Botë

Jeta e “pamëshirshme” brenda minierave jugafrikane të kontrolluara nga bandat

Miniera jugafrikane

Ndumiso i tha BBC-së se pasi u pushua nga puna nga një firmë e madhe minierash, ai vendosi të bashkohej me bandën, në botën e saj të nëndheshme, për t’u bërë ajo që njihet si “zama-zama”, një minator i paligjshëm. Ai gërmon për të gjetur metale të çmuara, dhe çdo tre muaj ose më shumë del në sipërfaqe. Shet ar në tregun e zi dhe fiton më shumë se kurrë më parë, ndonëse rreziqet, me të cilat përballet janë tejet të larta

Së bashku me rreth 600 burra të tjerë, Ndumiso jeton dhe punon në një “qytet” të vogël të kontrolluar nga banda. Ky “qytet” i ndërtuar nën tokë, është plot me tregje, e madje ka edhe një lagje me drita të kuqe. Nuk është thjesht një minierë ari e braktisur në Afrikën e Jugut. 

Ndumiso i tha BBC-së se pasi u pushua nga puna nga një firmë e madhe minierash, ai vendosi të bashkohej me bandën, në botën e saj të nëndheshme, për t’u bërë “zama-zama”, një minator i paligjshëm.

Ai gërmon për të gjetur metale të çmuara, dhe çdo tre muaj ose më shumë del në sipërfaqe. Shet ar në tregun e zi dhe fiton më shumë se kurrë më parë, ndonëse rreziqet, me të cilat përballet janë tejet të larta.

“Jeta e nëndheshme është e pamëshirshme. Shumë nuk ia dalin dot të gjallë”, tha 52-vjeçari, i cili foli për BBC-në me kusht që emri i tij i vërtetë të mos përdorej pasi kishte frikë nga hakmarrja.

“Në njërin prej niveleve të minierës gjenden trupa dhe skelete. Ne e quajmë atë varreza zama-zama”, tha ai.

Por për ata që mbijetojnë, si Ndumiso, puna mund të jetë fitimprurëse.

Pas ditëve të vështira nën tokë, ai fle në thasë të mbushur më rërë, ndërkohë që familja e tij jeton në një shtëpi që ai ka blerë në një qytezë afër Johannesburgut. 

Për shtëpinë, e cila ka një dhomë gjumi, ai pagoi 7 mijë dollarë në dorë. Tani ai ka zgjeruar shtëpinë me plot tri dhoma gjumi. 

Ndumiso, minator, i cili ushtron punën e tij në mënyrë të paligjshme rreth tetë vjet, me punën e tij ka arritur të dërgojë të tre fëmijët e tij në shkolla të mira, njërin prej tyre madje në universitet. 

“Unë duhet të siguroj të ardhura për gruan dhe fëmijët e mi dhe kjo është mënyra e vetme që unë di”, tha ai, duke shtuar se ai preferoi të punonte nën tokë dhe jo të ishte pjesë e krimit duke u bërë rrëmbyes apo grabitës makinash. Ai mori këtë vendim pasi kishte shpenzuar shume vite duke u përpjekur të gjente një punë legjitime me orar të plotë.  

Lufta për “persekutimin” e minatorëve

Aktualisht ai punon në një minierë në qytetin e vogël Stilfontein, rreth 145 kilometra në jugperëndim të Johannesburgut. Ky vend është qendër e vëmendjes globale pasi Khumbudzo Ntshavheni, njëri prej ministrave të qeverisë aktuale, premtoi të “persekutojë” qindra minatorë që ishin nën tokë atje, me forcat e sigurisë që penguan dërgimin e ushqimit dhe ujit për ta.  

“Kriminelët nuk duhet të ndihmohen. Kriminelët duhet të persekutohen”, deklaroi Ntshavheni.

Shoqëria për Mbrojtjen e Kushtetutës Sonë, grup i cili avokon për të drejtat e minatorëve, ka hapur rast gjyqësor për të kërkuar qasje në minierën, për të cilën policia thotë se është rreth 2 kilometra e thellë.  

Gjykata u ka dhënë një vendim të përkohshëm, duke deklaruar se ushqimet dhe gjërat e tjera thelbësore mund t’u dorëzohen minatorëve.

