Pavarësisht nga tragjedia e lindjes së saj, Baby Aya ose Afraa ishte fëmijë me fat. Duke mos e njohur familjen që humbi, të vetmit prindër që ajo njeh janë tezja dhe burri i tezes që e pranuan. Katër vajzat dhe dy djemtë e tyre janë bërë si motrat dhe vëllezërit e saj
Aya al-Sudani, një vogëlushe e hareshme dhe e buzëqeshur, festoi ditëlindjen e saj të parë të martën, por nuk pati festë me tortë dhe dhurata. Kjo ditë shënoi edhe kujtim të errët për të.
Më 6 shkurt 2023, tërmeti masiv goditi Sirinë dhe Turqinë. Vajza u nxor e gjallë nga rrënojat e shtëpisë së familjes në qytetin Jinderis, në Sirinë veriore. Ajo ishte ende e lidhur për kërthize me nënën e saj të vdekur.
Vajza u emërua Baby Aya – Aya, që në arabisht do të thotë “shenjë nga Zoti” - nga punonjësit e spitalit, por në kujtim të nënës së saj, të afërmit, që tani janë kujdestarët e saj, ia vunë emrin - Afraa. E porsalindura ishte e vetmja anëtare e mbijetuar e familjes pas tërmetit shkatërrues që mori jetën e më shumë se 59 mijë personave, pasi preku edhe Turqinë.
Aya ishte një nga qindra fëmijë jetimë ose të ndarë nga familjet e tyre si pasojë e fatkeqësisë, shtuar shumë të tjerëve që kanë humbur prindërit në luftën civile gati 13-vjeçare të vendit.
“Rreth 542 fëmijë u gjetën ‘të vetëm dhe të ndarë’ pas tërmetit në të gjithë Sirinë”, ka thënë Eva Hindsi, zëdhënëse për agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë - UNICEF.
Autoritetet lokale në veriperëndim të Sirisë kanë thënë se të paktën 537 fëmijë humbën njërin prind nga tërmeti, ndërkohë 61 u regjistruan se kishin humbur të dy prindërit. Numri i saktë ka të ngjarë të jetë më i lartë.
Një vit më vonë këta fëmijë kanë filluar të përshtaten me realitetin e ri. Shumica jetojnë me familjen e largët, ndërsa një numër i vogël ka përfunduar në shtëpi kujdesi ose jetimore. Për shumë prej tyre, humbja e prindërve në tërmet ishte fundi i një vargu tragjedish.
“Për shkak të konfliktit, pothuajse të gjithë në Siri kanë lidhje personale me humbjen”, ka thënë Kathryn Achillesi, zëdhënëse e zyrës së organizatës “Save the Children” në Siri.
Yasmine Shahoudi ishte 11 vjeçe kur ndodhi tërmeti. Familja e saj ishte zhvendosur rreth 70 kilometra larg vendlindjes Maarat al-Numan, në qytetin Armanaz në veriperëndim të Sirisë. Pavarësisht luftës, ajo kujton orët kur ka luajtur dhe qeshur me vëllezërit e motrat.
Më 6 shkurt, shtëpia e familjes Shahoudi u shemb dhe ajo u mbulua nga rrënojat për 20 orë para se të nxirrej jashtë nga njësitet e shpëtimit. Krahu dhe këmba e Yasminës ishin shtypur, dhe kërkoheshin sërë operacionesh. Në javët e para askush nuk kishte zemër t'i thoshte vajzës së plagosur rëndë se familja i kishte vdekur.
“Kur mbërrita në spital, Yasmina ishte në gjendje shoku dhe nuk e kuptonte se çfarë kishte ndodhur”, ka thënë Ghaitha al-Ibrahimi, punonjëse sociale në Shoqërinë Mjekësore Siriane-Amerikane.
Vajza qëndroi disa muaj në jetimore për të qenë pranë spitalit, sepse kishte nevojë për terapi të vazhdueshme. Tani jeton me gjyshin, tezen, xhaxhanë dhe kushërinjtë, me ndihmën e të cilëve ka kaluar shumë hapa të vështirë. Edhe pse ende ecën me vështirësi, Yasmina është rikthyer në shkollë. Shpreson që të bëhet farmaciste.
