Për të burgosurit politikë jeta në kolonitë penale të Rusisë është realitet i mbushur me presion fizik dhe psikologjik, mungesë gjumi, ushqim të pamjaftueshëm, kujdes shëndetësor të dobët ose të mohuar dhe një grumbull me rregulla arbitrare.
Vladimir Kara-Murza mundi vetëm të qeshte kur zyrtarët e Kolonisë Penale numër 6 papritur vendosën një dollap të vogël në qelinë e tij të ngushtë, afër krevatit të palosur, stolit, lavamanit dhe tualetit.
Momenti i humorit të zi i erdhi, sepse të vetmet gjëra që ai mund të vendoste aty ishin brusha e dhëmbëve dhe një gotë, ka thënë gruaja e tij, Yevgenia, meqë aktivistit të opozitës nuk iu lejua asnjë send personal në izolim.
Një herë tjetër, ka thënë ajo, Kara-Murzës iu tha të mblidhte pjesët e krevatit prej matanë korridorit – përveçse të burgosurit duhet të mbajnë duart pas shpinës kur janë jashtë qelisë.
“Si supozohej t’i mblidhte? Me dhëmbë?” – pyet Yevgenia. Kur mblodhi çarçafët, një rojë me kamerë u shfaq dhe i tha atij se po shkelte rregullat, duke sjellë kështu më shumë masa disiplinore.
Për të burgosurit politikë si Kara-Murza, jeta në kolonitë penale të Rusisë është realitet i mbushur me presion fizik dhe psikologjik, mungesë gjumi, ushqim të pamjaftueshëm, kujdes shëndetësor të dobët ose të mohuar dhe një grumbull me rregulla arbitrare.
Ky muaj solli lajmin tronditës nga një koloni penale e Arktikut, një nga objektet më të ashpra ruse: vdekjen e pashpjeguar të Alexei Navalnyt, rivalit më të madh të Kremlinit.
“Askush nuk është i sigurt në sistemin e burgjeve në Rusi”, ka thënë Grigory Vaypan, avokat i Memorial, grup i formuar për të dokumentuar shtypjet në Bashkimin Sovjetik (BRSS), sidomos nga sistemi i burgut Stalinist i njohur si “gulag”. “Për të burgosurit politikë, situata është më e vështirë, sepse shteti synon t’i dënojë ata ose t’i izolojë nga bota, ose të bëjë gjithçka për të shkatërruar shpirtin e tyre”.
Grupi i tij ka evidentuar rreth 680 të burgosur politikë në Rusi.
Kara-Murza u dënua për tradhti vitin e kaluar për denoncimin e luftës në Ukrainë. Ai po vuan dënimin prej 25 vjetësh, dënimi më i ashpër për një kritik të Kremlinit në Rusinë moderne, dhe është në mesin e grupit në rritje të disidentëve të mbajtur në kushtet më të rënda nën pushtetin e presidentit Vladimir Putin.
Trashëgimia e “Gulagut”
Ish-të burgosurit, të afërmit e tyre dhe avokatët e të drejtave të njeriut, përshkruajnë një pamje të zymtë të sistemit të burgjeve që rrjedhin nga “gulagu” i Bashkimit Sovjetik, i dokumentuar nga Alexander Solzhenitsyni në "Një ditë në jetën e Ivan Denisovichit" dhe "Arçipelagu Gulag".
Teksa po u nënshtrohet reformave, burgu “pak a shumë ka ende rrënjët e Bashkimit Sovjetik”, ka thënë Oleg Kozlovksy, hulumtues në Rusi i “Amnesty International”.
Shpesh, të burgosurit jetojnë në baraka të mbushura me krevate marinari. Konstantin Kotov, aktivist që kaloi mbi një vit në Koloninë Penale numër 2, në regjionin Vladimir – burgu i Navalnyt nga viti 2021 deri në 2022 – kujton burgjet e mbushura me 60 burra në një qeli.
