Atje, jo shumë larg rrënojave madhështore romake në tempullin Bacchus, po pret Hussein Nassereldine, 42 vjeç, shtëpia e të cilit ishte shkatërruar nga një sulm izraelit një natë më parë. “Asnjë terrorist apo person i keq nuk ka jetuar këtu”, thotë ai. “Të gjithë ata që jetuan këtu ishin njerëz të mirë”. Ai thotë se ishte shtëpia e familjeve që kishin ikur nga Bejruti në vitin 1982 gjatë luftës civile, duke përfshirë edhe të tijën. “Ne kemi lindur këtu dhe kemi jetuar këtu, do të qëndrojmë e nuk do të ikim nga këtu”, thotë ai.
Në timonin e një ambulance, Samir El Chekieh e drejton makinën nën tingujt e sirenave duke vajtuar për sulmin e fundit ajror izraelit në El Karak, në Luginën Bekaa në Libanin lindor.
Zjarrfikësi 32-vjeçar dhe ndihmësmjeku i Forcave të Mbrojtjes Civile Libaneze (CDF) ka fjetur vetëm disa orë natën e kaluar. Tani është mesi i pasdites dhe ai ende nuk ka ngrënë mëngjes.
Që nga përshkallëzimi i luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut, myslimanët shiitë, burrat dhe gratë e CDF-së, nuk kanë pushim dhe përgatiten çdo ditë për një sulm me viktima të shumta.
Është krejtësisht ndryshe nga lufta e fundit me Izraelin në vitin 2006, thotë Samir.
“Ne nuk patëm ato lloj sulmesh ajrore. Kohët e fundit u godit një stacion zjarrfikës, një kishë në jug dhe kolegët tanë humanitarë janë vrarë”, tha Samir.
Punonjësit e CDF-së thonë se civilët, duke përfshirë gra dhe fëmijë, janë gjithnjë e më shumë në mesin e të vdekurve dhe të plagosurve në Liban.
Lufta midis Izraelit dhe Hezbollahut po përhapet në të gjithë Libanin.
Një fushatë intensive bombardimesh është zgjeruar përtej fshatrave kufitare jugore të Libanit dhe kryeqytetit Bejrut, duke prekur qytete si Bekaa dhe qytetin historik të Baalbekut, kryesisht zona shiite, ku u themelua Hezbollahu. Qytetet-port të Sidonit dhe Tiros kanë parë gjithashtu një rritje të sulmeve.
Intensifikimi i sulmeve
Izraeli pretendon se po synon vetëm luftëtarët, armët dhe infrastrukturën e Hezbollahut. Qëkur fushata e tij kundër grupit militant u përshkallëzua, Izraeli vlerëson se ka shkatërruar dy të tretat e rezervave të raketave të Hezbollahut.
Por Hezbollahu ende po lanson raketa çdo ditë drejt Izraelit.
BBC kaloi dy javë me ekuipazhet e Forcave të Mbrojtjes Civile në Luginën Bekaa, e cila shtrihet në lindje deri në kufirin me Sirinë. Leja nga Hezbollahu kërkohej për të vizituar skenën e sulmeve izraelite.
Në atë kohë numri dhe frekuenca e goditjeve në zonë u rrit në mënyrë dramatike.
Më 28 tetor kishte më shumë se 100 sulme izraelite dhe vetëm në javën e kaluar 160 njerëz u vranë në Bekaa, sipas shifrave zyrtare. Qeveria libaneze nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve në shifrat e saj.
Samiri dhe njerëzit e tij mbërrijnë në fshatin shiit El Karak ku gjejnë tollovi dhe shkatërrim. Ajri është i rëndë me tym dhe pluhur.
Më herët në stacionin e tyre në qytetin e afërt të Zahles ata kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm - dhe nga ballkoni i tyre panë një shtëllungë tymi në distancë. Ata u hodhën në kamionët e tyre të zjarrfikësve dhe ambulancat u drejtuan drejt atje.
Trupi i parë që ata gjetën ishte i një burri, i cili u përplas në tokë nga shpërthimi.