“Periudha e parë ishte shumë, shumë e vështirë”, ka thënë Yasmina. “Por falë Zotit po përmirësohem”.
Në qytetin Harem në provincën Idlib, ku 8-vjeçarja Hanaa Shreif tani jeton me gjyshin dhe familjen e xhaxhait, asaj i pëlqen të luajë me kushëririn e saj të vogël, të lindur pas tërmetit, të cilit me kërkesë të saj iu vendos emri Mahmoud, siç quhej babai i saj i ndjerë.
Prindërit dhe motra e Hanaas vdiqën nga tërmeti dhe ajo mbeti e bllokuar nën rrënoja për 33 orë. Në fillim mjekët menduan se asaj duhej t’i amputohej dora.
“Ajo pyeti për familjen e saj, nënën dhe babanë dhe i treguam ngadalë se kanë shkuar në parajsë”, ka thënë xhaxhai i saj, Ali Shreif.
“Pas tërmetit, disa fëmijë të braktisur u gjetën në rrugë, te grumbujt e mbeturinave, para xhamive ose mes fushave”, ka thënë Alaeddin Janidi, themeluesi i “Child Houses”, një organizatë joqeveritare që udhëheq dy strehimore për fëmijë jetimë ose të braktisur. Organizata punon për t’i ribashkuar me anëtarët e familjes ose për t’i vendosur në shtëpi kujdesi. Islami në përgjithësi nuk e njeh adoptimin ligjor, por inkurajon dhënien e kujdestarisë afatgjatë për jetimët.
Qendra e tyre u dëmtua rëndë nga tërmeti - megjithëse stafi dhe fëmijët arritën të dilnin të sigurt - dhe iu desh të siguronin shpejt vend tjetër për të qenë në gjendje të prisnin valën e re të fëmijëve jetimë ose të ndarë nga familjet e tyre nga tërmeti. Disa anëtarë të stafit të kësaj organizate varrosën të dashurit e tyre dhe më pas u kthyen në punë, ku u kujdesën për rreth 100 fëmijë, në strehimoret të cilat më herët do të mund të strehonin jo më shumë se 35.
“Ishim në gjendje t’u gjenim të afërmit 70 për qind të tyre, kurse pjesa tjetër kishte humbur familjet ose të afërmit i kishin braktisur”, ka thënë Janidi. “Në këto raste grupi punoi për t’i vendosur fëmijët në familje kujdestare. Jetimorja nuk është vend i përshtatshëm që një fëmijë të fillojë jetën”.
Pavarësisht nga tragjedia e lindjes, Baby Aya - ose Afraa - ishte fëmijë me fat. Duke mos e njohur familjen që humbi, të vetmit prindër që ajo njeh janë tezja dhe burri i tezes që e pranuan. Katër vajzat dhe dy djemtë e tyre janë bërë si motrat dhe vëllezërit e saj.
Familja ka një apartament në Jinderis ku qëndron gjatë ditës, por natën grumbullohet në tendë, në një nga kampet e zhvendosjes së zonës, pasi ende nuk kanë guxim të flenë në ndërtesë nga frika e një tërmeti tjetër. Që nga tërmeti, zonës i mungojnë mundësitë për punë dhe shkolla.
“Shpresoj që ajo të ketë mundësinë të studiojë – ndoshta jashtë Sirisë – dhe të marrë gradë më të lartë, jo si fëmijët e mi”, ka thënë xhaxhai dhe kujdestar i Afraas, Khalil al-Sawadi.
Familja nuk do të festojë ditëlindjen e saj të parë, sepse “kjo ditë është një kujtim i dhimbshëm”. “Por në të njëjtën kohë unë kam shpresë për shkak të pranisë së Afraas dhe kur ajo të rritet do t'i tregojmë për këtë kujtim”, ka shtuar Al-Sawadi. (Përgatiti Latra Gashi)