Botë

Kalimi kah ekstremja: Brenda të djathtës ekstreme në Gjermani

AFD

“Kur po flas për një lis gjerman – një pemë të madhe të vjetër e të fortë, ajo mund të përballojë një stuhi. Por, kur ke një armik që të godet nga rrënjët – dhe kjo është ajo që po ndodh tash – atëherë është e rrezikshme, sepse prek pjesët vitale të demokracisë sonë”, tha Stephan Kramer, shef rajonal i inteligjencës në lindje të Gjermanisë

Është një mbrëmje pranvere në qytetin lindor të Gjermanisë, Cottbus, dhe dhjetëra persona janë grumbulluar në një vend për të dëgjuar një burrë që e quan veten “fytyra miqësore” e Nacional Socializmit (nazizmit).

Dy burra të tjerë, që kanë pasur lidhje të mëparshme me grupet ekstremiste, po ashtu janë në dhomë, përfshirë edhe një kandidat për zgjedhjet e ardhshme shtetërore.

Ata janë të gjithë aty për ta dëgjuar Matthias Helferichun në një ngjarje rinore të organizuar nga anëtarët e partisë së shquar të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

AfD vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat për ekstremizëm.

Megjithatë, duke hetuar të kaluarën e këtyre tre burrave, BBC-ja ka gjetur një kryqëzim të qartë mes figurave të AfD-së dhe rrjeteve të ekstremit të djathtë, disa prej të cilave janë klasifikuar nga autoritetet gjermane si antidemokratike apo raciste.

Stephan Kramer, një shef rajonal i inteligjencës në lindje të Gjermanisë, i tha BBC-së se AfD tash përbën një rrezik për “rrënjët e demokracisë”, pasi partia synon të bëjë përparime në zgjedhje në tri shtetet (landet) lindore këtë vjeshtë: Saksoni, Thuringen dhe në rajonin Brandenburg të Berlinit.

Përpara zgjedhjeve evropiane të muajit të ardhshëm, AfD, që po akuzohet për ekstremizëm dhe korrupsion, ka rënë në sondazhe, por prapë renditet vazhdimisht e dyta në mbarë vendin.

Partia mbetet e fuqishme në komunitetet postkomuniste të Gjermanisë.

Fjalimi i Matthias Helferichut në Cottbus ishte i gjithi rreth “riemigrimit” – një koncept në rritje brenda të djathtës ekstreme në Evropë për “rikthime masive” apo dëbime. BBC-ja kishte kërkuar të merrte pjesë në fjalimin e tij, por iu tha se nuk ka vend.

I zgjedhur në Bundestagun e Gjermanisë në vitin 2021, atij iu ndalua bashkimi me fraksionin parlamentar të AfD-së, pasi dolën në publik shkëmbimet e dëmshme të mesazheve në Facebook të bëra në vitet 2016-17.

Në komentet që dolën në publik Helfrich përmend disa herë nazizmin, duke përfshirë një përshkrim të dukshëm të tij si “fytyrë miqësore” e Nacional Socializmit dhe si një “demokrat Freisler” – një referencë për gjyqtarin e epokës së nazizmit, Roland Freisler.

Helferich i tha BBC-së se nuk e kishte seriozisht kur e quajti veten fytyrë miqësore e nazizmit, por thjesht po bënte “parodi” me ata të krahut të majtë.

“Nëse përballesh shpesh me akuza për nazizëm, siç përballet një politikan i AfD-së, atëherë duhet të talleni me ata”, tha Helferich.

Ai vazhdon të mbajë role në AfD në nivel lokal dhe, siç dëshmon Cottbusi, është i mirëpritur në disa qarqe partiake si një ithtar i “riemigrimit”.

“Riemigrimi i milionave”

Shumë e shohin termin më shumë se një eufemizëm për dëbimin në shkallë të gjerë të njerëzve me prejardhje migrante.

Matthias Helferich flet për shpresat për “riemigrimin” e milionave si përgjigje “ndaj fluksit të madh” të migrantëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme.

Por, ai pretendon se asnjëri që gjendet legalisht në Gjermani nuk do të detyrohet të largohet – ndonëse disave mund t’u ofrohet mundësia të kthehen në “vendlindjen e tyre” dhe “kulturën e tyre”.