As pandemia nuk e ndryshoi këtë, ka thënë Kotovi. Mbajtja e maskës ishte e detyruar nga ora 6 e mëngjesit deri në 10 të mbrëmjes, por ai dyshon se kjo ka ndihmuar.
“Shpesh, njerëzit kishin temperaturë të lartë. Dërgoheshin në infermieri, pastaj i kthenin dhe kaq”, ka thënë ai.
Ushqimi ishte po ashtu problem.
Për mëngjes kishin qull, për drekë supë me pak ose pa mish, patate të shtypura dhe mish ose peshk, për darkë të njëjtën, ka thënë Kotovi. Të burgosurit merrnin dy vezë, kurse frutat dhe perimet ishin luks, sepse ishin gati gjithmonë të shitura në kioskën e burgut, ka shtuar ai.
“Racionet nuk ishin të mjaftueshme dhe shpesh ishin të pangrënshme. Kështu që gati askush nuk jetonte vetëm me racione”, kishte thënë Navalny një herë.
Gruaja e tij i ka përshkruar vaktet e tij si qull për mëngjes, supë ose qull për drekë dhe qull me peshk për darkë.
Ushqimi shtesë shitej, ose të afërmit mund të dërgonin pako të kufizuara. Ata në qelitë e ndëshkimit nuk merrnin pako.
Ka regjim të rreptë për punët dhe detyrat, si pastrimi dhe qëndrimi në gatishmëri.
Andrei Pivovarov, që po mban dënim 4-vjeçar për drejtimin e një organizate politike të ndaluar, duhet të pastrojë qelinë për disa orë në ditë dhe të dëgjojë një incizim të rregullave të burgut, ka thënë gruaja e tij Tatyana Usmanova. Por, ai nuk mund t’i bëjë të dyja në të njëjtën kohë, ose t’i përfundojë shpejt dhe të pushojë, ka shtuar ajo. Rojat, që i kontrollojnë nëpërmjet kamerave, ndëshkojnë shkelësit e rregullave.
“Sistem i skllavërisë”
Rusia ka rreth 700 burgje dhe shumica janë koloni penale me ndryshime në siguri, prej sigurisë minimale deri te “regjimi special”. Ka rreth 30-40 koloni penale për gratë.
Të burgosurit politikë zakonisht dërgohen te kolonitë me kontroll më rigoroz, ka thënë Zoya Svetova, gazetare dhe avokate e të drejtave të të burgosurve.
Të burgosurve u kërkohet të punojnë, por shpesh nuk ka mjaft punë për të gjithë burrat. Gratë zakonisht qepin uniforma ushtarake, policie dhe të ndërtimtarëve, të cilat punojnë me orë të tëra për pagesë të vogël, ka thënë Sasha Graf, avokate e të burgosurve.
Nadya Tolokonnikovës, anëtare e grupit protestues “Pussy Riot”, e cila ishte në burg për gati 22 muaj në vitet 2012-13, i kujtohet se ka qepur për 16 deri në 18 orë.
“Është sistem i skllavërisë dhe është më të vërtetë i tmerrshëm”, ka thënë ajo.
Të burgosurit supozohet të paguhen jo më pak se rroga minimale – 19,242 rubla (rreth 200 dollarë) në muaj në vitin 2024 – por në realitet është më pak se 300 rubla (rreth 3.20 dollarë) – që mjaftojnë për të blerë vetëm cigare dhe produkte higjienike në kioskën e burgut, ka thënë Grafi.
Frikësimi dhe shtypja
Tolokonnikova ka thënë se kur ka arritur në Koloninë Penale numër 14, në regjionin Morodovia, rroja e cilësonte veten si “Stalinist”. Ajo ka thënë se ai i tha: “Mund të jesh dikushi jashtë kësaj kolonie, ke zë, njerëz që të mbështesin dhe kujdesen për ty, por këtu, ti je plotësisht nën fuqinë time dhe duhet ta kuptosh këtë”.
