Udhëheqësi francez i ekstremit të djathtë, Jordan Bardella, ka thënë se partia e tij është gati të qeverisë, ndërsa ai zbuloi zotimet për të kufizuar emigracionin dhe heqjen e të drejtave të kombësisë për fëmijët e lindur dhe rritur në Francë nga prindër të huaj.
"Me tre fjalë: ne jemi gati”, ka deklaruar të hënën presidenti 28-vjeçar i “Tubimit Kombëtar” teksa premtoi "të rivendoste besimin në Francë dhe madhështinë e saj".
Në një platformë të gjerë politikash, Bardella ka thënë se do të ulë taksat e energjisë për t'i ndihmuar njerëzit të përballojnë jetesën, të ndalojë telefonat celularë në të gjitha shkollat, dhe të parandalojë që shtetasit e dyfishtë të marrin disa punë strategjike në sektorin e sigurisë ose të mbrojtjes, të cilat do të rezervohen për qytetarë francezë, raporton The Guardian.
Humori ishte në nivel të lartë teksa Bardella mblodhi zyrtarë të lartë partiakë dhe gazetarë në një ambient me mure mermeri rozë dhe korniza ari në lagjen e 8-të të Parisit.
Shumë nga zyrtarët e kishin kaluar fundjavën duke shqyrtuar njësitë elektorale në të gjithë Francën pasi presidenti i qendrës, Emmanuel Macron, thirri zgjedhje të parakohshme, kur partia e tij u mposht nga “Tubimi Kombëtar” në zgjedhjet evropiane që u mbajtën nga 6-9 qershori.
Disa figura të larta të partisë së Marine Le Pen thanë se në qytete dhe fshatra ata po shihnin mbështetje për të djathtën ekstreme, që i tejkalonte edhe pritjet e tyre, dhe sinjalizonte një refuzim të qartë për presidentin aktual, Emmanuel Macron.
“Ne jemi alternativa e vetme. Ne jemi të besueshëm, përgjegjës dhe respektojmë institucionet franceze,” ka deklaruar Bardella teksa kërkonte të bindte votuesit se partia e tij, dikur e sulmuar nga kundërshtarët e saj politikë si e paprovuar dhe e paaftë për ekonominë, tani ishte e vetmja të cilës i besohej buxheti.
“Shtatë vjet të gjata të Makronizmit e kanë dobësuar vendin”, shtoi ai, duke fajësuar qeverinë aktuale për borxhin publik të Francës.
Bardella u bëri thirrje edhe një herë votuesve që t'ia japin atij një shumicë absolute në Parlament për të formuar një qeveri të ekstremit të djathtë, e cila siç tha ai, “do të rivendosë rendin, do të godasë sjelljen e keqe në shkolla dhe do të ndryshojë ligjin për ta bërë më të lehtë dëbimin e njerëzve nga jashtë të dënuar për krime”.
Ai ka premtuar se në afat të shkurtër do të ulë TVSH-në në karburant, taksa dhe energji elektrike.
Në terma afatgjatë, siç ka thënë ai, prioritet ishte "të ngrihej Franca përsëri në këmbë duke futur atë që ai e quajti "një ligj të nevojshëm kundër ideologjive islamike".
Në fushatën e saj zgjedhore presidenciale të vitit 2022, Marine Le Pen ka thënë se donte të ndalonte shaminë myslimane në të gjitha vendet publike, duke përfshirë rrugët, duke e quajtur atë një "uniformë të ideologjisë totalitare". Mirëpo, një zyrtar i partisë ka thënë të hënën se nuk ka plane urgjente për të vepruar në lidhje me shaminë.
Bardella njoftoi gjithashtu një "big bang" në arsim, për të cilin ai tha se do të rivendoste autoritetin në shkolla.
Për sa i përket politikës së jashtme, “Tubimi Kombëtar”, sipas tij, do të vazhdonte të ofronte mbështetje logjistike dhe materiale për Ukrainën, por do të kundërshtonte vendosjen e trupave në terren dhe furnizimin me armët me rreze të gjatë.
Bardella ka thënë se partia e tij, e cila kishte lidhje të ngushta me Rusinë përpara pushtimit të Ukrainës, do të ishte "jashtëzakonisht vigjilente" përballë përpjekjeve të Moskës për të ndërhyrë në çështjet franceze.
Rezultati i votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të zhvillohet me dy runde, më 30 qershor dhe 7 korrik, është vështirë të parashikohet me saktësi.
Sondazhet aktuale tregojnë se “Tubimi Kombëtar” do të merrte pjesën më të madhe të votave me rreth 35% - 36%, një aleancë e majtë me rreth 27% - 29.5% dhe centristët e Macronit me 19.5% - 22%.
Që “Tubimi Kombëtar” të fitojë një shumicë absolute, do të duhet të bëjë një hap të madh nga 88 vendet e tij aktuale në 289. Nëse asnjë parti nuk fiton një shumicë, mund të ketë ngërç në Parlament.