Ndumiso punon në një nivel tjetër në minierë dhe doli në sipërfaqe për të shitur metalet e gjetura muajin e kaluar, përpara bllokimit aktual.

Ai tani pret të shohë se si do të zhvillohet situata, përpara se të vendosë nëse do të kthehet.

Konflikti pason një vendim të Qeverisë për të goditur këtë industri e cila ka dalë jashtë kontrollit, me bandat e ngjashme me mafinë që e drejtojnë atë. 

“Vendi ka qenë duke u përballur me veprimtarinë e minierave të paligjshme për shumë vite dhe komunitetet e minierave kanë bartur peshën e aktiviteteve kriminale duke u përballur me përdhunime, grabitje dhe dëmtim të infrastrukturës publike, ndër të tjera”, u shpreh Mikateko Mahlaule, kryetar i Komisionit Parlamentar mbi Pasuritë Minerale.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, tha se miniera është një “skenë krimi”, por Policia po negocionte me minatorët për t’i dhënë fund konfliktit, në vend që të hynte në minierë dhe t’i arrestonte ata.  

“Autoritetet ligjzbatuese kanë informacion se disa nga minatorët mund të jenë të armatosur rëndë. Është vërtetuar mirë se minatorët e paligjshëm rekrutohen nga bandat kriminale dhe janë pjesë e sindikatave më të gjera të krimit të organizuar”, shtoi ai.

Ndumiso ishte në mesin e qindra mijëra punëtorëve, vendës dhe shtetas të shteteve fqinje si Lesoto, të cilët janë pushuar nga vendet e tyre legjitime të punës, pasi industria minerare e Afrikës së Jugut ka pësuar rënie gjatë tri dekadave të fundit. Shumë prej tyre janë bërë “zama-zama” në minierat e braktisura.

David van Wyk, hulumtues në Fondacionin Benchmark me bazë në Afrikën e Jugut, i cili ka studiuar industrinë minerare, tha se në vend ka rreth 6 mijë miniera të braktisura.

Mbrojtja e minatorëve

Ndumiso tregoi se ai punonte si operator shpimi, dhe fitonte më pak se 220 dollarë në muaj, për një kompani të minierave të arit, derisa u pushua nga puna në vitin 1996. 

Për 20 vjetët e ardhshëm ai u përpoq shumë që të gjente një punë me orar të plotë. Për shkak të shkallës së lartë të papunësisë në Afrikën e Jugut, ai tha se vendosi të ushtronte profesionin e minatorit në mënyrë ilegale.  

Ka dhjetëra mijëra minatorë të paligjshëm në Afrikën e Jugut. Van Wyk thotë se ka rreth 36 mijë të atillë vetëm në provincën Gauteng, qendrën ekonomike të vendit, ku ari u zbulua për herë të parë në shekullin XIX.

“Zama-zamat shpesh kalojnë muaj të tërë nëntokë pa dalë në sipërfaqe dhe varen shumë nga mbështetja e jashtme për ushqim dhe nevoja të tjera. Është punë e mundimshme dhe e rrezikshme”, thuhet në një raport të grupit Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar.

“Disa prej minatorëve mbajnë pistoleta, pushka gjahu dhe armë gjysmautomatike për t’u mbrojtur nga bandat rivale”, thuhet tutje në raport.

Ndumiso i tha BBC-së se ai zotëronte një pistoletë, por gjithashtu bëri të ditur se i paguan bandës së tij një “tarifë mbrojtjeje” mujore prej rreth 8 dollarësh.  

Pjesëtarët e bandës, të armatosur rëndë, shmangin kërcënimet, veçanërisht nga bandat e Lesotos, të njohura si të furnizuara më shumë me armë vdekjeprurëse, tha ai.

Nën mbrojtjen 24-orëshe të bandës, Ndumiso tha se përdorte dinamit për shpërthimin e shkëmbinjve dhe mjete rudimentare, si sëpatë, lopatë dhe daltë për të gjetur ar.

Pjesën më të madhe të asaj që gjen, ai ia jep kreut të bandës, i cili i paguan atij një minimum prej 1100 dollarësh çdo dy javë. Ai tha se është në gjendje të mbajë pak ar, të cilin e shet në tregun e zi, duke shtuar kështu të ardhurat e tij.

