Botë

Jetimët e Gazës

Mjekët që punojnë në Rripin e Gazës po përdorin një frazë specifike për të përshkruar një lloj të veçantë të viktimave të luftës. FPPFM – fëmijë i plagosur, pa familjar të mbijetuar, është akronimi që po përdoret shpesh në territor

“Një akronim unik për Rripin e Gazës është FPPFM - fëmijë i plagosur, pa familjar të mbijetuar - dhe nuk përdoret rrallë”, thotë për BBC-në, doktoresha Tanya Haj-Hassan, e cila punon me Mjekët pa Kufij.

Shprehja përshkruan tmerrin e situatës për shumë fëmijë të Gazës. Jeta e tyre ndryshon brenda sekondës - prindërit, vëllezërit, motrat dhe gjyshërit e tyre vriten dhe asgjë nuk është më si më parë.

Lufta filloi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor duke lënë të vrarë 1 mijë e 200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë dhe Izraeli filloi fushatën ushtarake. Afro 16 mijë njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë rreth 6 mijë fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e drejtuar nga Hamasi.

Ahmed Shabat është një nga ata fëmijë që u përshkrua si fëmijë i plagosur, pa familjar të mbijetuar, kur mbërriti i plagosur dhe duke qarë në Spitalin Indonezian në Gazën veriore. Trevjeçari i mbijetoi një sulmi ajror në shtëpinë e tij në Beit Hanoun, në mesin e nëntorit. Por babai i tij, nëna dhe vëllai i madh iu vranë.

Për mrekulli, në atë kohë ai kishte vetëm lëndime të lehta. Më vonë u zbulua se vëllai i tij më i vogël, Omar, dy vjeç, gjithashtu i kishte mbijetuar sulmit dhe ata u ribashkuan pasi u gjet një anëtar i rritur i familjes më të gjerë.

Image

“Pas bombardimit, e kuptuam se ishte një fëmijë në Spitalin Indonezian pa asnjë person që e shoqëronte, kështu që shkuam atje menjëherë”, shpjegoi daja i Ahmedit, Ibrahim Abu Amsha. “Ahmedi ishte me një të huaj. Ai tha se Ahmedi ishte hedhur në ajër dhe u gjet i plagosur rreth 20 metra larg nga shtëpia”.

Ahmedi dhe Omari mbetën jetimë, të pastrehë, pa dikë për t’i mbrojtur nga bombardimet e vazhdueshme, kështu që Ibrahimi vendosi të kujdesej për ta, së bashku me familjen e tij. Ai fillimisht i çoi në qytetin Sheikh Radwan, por tha se ata u larguan pasi “Ahmedi u godit nga copa xhami” si pasojë e një shpërthimi.

Më pas ata shkuan në kampin Nuseirat për të qëndruar në një shkollë të lidhur me OKB-në. Por edhe në vendndodhjen e tyre të re, ata u goditën përsëri, tani me pasoja të rënda për Ahmedin.

“Unë dola me vrap nga dera e shkollës dhe pashë Ahmedin para meje në tokë, me të dyja këmbët e zhdukura. Ai po zvarritej drejt meje, duke hapur krahët, duke kërkuar ndihmë”. Një anëtar i familjes, i cili ishte me Ahmedin në momentin e shpërthimit, mbeti i vrarë.

Ibrahimi, i cili është zhvendosur me familjen e tij, si dhe me fëmijët e motrës së tij, thotë se ëndërron të jetë në gjendje ta dërgojë Ahmedin për trajtim jashtë Gazës.

“Ai ëndërronte shumë gjëra”, tha daja i tij i trishtuar. “Kur ndiqnim së bashku ndeshjet e futbollit, ai thoshte se dëshironte të bëhej një futbollist i famshëm”.

Humbja e nënës

Ashtu si Ahmedi, Muna Alwan është gjithashtu një jetime lufte dhe u përshkrua si WCNSF kur mbërriti në Spitalin Indonezian.

Dyvjeçarja vazhdimisht qan dhe thërret “Nënë”, por nëna e saj ka vdekur.

Muna u nxor nga rrënojat pasi një sulm ajror goditi shtëpinë e një fqinji në zonën Jabal al-Rais të Gazës veriore. Munës i vranë prindërit, vëllain dhe gjyshin. Syri i Munës u dëmtua shumë dhe nofulla e saj u thye.

Muna u transferua në një spital tjetër ku u gjet më pas nga tezja e saj Hanaa.

“Ne e dinim përmes internetit se Muna ishte në Spitalin Nasser. Ne erdhëm dhe e identifikuam atë”, shpjegon Hanaa. Por ajo thotë se mbesa e saj po vuan tmerrësisht shumë.

“Ajo thjesht dëshiron të bërtasë, është tërë kohën e frikësuar, veçanërisht nëse dikush i afrohet asaj”, shton Hanaa.

Muna ka motra më të mëdha që janë gjallë, por ato janë në qytetin e Gazës.

“Ato janë bllokuar dhe nuk ka asnjë mënyrë për t’i sjellë në jug”, thotë Hanaa, duke shtuar: “Unë vazhdimisht pyes veten, çfarë do të bëjmë? Si ta zëvendësojmë nënën e saj?”

“Kam humbur këmbën dhe familjen time”

Në një shtrat metali në cep të një dhome në Spitalin Nasser në Khan Yunis, Gaza jugore, 11-vjeçarja Dunya Abu Mehsen shikon atë që ka mbetur nga këmba e saj e djathtë e mbështjellë me fasha të bardha.

Vajza, me flokë të gjata kaçurrela, ulet buzë krevatit, e veshur me një fustan të kuq prej kadifeje, e heshtur shumicën e kohës, duke u shfaqur thellësisht e trishtuar.

Dunya i mbijetoi një sulmi ajror me vëllain e saj, Yusufin dhe motrën e saj më të vogël Sulmi goditi shtëpinë e tyre në lagjen al-Amal në Khan Yunis, në jug të Gazës, kur të gjithë po flinin.

Por prindërit, vëllai dhe motra e saj u vranë. Ajo ka humbur edhe këmbën e djathtë.

“Kur pashë babain, u tremba sepse ishte i mbuluar me gjak dhe gurë. Njerëzit qëndronin rreth nesh dhe motra ime bërtiste”, tregon Dunya. “Kam shikuar veten dhe nuk kisha këmbë. Ndjeja dhimbje dhe mendimi im i vetëm ishte: “Si e humba këmbën?”

“Dunya nuk e kujton se si dhe kur mbërriti në spital, por kujton se ishte atje vetëm dhe se stafi mjekësor vazhdimisht i bënte pyetje në përpjekje për të identifikuar familjen e saj”, shpjegon tezja e saj, Fadwa Abu Mehsen.

“Ajo më tha: ‘Dëgjova infermieren duke thënë: ‘Zoti i mëshiroftë’”.

“Ajo ka qenë lozonjare, e fortë dhe shumë aktive para se të lëndohej”, thotë tezja e saj, e cila qëndron e ulur pranë Dunyas në dhomën e spitalit, me karrocën me rrota afër, e cila është bërë mjeti i vetëm më të cilin vogëlushja del jashtë dhe merr ajër të pastër.

“Sot humba këmbën dhe familjen time, por ende kam ëndrra. Dua të kem një këmbë protezë, të udhëtoj, të bëhem mjeke dhe që kjo luftë të përfundojë dhe fëmijët tanë të jetojnë në paqe”, thotë Dunya.

Përktheu: Forca Jashari

LEXO EDHE: