Botë

Katari pret vendimin e GJNP-së për liderët e Izraelit dhe Hamasit

Majed al-Ansari

Foto: Associated Press

Ministria e Jashtme e Katarit ka bërë të ditur të martën se do ta presë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) në lidhje me fletëarrestet për akterët kryesorë në luftën e Gazës, përpara se të ndërmarrë veprime, raporton agjencia “AP”.

Zëdhënësi i Ministrisë, Majed al-Ansari ka thënë se Katari është i përkushtuar ndaj të drejtës ndërkombëtare, edhe nëse nuk është anëtar i Statutit të Romës.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka kërkuar të lëshohen fletëarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe tre liderë të Hamasit, Yahya Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh, nën dyshimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Haniyeh, udhëheqësi suprem i grupit militant Hamas, jeton në Katar, i cili ashtu si Izraeli, nuk është anëtar i GJNP-së.

Katari ka qenë ndërmjetës kyç në tentimin e arritjes së një armëpushimi mes Izraelit e Hamasit. 
Al-Ansari ka njoftuar se së fundmi ka komunikuar me disa palë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, lidhur me negociatat për armëpushim.