeve në Gaza nga ofensiva e Izraelit për të shpartalluar Hamasin nxiti thirrjet globale për një armëpushim dhe zgjidhje të qëndrueshme për paqen në rajon.
Që nga viti 1988, 139 nga 193 shtete anëtare të OKB-së e kanë njohur shtetësinë palestineze. Izraeli ka thënë se plani i katër vendeve përbënte një "çmim për terrorizmin" që do të zvogëlonte shanset për një zgjidhje të negociuar të konfliktit të Gazës.