Kabineti i Sigurisë i Izraelit ka aprovuar “fazën e ardhshme” të luftës kundër Hezbollahut në Liban, që mund të nënkuptojë ofensivën aq të përfolur tokësore.
Uebfaqja “Ynet” ka thënë se gjatë diskutimeve, disa ministra janë ankuar për rrjedhje të informatave për operacionin nga zyrtarët amerikanë, pasi ata janë informuar. E Hezbollahu ka thënë se ka shënjestruar lëvizjet e trupave izraelite pranë qyteteve kufitare libaneze.
Ushtria izraelite u ka bërë thirrje civilëve libanezë në afërsi të disa ndërtesave në periferinë jugore të Bejrutit të evakuohen menjëherë.
Koloneli Avichay Adraee, ka publikuar harta përkrah njoftimit, dhe u ka bërë thirrje civilëve të distancohen të paktën 500 metra nga tri vende të caktuara.
“Ju jeni në afërsi të objekteve të Hezbollahut dhe IDF-ja do të veprojë me forcë kundër tyre. Për sigurinë tuaj dhe anëtarëve të familjes suaj, evakuohuni menjëherë nga këto ndërtesa dhe qëndroni të paktën 500 metra larg tyre”, ka shkruar Adraee në rrjetet sociale.
E pas paralajmërimeve IDF-ja ka nisur sulmet ajrore në Dahiyeh në periferinë jugore të Bejrutit.