Ministri aktual i Mbrojtjes i Indonezisë, Prabowo Subianto, nga gjenerata e re po pëlqehet për fushatën e “lezetshme” që ka bërë, ku është orientuar shumë nëpër rrjete sociale. Por, gjeneratat më të vjetra e mbajnë në mend atë për rolin në kidnapimet dhe vrasjet e studentëve aktivistë në fund të viteve 1990. Subianto në intervista të mëhershme kishte pranuar se kishte urdhëruar kidnapimet, porse këtë e kishte bërë me urdhër të eprorëve
Ishte një kohë kur emri i Prabowo Subiantos tmerronte shumicën e indonezianëve. Por, tash votuesit e rinj duket se janë të magjepsur nga ndryshimi i ministrit të Mbrojtjes. Ish-komandanti i forcave speciale, i ndjekur nga akuzat për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe zhdukjet, është bërë një gjysh i lezetshëm i bërë për meme.
“Ai është shumë më i vjetër, por është në gjendje ta përqafojë brezin tim”, ka thënë 25-vjeçari Albert Joshua, që e mbështet Subianton.
Tash 72-vjeçar, Prabowo Subianto po kandidon për ta pasuar të popullarizuarin Joko Widodo, kur demokracia e tretë më e madhe në botë do të votojë më 14 shkurt. Widodo është në pushtet që nga viti 2014. Subianto po premton më shumë për stabilitetin dhe zhvillim ekonomik.
Deri më tash sondazhet po e shohin Prabowo Subianton në epërsi karshi rivalëve të tij më të rinj, Ganjar Pranowo dhe Anies Baswedan.
Të dy burrat janë në të 50-at dhe ka përvojë duke udhëhequr provincat kyç indoneziane nga pozita e guvernatorëve. Krijimi i vendeve të punës, infrastruktura dhe roli më i madh diplomatik kanë dominuar fushatat në Indonezi.
Prabowo po kandidon së bashku me djalin e madh të Widodos, Gibran Rakabuming Raka. Është një zgjedhje që shumë e shohin si një “bekim të heshtur” nga presidenti aktual, i cili ende nuk ka dhënë përkrahje për askënd, përfshirë edhe për kandidatin e partisë së tij, Ganjar Pranowon.
Por, një presidencë e Prabowos është po ashtu shqetësuese për shumë, që thonë se ai kurrë nuk është mbajtur përgjegjës për kidnapimet dhe vrasjet e studentëve aktivistë prodemokratikë dekada më parë.
Një votuese e re, që ka folur në kushte anonimiteti, thotë se është e “tmerruar” kur mendon se Prabowo mund të fitojë.
“Nëse ai mund të jetë bashkëpunëtor në heshtjen e zërave, atëherë ai do të heshtë ata zëra tash nëse zgjidhet”, thotë ajo.
“’Hijeshia’ vështirë se e bën një udhëheqës të përshtatshëm”, thotë ajo.
“Nëse ju mendoni se kështu duhet të jetë një udhëheqës, atëherë më mirë zgjidhni një kotele”, thotë ajo.
“Skuadra gemoy” e Indonezisë që adhuron macet
Macet janë gjithashtu pjesë e fushatës së Prabowos në rrjetet sociale. Macja e tij endacake ngjyrë kafe dhe bardhë, me emrin Bobby, ka llogarinë në “Instagram”, që është mjaft e popullarizuar. Prabowo e quan “patriot”.
Më pas janë videot në TikTok, ku Prabowo bën lëvizjet e tij të famshme, përfshirë një lëvizje “duke gjuajtur” zemra në drejtim të audiencës. Atë e kanë quajtur “gemoy”, një emërtim për të gjitha gjërat e adhurueshme dhe përkëdhelëse. Mbështetësit e tij të rinj e quajnë veten “skuadra gemoy”.