“Kjo s’ka të bëjë me degradimin e njerëzve apo deportimin e tyre për arsye raciste. Ka të bëjë me ruajtjen e Gjermanisë si tokë gjermane”, tha Helferich.

Ai foli po ashtu në një “festë verore” vitin e kaluar të organizuar nga Instituti për Politikën Shtetërore (IfS), që muaj më parë ishte klasifikuar si ekstremist i krahut të djathtë nga inteligjenca federale e Gjermanisë. Inteligjenca tha se IfS po përpiqet për një komb “etnikisht homogjen”.

“Unë nuk ndaj pikëpamjen e shërbimit të inteligjencës se është një organizatë e ekstremit të djathtë. Unë vendos vetë se ku flas”, tha Helferich.

Figurat e AfD-së akuzojnë inteligjencën vendore, Verffassungsschutz, se është një organ i mbushur me zyrtarë të caktuar nga qeveria, dhe i pafavorshëm për kauzën e tyre.

Më shumë se “50 patriotë të rinj” erdhën për të dëgjuar fjalimin në Cottbus, tha një nga organizatorët, Jean-Pascal Hohm.

Hohm ka mbajtur një numër të pozitave në AfD dhe tash është duke kandiduar në zgjedhjet e shtatorit në Brandeburg. Kjo përkundër se është përfshirë – apo lidhur – me një numër të grupeve që janë klasifikuar si ekstremiste të krahut të djathtë.

Në mesin e tyre janë asociacioni “Ein Prozent” (Një për qind), “Zukunft Heimat” (Vendlindja e ardhshme”, Lëvizja Identitare, grupe që janë njohur për promovimin e teorisë konspirative “Zëvendësimi i Madh”.

Kjo është ideja e ekstremit të djathtë për ndryshimin e demografisë së vendeve perëndimore.

Hohm beson se po ndodh “zëvendësimi i popullsisë” në Gjermani dhe Evropë. Ai thotë se kjo është “tema kryesore e kohës sonë”.

“Nuk po them se po organizohet nga lart, porse po ndodh”, ka thënë Hohm.

Në vitin 2017, Jean-Pascal Hohm, ishte parë në mesin e turmës kur një grup i tifozëve të futbollit bëri thirrje antisemitike. Disa madje edhe u duk se po bënin përshëndetje si të Hitlerit.

Ai insiston se ishte me babanë e tij.

“Ishte një ndeshje që Cottbusi po luante jashtë dhe unë jam tifoz i Cottbusit. Nuk është faji im që disa të çmendur përdorin skenën për të bërë gjëra që unë nuk i mbështes”, tha ai.

I fotografuar duke buzëqeshur në audiencën ku po mbante fjalimin Matthias Helferichu në mars ishte një burrë i quajtur Benedikt Kaiser, që punon në parlament për Jurgen Pohlin, një deputet i AfD-së për Thuringenin.

Një hetim nga gazeta “Die Welt” zbuloi se Kaiser lëvizi në qarqet neo-naziste mes viteve 2006-2011, ndërsa edhe ishte fotografuar në marshe të mëhershme të organizuara nga NPD – një parti ultranacionaliste e njohur tash si “Die Heimat” (Atdheu).

Një fotografi në rrjete sociale, që më vonë u fshi, po ashtu shfaqi atë si pjesë e një grupi të huliganëve të futbollit të krahut të djathtë të quajtur si “New Society Bous”, që është shpërbërë.

“NS” që ishte përdorur nga grupi në Gjermani gjerësisht nënkupton “Nacional Socialist” apo Nazist.

Fotoja me gjasë është bërë rreth vitit 2009 dhe në të, tre burra prapa Benedikt Kaiserit duket se bëjnë përshëndetje si të Hitlerit.

Kaiser nuk u është përgjigjur kërkesave të BBC-së për koment.

Benedikt Kaiser ndonjëherë përshkruhet si një mendimtar apo teoricien, duke marrë vlerësime të shumta e lëvdata nga një figurë e lartë e krahut të djathtë ekstrem, Bjorn Hocke.

Hocke është një mësues historie i kthyer në një lider karizmatik të AfD-së në Thuringen, që do të thotë se ai kandidon për të qenë guvernator i shtetit.

Një gjykatë ka vendosur më parë se nuk është shpifëse të shprehësh mendimin se Hocke ishte fashist.

52-vjeçari aktualisht po gjykohet nën akuzën se me dijeni ka përdorur slogan nazist, ndonëse ka insistuar në pafajësi.

Linjat e paqarta mes figurave partiake, brenda fraksionit më të madh radikal të AfD-së dhe rrjeteve “ekstremiste”, krijojnë një rrjet kompleks grupesh dhe personazhesh.

Dhe është një parti që vazhdimisht po merret me përçarje nëse duhet të miratojë një mesazh më të moderuar apo radikal.

“Riemigrimi”, si shembull, është një ide që përqafohet nga disa figura dhe mbahet në distancë nga të tjerët.

Konceptimi mbështetet nga aktivisti austriak Martin Sellner, që ka një të kaluar neo-naziste dhe që ka ndalim si në Gjermani ashtu edhe Britani të Madhe.

Ai ka shkruar për “riemigrim” të azilkërkuesve, “të huajve” me të drejtë qëndrimi dhe qytetarëve “të pa asimiluar”.

Raportimet se figura të larta të AfD-së ishin përfshirë në një takim “sekret” rreth riemigrimit me Martin Sellnerit jashtë Berlinit, shkaktuan demonstrata masive në Gjermani më herët këtë vit.

AfD është një lëvizje që në dekadën e fundit ka ecur “gjithnjë e më shumë nga një parti konservatore, demokratike drejt një partie të ekstremit të djathtë”, beson Stephan Kramer, president i Zyrës së Thuringenit për Mbrojtje të Kushtetutshmërisë.

Një nëpunës civil dhe një anëtar i Partisë Socialdemokrate (SPD) të kancelarit Olaf Scholz, Kramer, thotë se shanset e AfD-së për të fituar shumicën e vendeve në shtetin e tij këtë vjeshtë janë “shumë, shumë të mira”.

Më herët sekretar i përgjithshëm i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, ai thotë se do të largohet nga vendi nëse AfD merr pushtetin.

Pikëpamjet “nacionaliste” të partisë rrezikojnë “ta kthejnë Gjermaninë prapa në diçka që ke mundur ta shohësh vetëm mes viteve 1933 dhe 1945”, ka thënë ai për BBC.

“Po goditen rrënjët e demokracisë”

Figurat e AfD-së thonë se po shënjestrohen nga autoritetet shtetërore që “janë të njëanshme”, por Kramer thotë se nuk është kështu.

“Ne nuk jemi të politizuar, sepse po punojmë në bazë të ligjit gjerman dhe çdo vendim që është marrë...mund të kundërshtohet në gjykatë”.

AfD-në e pret një sfidë ligjore – kundër përcaktimit të saj si ekstremist i dyshuar i krahut të djathtë, ndërsa krahu rinor i tij klasifikohet si një rast i konfirmuar.

Stephan Kramer e sheh partinë si “krah parlamentar” të së djathtës së re që po merr vrull në të gjithë Evropën, madje pretendon se përbën një rrezik për demokracinë.

“Kur po flas për një lis gjerman – një pemë të madhe të vjetër e të fortë, mund të përballojë një stuhi ajo. Por, kur ke një armik që të godet nga rrënjët – dhe kjo është ajo që po ndodh tash – atëherë është e rrezikshme sepse shkon në pjesët vitale të demokracisë sonë”, tha Kramer.

Më gjerësisht, Kramer ka frikë se temperatura politike në Gjermani po “nxehet”.

Të premten Mathias Ecke, një prej kandidatëve kryesorë të SPD-së për zgjedhjet evropiane të muajit të ardhshëm, u desh të operohej pasi u sulmua ndërsa po vendoste posterë në Saksoni.

Katër tinejxherë, të moshave 17-18 vjeç, po hetohen ndërsa policia tha se ka arsye të besohet se së paku një nga të dyshuarit ka pikëpamje të ekstremit të djathtë.

Përkrahësit e AfD-së të cilët u deklaruan për BBC-në insistojnë se lëvizja nuk është ekstreme.

Storia nuk është vetëm për tre burra që folën në Cottbus, por për ndarjen në Gjermani lidhur me atë se çfarë llogaritet ekstremizëm dhe frikë e kthimit të së kaluarës së shëmtuar.