Ai është ndër minatorët e paktë me fat, i cili ka një marrëveshje të tillë. Ndumiso shpjegon se të tjerë punëtorë dërgohen në minierë dhe punojnë si skllevër, nuk paguhen dhe nuk marrin as ar.  

“Mendova se humba shikimin”

Ndumiso tha se ai normalisht qëndron nën tokë për rreth tre muaj, dhe më pas shkon te familja e tij ku kalon kohë me ta për dy deri në katër javë dhe shet arin e tij, përpara se të kthehet prapë nën tokë. 

“Mezi pres të fle në shtratin tim dhe të ha ushqime të gatuara në shtëpi. Të marrësh frymë në ajër të pastër është një ndjenjë jashtëzakonisht e fuqishme”.

“Isha aq i verbuar nga rrezet e diellit sa mendova se humba shikimin”, e kujton ai njërën prej daljeve në sipërfaqe.

Lëkura e tij ishte zbehur aq shumë, saqë gruaja e tij e çoi për një kontroll mjekësor. “Isha i sinqertë me mjekun dhe i tregova vendin ku jetoja. Ai nuk tha asgjë dhe vetëm më trajtoi. Më dha vitamina”.

Edhe mbi tokë, Ndumiso nuk pushon. Ai punon gjithashtu edhe me minatorë të tjerë të paligjshëm. 

Ndumiso tha se ai shet pjesën e tij të arit, me çmim prej 55 dollarësh për një gram, më pak se çmimi zyrtar prej rreth 77 dollarësh.

Ai tha se ka një blerës të gatshëm, me të cilin kontakton përmes WhatsAppit.

“Herën e parë që bisedova me të nuk i besova dhe i thashë të më takonte në parkingun e një komisariati. E dija që do të isha i sigurt atje”.

“Tani takohemi në çfarëdo parkingu. Ne kemi një peshore. E peshojmë arin aty për aty. Më pas ia dorëzoj dhe ai më paguan me para në dorë”, tha ai, duke treguar se largohet me rreth 3.800 deri 5.500 dollarë.

Ai e merr këtë shumë çdo tre muaj, që do të thotë se të ardhurat e tij mesatare vjetore janë midis 15.500 dhe 22.000 dollarësh, shumë më tepër se 2.700 dollarët që fitonte si minator i punësuar ligjërisht.

Ndumiso tha se drejtuesit e bandës fitojnë shumë më tepër, por ai nuk e di se sa.

Sa i përket blerësit të arit të tij, Ndumiso tha se nuk di asgjë për të, përveç se ai është një burrë i bardhë, i cili drejton një industri të paligjshme.

Kjo e bën të vështirë shtypjen e rrjeteve kriminale, me Van Wyk që thotë se Qeveria po synon minatorët, por jo “mbretërit që jetojnë në periferi”.

Van Wyk tha se Qeveria do të përkeqësonte krizën ekonomike të Afrikës së Jugut nëse do t’i shtypte “zama-zamat”.

“Duhet të ketë një politikë për të dekriminalizuar operacionet e tyre, për t’i organizuar më mirë dhe për t’i rregulluar ato”, shtoi ai.

Kur Ndumiso kthehet nën tokë për të punuar, merr me vete kuti kartoni me konserva për të mos paguar shumat e tepruara në “tregjet” që ekzistojnë atje.

Përveç ushqimit, artikujt bazë si cigare, pishtarë, bateri dhe vegla minerare shiten atje, bën të ditur ai.

Kjo sugjeron se një komunitet ose një qytet i vogël është zhvilluar nën tokë gjatë viteve, me Ndumison që tha se ka edhe një lagje me drita të kuqe, ku bandat sjellin prostituta.

Ndumiso tregon se miniera ku ai punonte përbëhej nga disa nivele dhe një labirint tunelesh që lidheshin me njëri-tjetrin.

“Ato janë si autostrada, me tabela që japin drejtime për në vende dhe nivele të ndryshme, si niveli që ne përdorim si tualet, ose niveli që ne e quajmë varreza zama-zama”, tha ai.

Edhe pse jeta nën tokë është e rrezikshme, është një rrezik që mijëra si Ndumiso janë të gatshëm ta ndërmarrin, pasi ata thonë se kjo është alternativa e vetme, ose të jetosh dhe të vdesësh i varfër në një komb ku shkalla e papunësisë është më e lartë se 30%.