Ka të mbijetuar nën rrënojat e banesave dhe Samiri shkon thellë në rrënoja. Ai nuk ka veshur doreza mbrojtëse plastike pasi zjarri ende digjet brenda, kështu që kur gjen një fëmijë, ai mund t’i ndiejë kockat e thyera me majë të gishtave. Ndërsa e merr me kujdes fëmijën e kupton se është vetëm gjysma e trupit.
“Viktima e parë që gjeta ishte një fëmijë. Nuk e di nëse është vajzë apo djalë”, thotë ai më pas. “Më falni se duhet ta shpjegoj këtë. Por është nga stomaku e lart - nga stomaku e poshtë nuk ka asgjë”.
Në të kaluarën ekuipazhi i CDF-së ka marrë telefonata duke u thënë atyre të evakuojnë një vend që po ndjekin. Ata supozojnë se janë nga izraelitët. Asnjë thirrje e tillë nuk vjen në këtë ditë, kështu që për një orë Samiri dhe të tjerët gërmojnë më thellë në gërmadhë.
Më në fund ata gjejnë të gjallë një vajzë 10-vjeçare. Ajo u tregon shpëtimtarëve se pranë saj ishte vëllai i saj tetëmuajsh, Mohammed.
“Pas kësaj filluam të dëgjonim të qarat e një fëmije të vogël”, thotë Samir.
Përmes një të çare të vogël në rrënoja ata dallojnë fëmijën e bllokuar duke u përpjekur të lëvizte këmbët. Ata heqin me përpikëri mbeturinat rreth tij dhe ai vendoset butësisht në duart e Samirit dhe sillet në siguri. Mohammedi tani po trajtohet në Irak për dëmtimin e kokës që pësoi, thotë familja e tij.
Nuk ka diskriminime
CDF-ja punon në të gjithë Libanin, pavarësisht ndarjeve në sekte. Nuk diskriminon, thotë Samiri, i cili është i krishterë.
“Ne nuk pyesim për gjininë e viktimës. Ne nuk pyesim nëse ai është i zi, i bardhë. Ne nuk pyesim nëse është i krishterë apo mysliman. Ne jemi humanitarë”, thotë Samiri.
OKB-ja vlerëson se në tetor çdo ditë të paktën një fëmijë u vra dhe 10 u plagosën nga sulmet izraelite.
Pothuajse 24 orë pasi ata u larguan nga vendi i El Karak, një sulm i dytë izraelit rrëzoi pjesën tjetër të kompleksit të banimit.
Në mbrëmjet e hershme Hezbollahu ende gjuan raketa nga kodrat aty pranë, duke synuar Izraelin.
Në qytetin Khodor, flamuri i Hezbollahut është vendosur në rrënojat e një prej ndërtesave të shumta që janë rrafshuar nga raketat izraelite. Lodrat e fëmijëve janë vendosur në bazën e saj. Një flamur i madh shiit i kuq që valëvitet nga era aty pranë - është pothuajse i vetmi tingull në qytetin kryesisht të braktisur.
Me një kokë të fashuar, Jawad Hamzeh tregon me gisht te rrënojat e shtëpisë së tij.
Tri vajzat e tij vdiqën në sulm, duke përfshirë 24-vjeçaren Nada, e cila ishte shtatzënë. Vajza e tjetër që i vdiq po studionte për juriste. Ai mban librat e saj dhe tregon.
Këtu nuk kishte militantë, thotë ai.
“Ku janë raketat, i shihni ato?” - pyet ai.
Hezbollahu i mbështetur nga Irani filloi të sulmonte Izraelin më 8 tetor 2023 në mbështetje të aleatit të tij Hamasit, i cili kishte kryer një sulm ndaj Izraelit një ditë më parë gjatë të cilit u vranë 1.200 persona dhe u morën mbi 250 pengje. Pasuan muaj shkëmbimesh ndërkufitare dhe më pas, në fund të shtatorit të këtij viti, Izraeli vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nassrallah, dhe e nisi një ofensivë tokësore.
