Kabineti i sigurisë i Izraelit e ka ratifikuar marrëveshjen për armëpushim në Gaza dhe shkëmbimin e dhjetëra pengjeve që mbahen nga Hamasi si dhe palestinezët që mbahen në burgjet izraelite.
Marrëveshja tani do t’i shkojë kabinetit qeveritar për t’i dhënë aprovimin e fundit ashtu që marrëveshja të mund të zbatohet nga e diela dhe që të fillojë lirimi i pengjeve dhe të burgosurve.
Në fazën e parë sipas marrëveshjes, që do të zgjasë 42 ditë, Hamasi është pajtuar të lirojë 33 pengje, përfshirë ushtare, kurse Izraeli do të lirojë 50 të burgosur palestinezë për çdo ushtare izraelite të liruar, dhe 30 për pengjet tjera gra, raportoi Guardian.
Marrëveshja përfshin po ashtu rikthimin e palestinezëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre dhe lëvizja e lirë nëpër Rripin e Gazës, të cilin Izraeli e ka ndarë me një korridor ushtarak. Ndihma humanitare do të rritet.
Në fazën e dytë, pengjet e gjalla do të dërgohen në shtëpi dhe një pjesë e të burgosurve palestinezë do të lirohen. Izraeli do të tërhiqet plotësisht nga territori.
Faza e tretë do të përfshijë shkëmbimin e trupave të pengjeve dhe anëtarëve të Hamasit të vdekur, si dhe një plan rindërtimi për Gazën.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se nëse marrëveshja kalon, armëpushimi fillon të dielën me lirimin e pengjeve të para.
Izraeli ka vazhduar sulmet edhe të enjten pasi marrëveshja u njoftua nga ndërmjetësuesit. Autoritetet palestineze kanë thënë se të paktën 86 persona janë vrarë.
Lufta mbi 15-muajshe ka lënë të vrarë më shumë se 46 mijë palestinezë dhe ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës në Gaza. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shikon pretendimet se Izraeli ka kryer gjenocid.
Rreth 1,200 persona në Izrael janë vrarë dhe 250 janë marrë peng në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, ngjarje që nxiti luftën. 100 pengje u liruan në këmbim të 240 grave dhe fëmijëve të mbajtur në burgjet izraelite, si pjesë e një marrëveshjeje në nëntor 2023 që u prish pas një jave.