Edhe pse burgjet teknikisht mbikëqyren nga komisionet që bëjnë inspektime dhe mbrojnë të burgosurit, anëtarët e tyre viteve të fundit janë zëvendësuar nga besnikët e qeverisë, ka thënë Svetova, e cila ka shërbyer në një komision nga viti 2008 deri më 2016.
Ajo ka thënë se qeveria aktuale përdor burgjet për frikësim dhe shtypje.
Raportimet për dhunë fizike janë të shpeshta për të burgosurit e thjeshtë, por të rralla për të burgosurit politikë, kanë thënë avokatët. Në vend të kësaj, frikësimi vjen nga zbatimi i shkeljeve të vogla, ka thënë Kozlovsky.
Navalny ka kaluar me muaj në një qeli ndëshkimi, sepse nuk përthekoi siç duhet uniformën e tij ose sepse nuk vendosi duart pas shpinës kur iu kërkua. Ai një herë përshkroi një “kolibe betoni” 2.50 me 3 metra, e cila duke u varur nga stina ishte “e ftohtë dhe e lagësht”, ose “e nxehtë dhe pa ajër”.
Qëndrimet e gjata në qelitë e ndëshkimit ose lloje të tjera të izolimit janë realitet për shumë dhe e vetmja shenjë jete ishte vizita e një avokati ose shkrimet e letrave të censuruara dhe ndonjëherë marrin javë të tëra për të mbërritur; disa koloni kanë postë më të shpejtë.
Shëndeti i të burgosurve
Kujdesi shëndetësor pothuajse nuk ekziston, kanë thënë ish-të burgosurit ose avokatët, me vetëm ilaçe të thjeshta në dispozicion, ose pa to.
“Rojat e burgut automatikisht besojnë se të burgosurit po falsifikojnë dhe ankohen për probleme të shëndetit për të marrë ndonjë lloj privilegji”, ka thënë Tolokonnikova.
Nuk është për t’u çuditur që të burgosurit nuk ndihen mirë me kushte të tilla.
Yevgenia Kara-Murza ka thënë që shëndeti i burrit të saj 42-vjeçar është përkeqësuar gjatë izolimit.
Ai vuajti nga dy helmime gati fatale në vitet 2015 dhe 2017 dhe zhvilloi polineuropati, sëmundje që shkatërron ndjesinë në gjymtyrë. Ndërsa ai mori trajtim në paraburgimin në Moskë, nuk ka marrë asnjë në koloninë penale në Omsk.
“Ai ka nevojë për terapi fizike, ushtrime”, e cila është gati e pamundur në qelinë e tij, ka thënë ajo.
Alexei Gorinov, ish-anëtar i këshillit bashkiak të Moskës, i dënuar me shtatë vjet burgim, sepse foli kundër luftës në Ukrainë, vuan nga një sëmundje kronike e frymëmarrjes dhe iu hoq një pjesë e mushkërisë para se të burgosej. Shëndeti i tij u përkeqësua gjatë gjashtë javëve në izolim dhe është akoma duke u rikuperuar.
Në dhjetor, Gorinovi, 62-vjeçar nuk kishte fuqi as për t’u ulur në karrige apo për të folur, kanë thënë aleatët e tij, sipas avokatit. Përfundimisht i transferuar në një spital burgu, ai ende zgjohet çdo dy orë, meqë është etiketuar si rrezik dhe autoritetet duhet të konfirmojnë rregullisht vendndodhjen e tij, kanë thënë mbështetësit. Ai e konsideron këtë si formë torture.
Ndërsa presioni publik ka ndihmuar në uljen e abuzimit në burg viteve të fundit, Vaypani e grupit “Memorial” beson se është kapërcyer një kufi me vdekjen e Navalnyt.
“Është ‘shenjë shqetësuese’ se gjërat mund të përkeqësohen”, ka thënë ai.
Përgatiti: Latra Gashi