Hezbollahu është i përkushtuar për shkatërrimin e Izraelit, por është më shumë se një grup militant. Është forca politike më e fuqishme në Liban dhe një lëvizje që shërben si një mburojë për komunitetet shiit të Libanit të diskriminuara nga sektet e tjera në vend.
Pavarësisht bisedimeve për armëpushim të udhëhequra nga SHBA-ja, asnjëra palë nuk duket e gatshme të tërhiqet.
“Asnjë terrorist apo person i keq nuk ka jetuar këtu”
Më 30 tetor, Ushtria izraelite lëshoi një urdhër evakuimi në qytetin Bekaa të Baalbekut, të cilin OKB-ja e përshkroi si “zhvendosjen më të madhe të detyruar që Libani ka përjetuar në një ditë të vetme” që nga fillimi i konfliktit. Rreth 150 mijë njerëzve iu dhanë vetëm orë për të ikur nga një tjetër sulm izraelit.
Atje, jo shumë larg rrënojave madhështore romake në tempullin Bacchus, gjendet Hussein
Nassereldine, 42 vjeç, shtëpia e të cilit ishte shkatërruar nga një sulm izraelit një natë më parë.
“Asnjë terrorist apo person i keq nuk ka jetuar këtu”, thotë ai. “Të gjithë ata që jetuan këtu ishin njerëz të mirë”.
Ai thotë se ishte shtëpia e familjeve që kishin ikur nga Bejruti në vitin 1982 gjatë luftës civile të vendit, duke përfshirë edhe të tijën.
“Ne kemi lindur këtu dhe kemi jetuar këtu, do të qëndrojmë e nuk do të ikim nga këtu”, thotë ai.
Jashtë qytetit, në spitalin Dar Al Amal, të plagosurit po shërohen nga dita më vdekjeprurëse që ka përjetuar Baalbeku. Nga 63 personat e vrarë, dy të tretat e tyre ishin gra dhe fëmijë, sipas guvernatorit lokal. Izraeli pretendon se ka goditur 110 caqe të lidhura me Hezbollahun.
Në një dhomë pothuajse boshe, dora e vogël e Selinit trevjeçare zgjatet për ngushëllim. Por aty nuk ka njeri. Ajo ka djegie në fytyrë, thyerje të këmbës dhe plagë në ijë. Nëna, babai, dy motrat dhe vëllai i saj u vranë të gjithë në sulmin ajror izraelit që e la atë të lënduar dhe të vetme.
Përtej korridorit të reanimacionit 2-vjeçari Kayan Smeha ka një thyerje të kafkës. Nëna e tij, Najat, 24 vjeç, e puth butësisht në faqe dhe e vendos në djep për ta qetësuar.
“Ai është ende në shok”, tregon ajo. “Unë mbase mund ta përballoj atë, por ai është i vogël, ai nuk mundet”.
Lotët i rrjedhin në faqe, por ajo është e fortë.
“Po qaj sepse kam frikë për fëmijën tim. Por nëse mendojnë se mund të na thyejnë, gabohen. Nëse do të më duhej, do të sakrifikoja djalin dhe burrin tim, babanë, nënën, motrën time”, thotë Najat. “Vdekja e të dashurve është e vështirë, por jo më e vështirë se të poshtërohesh. Dhe ne do të mbajmë besimin tonë dhe traditat tona deri në vdekje”.
Në stacionin e vogël të CDF-së në fshatin Ferzoul, midis pemishteve dhe vreshtave, dielli del pas një nate të ftohtë. Temperatura sezonale po bie këtu dhe shumica e strehimoreve të Libanit për të zhvendosurit janë plot.
Samiri rrëfen se si e përballon atë që ka parë.
“Disa nga pamjet na kanë ngecur në kokë”, thotë ai, duke shtuar se ato nuk do të zbehen kurrë.
Ai mbështetet shumë në besimin e tij.
“Kur arrini të mbani një person gjallë, kjo do t’ju japë forcën për të vazhduar”, thotë ai. “Dhe kjo është një fuqi që është dhënë nga Zoti dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Edhe nëse do të ishim në shënjestër të drejtpërdrejtë, ne themi këtu në Liban, Zoti do të na mbajë të sigurt dhe ne kemi besim te Zoti”.