Rrjetet sociale kanë qenë gur themeltar i shtrirjes së tij. “Gjenerata Y”, persona të lindur mes fillimit të ‘80 dhe fundit të ‘90 dhe “Gjenerata Z”, ata të lindur nga fundi i vitit 1990, përbëjnë më shumë se gjysmën e 205 milionë personave me të drejtë vote në Indonezi. Po ashtu përbëjnë shumicën e rreth 167 milionë indonezianëve që përdorin rrjetet sociale.
Sipas të dhënave të “Metas”, llogaria zyrtare e Prabowos në Facebook dhe llogaritë e tjera të lidhura me të shpenzuan 144 mijë dollarë për reklama gjatë tre muajve të fundit. Është pothuajse dyfishi që ka shpenzuar rivali i tij Pranowo dhe trefishi i shpenzimeve të rivalit tjetër Baswedan.
“Unë rrallë shoh foto të vërtetë të Prabowos”, thotë Yoes C. Kenawas, një studiues në Universitetin Atma Jaya.
Në vend të kësaj, interneti e rrugët janë të mbushura me postera të Prabowos si një personazh vizatimor topolak.
Ky “avatar i ri...është në të gjithë Indonezinë”, thotë Kenawas. “Kjo është mënyra se si po e zbutin imazhin e tij. Dhe deri më tash, po del shumë e suksesshme”.
Një zëdhënës i fushatës së Prabowos tha se ata thjesht po përpiqen të tërheqin të rinjtë përmes një fushate “argëtuese”.
“Politika mund të përçohet nëpërmjet metodave të ndryshme...kjo nuk është një gjë e keqe”, tha Dedek Prayudi për BBC.
Votuesja e “Gjeneratës Z”, Rahayu Sartika Dewi, ka thënë se është e tërhequr nga planet e Prabowos për ta zhvilluar energjinë e ripërtëritshme dhe sektorin e bujqësisë.
Ajo po ashtu thotë se fushata është “shumë e lezetshme, argëtuese dhe e qasshme...jo tepër e rëndë si në vitet e kaluara”.
Prabowo kishte garuar për president, dhe kishte humbur në vitet 2014 dhe 2019. Por, kjo fushatë ka qenë jashtëzakonisht e ndryshme.
“Logjika është se humbjet e Prabowos ishin të paktën pjesërisht, sepse imazhi i tij i fortë tjetërsoi pjesën tjetër të elektoratit”, ka thënë Eve Warburton, drejtoreshë e Institutit Indonezian të Universitetit Kombëtar të Australisë.
Prabowo po synon gjithashtu një brez që nuk kujton kohën kur ai u ngrit në kulmin e fuqive. Kjo ndodhi gjatë diktaturës së gjeneralit Suharto, që u detyrua të largohej nga detyra në vitin 1998.
Sundimi i tij 32-vjeçar, të cilët shumë indonezianë e vlerësojnë se kishte modernizuar vendin, ishte gjithashtu një kohë represioni brutal dhe gjakderdhjeje.
25 vjet më vonë, votuesit e rinj thonë se më shumë preferojnë ta gjykojnë Prabowon se si ai do ta trajtojë papunësinë dhe koston e jetesës. Ai ka premtuar se do të krijojë 19 milionë vende të reja të punës gjatë periudhës së ardhshme pesëvjeçare.
“Unë e di që aktivistët ende janë duke folur...por ne duhet të vazhdojmë”, tha Joshua.
Fushata e Prabowos ka mohuar pretendimet ndaj tij, ndonëse ai ishte përjashtuar nga ushtria për rolin e pretenduar të tij në zhdukjen e aktivistëve. Në vitin 2014 ai i tha “Al Jazeeras” se kishte urdhëruar kidnapimin e tyre, por e kishte bërë këtë vetëm me urdhër të eprorëve.
Në videot muajve të fundit janë shfaqur persona në lot, duke shprehur simpatinë për të, duke thënë se ai “është viktimizuar nga kundërshtarët e tij”.
Shpesh shfaqen të rinj, dhe ekspertët dyshojnë se këta janë përkrahës të vërtetë.
Votuesja Dewi thotë se nominimi për president është “dëshmi” se Prabowo i ka hequr qafe ato akuza.
Rikthimi i jashtëzakonshëm
Prabowo lindi në një familje të pasur politike. Është i biri i një ekonomisti me renome që kishte shërbyer në kabinetin indonezian.
Ai ndoqi babanë e tij që u largua nga vendi në vitin 1957 nën retë e kontraversitetit, dhe kaloi një dekadë të fëmijërisë në azil në Evropë.
Pasi u rikthye në shtëpi, ai iu bashkua ushtrisë dhe shpejt u ngrit nëpër pozita duke u bërë kapiten i forcave speciale elitare të Indonezisë, “Kopassus”.
Ai ishte akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut në Timorin Lindor, ku kishte shërbyer si anëtar i njësisë së forcave speciale të Indonezisë. Roli i tij i saktë në operacionet ushtarake në Timorin Lindor, ku u humbën qindra jetë, kurrë nuk u dëshmua dhe ai ka mohuar akuzat. Por, njolla e errët në karrierën e tij ka mbetur.
Ai u martua me njërën nga vajzat e Suhartos dhe mbeti në rrethin e brendshëm të diktatorit.
Ndërsa pushteti i Suhartos po lëkundej në fundin e viteve 1990, njësiti “Kopassus” u akuzua për kidnapim të më tepër se 20 studentëve aktivistë që kundërshtuan regjimin. Shumë prej tyre ende rezultojnë të zhdukur dhe dyshohet se janë vrarë. Ata që mbijetuan kanë treguar për torturat që përjetuan.
Prabowo ishte shkarkuar nga ushtria, ai iku në Jordani dhe ishte futur në listën e zezë të Australisë e iu ndalua udhëtimi në SHBA.
Por, ai u rikthye në vitin 2019, kur presidenti aktual i Indonezisë, Widodo, e emëroi ministër të Mbrojtjes, duke kthyer rivalët në aleatë. Lëvizja befasuese i pasoi një humbje të ithët në zgjedhje, ku Prabowo akuzoi për mashtrim. Pati protesta të dhunshme, ku mbetën të vdekur tetë persona.
“Si mund të presim drejtësi kur kriminelët bëhen president?” – pyet Suciwati, e veja e një avokati të njohur të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Munir Saib Thalib kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke hetuar zhdukjet e vitit 1998. Ai ishte vrarë në vitin 2004 në një fluturim. Piloti u shpall fajtor për vrasje, por Suciwati nuk beson se kjo është storia e plotë.
“Triumfi i Prabowos në zgjedhje do të ishte humbje e jashtëzakonshme për ne, familjet e viktimave dhe aktivistët e të drejtave të njeriut”, thotë Suciwati.
Presidenti aktual i Indonezisë, Widodo, ka ndihmuar të rregullojë imazhin e Prabowos, thonë disa. Rrjetet sociale “nuk mjaftojnë”, shton studiuesi Kenawas, dhe “se si makineritë shtetërore kanë përkrahur fushatën e tij...nuk duhet nënvlerësuar”.
Shumë e cekin faktin se Prabowo po garon me të birin e Widodos, Gibranin.
Gjykata Kushtetuese, ku miku i Widodos shërben si kryesues, në mënyrë kontraverse hapi rrugën që Gibran 36-vjeçar të garojë për zëvendëspresident. Ligji në Indonezi kërkon që ai të jetë më i vjetër.
Ajo që po ashtu i shqetëson shumë është kthimi i “Prabowos së vjetër”, i njohur për personalitetin temperament dhe të paqëndrueshëm.
Drejtoresha Eve Warburton thotë se disa prej paraqitjeve të tij të fundit kanë dhënë sinjale për këtë.
“Asnjëri s’e di mënyrën se si do të qeverisë Prabowo. Por, shumë e dinë personalitetin e tij të paparashikueshëm. E kjo nuk është kurrë mirë për qeverisje”, ka thënë Warburton.