Botë

Jetë të ndryshme. Harris dhe Trump siç nuk i keni parë kurrë më parë

Harris-Trump

Gjatë gjithë fushatës zgjedhore, votuesit amerikanë “bombardohen” me imazhe të dy kandidatëve - duke folur nga podiumet, duke përshëndetur turmat e tubimeve dhe duke zbritur nga shkallët e avionit. Ja një këndvështrim tjetër vizual se kush janë dhe nga kanë ardhur.

Dekada të ndryshme, kandidatja demokrate për president, Kamala Harris i kaloi vitet e saj të hershme në Oakland, Kaliforni, dhe kandidati republikan Donald Trump u rrit në lagjen Queens të Nju Jorkut.
Harris dhe motra e saj Maya u rritën nga nëna e tyre indiane, Shyamala Gopalan Harris, studiuese e kancerit dhe aktiviste sociale.

Babai i Trumpit, Fred Trump, ishte djali i emigrantëve gjermanë dhe nëna e tij, Mary Anne MacLeod Trump lindi në Skoci. Ata e regjistruan në Akademinë Ushtarake të Nju Jorkut në moshën 13-vjeçare.
Harris kaloi pesë vjet në shkollën e mesme në Montreal, Kanada, ku nëna e saj filloi  punë si mësuese në Universitetin McGill. Më vonë ajo u regjistrua në kolegjin afro-amerikan, Universitetin Howard në Uashington DC.

Trump ka thënë se pesë vjetët në akademi, të cilat i nisi më 1959, i dhanë atij trajnim ushtarak dhe e ndihmuan në formimin e aftësive të tij drejtuese. Ai nuk iu bashkua Luftës së Vietnamit për shkak të çështjeve akademike dhe të plagëve në këmbë.

Që në moshë të re, Harris u mësua nga nëna e saj për rëndësinë e lëvizjes për të drejtat civile dhe ajo mori pjesë në Marshin vjetor të Lirisë Martin Luther King Jr në Uashington në 2004.

Pasi u diplomua në Universitetin e Pensilvanisë, Trump u favorizua për të pasuar të atin në krye të biznesit familjar.

Harris u kthye në Kaliforni, ku ajo u ngjit me shpejtësi në krye të sistemit të drejtësisë së shtetit - duke siguruar punë si prokurore e përgjithshme - dhe e përdori atë moment për të nisur garën për Senatin e SHBA-së në 2016.

Në të njëjtën kohë kur ajo hyri në Kongres, Trump po hynte në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë, pasi kishte befasuar botën duke  mposhtur Hillary Clintonin.

Tri vjet më vonë, Harris zhvilloi fushatë presidenciale jo dhe aq mbresëlënëse, por u zgjodh nga fituesi i garës demokratike, Joe Biden, si  zëvendëspresidente. Ata  e siguruan fitoren duke e mposhtur Trumpin dhe Mike Pence.

Fundi i presidencës Trump dhe fillimi i mandatit Biden-Harris u shënuan nga bllokime për Covid, detyrime për mbajtje maskash dhe trazira sociale pas vrasjes nga policia të George Floydit në Minneapolis.

Harris e pati të vështirë  për të lënë  gjurmë si zëvendëspresidente, por zëri i saj u dëgjua  në vitin 2022 kur Gjykata e Lartë e SHBA-së i dha fund të drejtës kushtetuese për abortin.

Ishte Trump ai që e kishte bërë Gjykatën e Lartë më konservatore, duke i hapur rrugën vendimit të abortit.

Gjatë kohës së tij në Zyrën Ovale, ai gjithashtu nxori SHBA-në nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe ndërmori hapa për ta reduktuar imigracionin.

Vizita debutuese ndërkombëtare e Harrisit si zëvendëspresidente ishte në Guatemalë në vitin 2021, si pjesë e përgjegjësisë që iu dha për ta reduktuar numrin e imigrantëve nga Amerika Latine që arrinin në kufirin jugor të Amerikës me Meksikën.

Çështjet e politikës së jashtme që kanë dominuar kohën e saj në detyrë përfshijnë luftërat në Ukrainë dhe Gaza, si dhe tërheqjen kaotike të trupave amerikane nga Afganistani.

Vizita e parë e Trumpit jashtë shtetit si president ishte në Arabinë Saudite në vitin 2017. Trump mbron politikat izoluese që përfshijnë shkëputjen e vendit të tij nga konfliktet e huaja dhe promovimin e industrisë amerikane.

Harris është e martuar me Doug Emhoff , i cili bën fushata rregullisht në emër të saj. Ajo është njerka - ose “Momala”, siç thotë ajo - për fëmijët e Emhoffit nga martesa e tij e parë, Cole  dhe Ella.
Anëtarë të ndryshëm të familjes së Donald Trumpit kanë luajtur role në karrierën e tij politike, megjithëse paraqitjet në fushatën e 2024-s nga gruaja e tij, ish-Zonja e Parë Melania Trump, kanë qenë të kufizuara.

Me gruan e tij të parë, Ivana, Trump ka tre fëmijë: Donald Jr, Ivanka dhe Eric. Ai ka një vajzë, Tiffany, me gruan e tij të dytë, Marla Maples. Ai u martua me gruan e tij të tretë Melania në vitin 2005, me të cilën ka një djalë, Barronin.

Harris hyri në garën presidenciale të vitit 2024 relativisht vonë në proces, duke zëvendësuar Joe Bidenin pasi  u tërhoq. Ka shkruar historinë si gruaja e parë me ngjyrë dhe aziatiko-amerikania e parë që udhëheq kandidaturën  e një partie për presidente.

 

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump - Kamala Harris

S’ka befasi në bastione, shtetet e papërcaktuara pritet ta vonojnë procesin