Autoritetet për kafshët e egra po inkurajojnë banorët e Kalifornisë që në ushqimin e tyre të fusin edhe një brejtës, si pjesë e përpjekjes për të kontrolluar popullsinë e shtuar të species.
Kafsha, që në gjuhën angleze njihet si “nutria” dhe ngjason me kastorin, po kërcënon ekosistemet e vendit duke shkatërruar habitatet dhe po e tejkalon numrin e kafshëve të egra vendase. Ndikimet e dëmshme nga ajo kanë nxitur zyrtarët që të promovojnë gjuetinë dhe konsumin si zgjidhje të mundshme, raportoi Guardian.
“Ngrënia e specieve pushtuese mund të ndihmojë në mbrojtjen e kafshëve të egra vendase duke reduktuar numrin e tyre dhe duke kufizuar dëmet që shkaktojnë në ekosisteme”, thuhet në deklaratën e Erin Huggins, zëdhënëse për Shërbimin e Peshqve dhe Kafshëve të Egra.
Sipas Departamentit për Kafshët e Egra të Kalifornisë, “nutria” ishte sjellë në SHBA për tregti të leshit të saj por që atëherë janë shumuar dhe janë shpërndarë në 18 shtete.
Ato besohej se ishin zhdukur nga Kalifornia në vitet 1970, por një rritje e numrit u vërejt më 2017.
Zyrtarët po përpiqen ta bëjnë konsumimin e tyre më tërheqës duke e ngjasuar me shijen e lepurit dhe gjelit.