Historia e Draganit tregon se si serbët e joshur, pjesërisht nga dëshira “vëllazërore”, po udhëtojnë për në Rusi për t’u stërvitur me nxitim për luftën dhe për t’u dërguar në fushëbetejë. Po ashtu, ofron pamje më të mirë sa u përket serbëve dhe shtetasve të tjerë të Ballkanit që janë në Ukrainë, premtimeve të shkelura dhe arsyeve të tjera që Dragani vendosi të mos kthehej në Rusi apo në llogore
Kur Dragani dhe një grup i bashkëkombësve të tij serbë mbërritën në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit në qershor të vitit 2023, ata paraqitën dokumentet si dëshmi se për muaj të tërë kishin punuar jashtë vendit për një kompani ndërtimore ruse.
E vërteta, megjithatë, është shumë ndryshe: Të gjithë po ktheheshin në atdhe nga fushëbetejat në Ukrainë, ku luftuan në kuadër të njësisë sulmuese ruse “Ujku”, pasi iu nënshtruan stërvitjeve të shkurtra ushtarake në një qendër stërvitore në periferi të Moskës.
Ky grup qe dëshmia e fundit për sistemin e fshehtë që ofron mbrojtje ndërkombëtare për shërbimet ushtarake të njerëzve nga Ballkani, që shkojnë në vijat e frontit të luftës të vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës – konflikt i gjatë qe një dekadë, që nisi me aneksimin e Krimesë më 2014 dhe që më pas u zgjerua me pushtimin në shkallë të plotë, kur dhjetëra mijëra forca të rregullta ruse u dërguan përtej kufirit në shkurt të vitit 2022.
Edhe pse fotografitë e tyre shpesh janë publikuar (me fytyra të mbuluara) në Telegram, platformë popullore në mesin e ushtarëve në të dyja palët, s’ka pasur vlerësime të besueshme se sa serbë kanë luftuar dhe vullnetarë të tillë ngurojnë të flasin, veçmas për gazetarët perëndimorë.
Ministria e Brendshme e Serbisë, ajo e Jashtme dhe Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA) nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa qytetarë serbë aktualisht janë pjesëmarrës në konflikt.
Por REL-i intervistoi njërin prej tyre lidhur me periudhën sa ishte mercenar, pasi e siguroi se do t’ia fshihte identitetin dhe nuk do të publikonte në detaje përvojën e tij tetëmujore si mercenar më 2022-23. “Dragani”, i cili kaloi dy muaj duke u stërvitur dhe gjashtë të tjerë duke luftuar me kontratë në Ukrainë, u dha gazetarëve të REL-it dokumente dhe fotografi, që u lejoi atyre të verifikonin deklaratat e tij përmes burimeve të pavarura.
Historia e Draganit tregon se si serbët e joshur, pjesërisht nga dëshira “vëllazërore” po udhëtojnë për në Rusi për t’u stërvitur me nxitim për luftën dhe për t’u dërguar në fushëbetejë. Po ashtu, ofron pamje më të mirë sa u përket serbëve dhe shtetasve të tjerë të Ballkanit që janë në Ukrainë, premtimeve të shkelura dhe arsyeve të tjera që Dragani vendosi të mos kthehej në Rusi apo në llogore.
“Jeta e njerëzve është po aq e vlefshme për ta saqë ishte në kohën e [Josef] Stalinit”, tha Dragani për REL-in, duke përdorur si referencë një nga diktatorët më brutal dhe famëkeq sovjetik për të përshkruar përvojën e tij si mercenar. “Një biznes i madh, në të cilin njerëzit e zakonshëm vriten – të mobilizuar apo të paguar, pak ka rëndësi”.
Pjesëmarrja në luftërat e huaja është krim për të cilin dënimi është deri në tetë vjet, pasi Serbia ashpërsoi ligjet më 2015 dhe paralajmërimet publike të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja u ashpërsuan që nga fillimi i vitit 2022.
Megjithatë, Serbia, që është shtet kandidat për anëtarësim në BE, po ashtu ka shmangur që t’iu bashkohet sanksioneve të bllokut kundër Rusisë dhe ka mbajtur lidhjet tregtare dhe diplomatike me Moskën. Sondazhet tregojnë se pothuajse gjysma e popullsisë prej 7 milionë banorësh e Serbisë ende e sheh Rusinë si aleaten kryesore (shumë para Kinës) dhe simboli “Z”, që përdoret për të treguar mbështetjen për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, mund të shihet kudo nëpër Serbi.
Analizimi i dosjeve të gjykatave serbe që nga viti 2014 tregon se – pavarësisht konfirmimit zyrtar se qindra serbë kanë luftuar në Ukrainë në vitet e para të konfliktit – u shqiptuan vetëm 37 dënime për pjesëmarrje në luftën ukrainase dhe një për organizimin për pjesëmarrje në këtë konflikt. Vetëm 6 prej tyre rezultuan me dënime me burgim dhe vetëm një person u dënua me burgim për përfshirje në aktivitete pas përshkallëzimit të konfliktit më 2022. Aktualisht asnjë person s’po ndiqet penalisht për pjesëmarrje në luftëra të huaja.
Dragani, që është në të 30-tat, kurrë s’është ndjekur penalisht, sipas dokumenteve të kufizuara të identifikimit që ofruan gjykatat.
Por ai kishte udhëtuar për në Moskë në mesin e nëntorit 2022 për t’u stërvitur dhe për t’u dërguar në luftën në Ukrainë, bazuar në planet për të cilat ishte pajtuar me shtetasin tjetër serb Dejan Beriq.
Beriq vazhdon të jetë jashtë Serbisë që kur iu bashkua forcave ruse në Ukrainë më 2014 dhe ka “pasaportë” të lëshuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia, në pjesët e pushtuara të Ukrainës. Ai e quan veten reporter të luftës, por qe hetuar nga autoritetet ruse në mungesë për pjesëmarrje në luftë. Beriq nuk është fshehur dhe ka mirëpritur luftëtarët serbë në konflikt që nga viti 2014. Në videon e fundit të publikuar në YouTube – video e stilit rekrutues – më 13 shtator, pretendoi se do të nisej për një udhëtim të mbarë, si pjesë e “komandës së Putinit”.
Beriq dhe një serb i Bosnjës, i identifikuar si Davor Saviçiq, janë të lidhur me njësinë luftarake ruse që ka emrin sikurse nofka e Saviçiqit, “Ujku”, që kur kjo njësi u themelua rreth periudhës kur nisi pushtimi. Të dy folën hapur, për herë të fundit vitin e kaluar, lidhur me rekrutimin e serbëve për luftë, përfshirë përmes grupit famëkeq “Wagner”, pavarësisht rrezikut nga ndjekja penale nga autoritetet serbe dhe boshnjake.
Dragani tha se përderisa besonte se Beriqi do t’i bashkohej apo do ta drejtonte te trupat e tjera serbe, ai e pa atë në Ukrainë dy herë kur Beriqi kishte shkuar atje për të realizuar video promovuese.
Ai tha se e kishte parë Saviçiqin, për të cilin autoritetet boshnjake dyshojnë se është mercenar i “Wagnerit”, në Avdivka dhe Bahmut, dy qytete ukrainase që janë shkatërruar nga luftimet mes forcave ruse dhe ukrainase.
As Beriqi e as Saviçiqi nuk iu përgjigjën pyetjeve që REL-i ua ka dërguar në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.
Dragani s’kishte pasur përvojë të mëhershme ushtarake, përveç shërbimit të detyrueshëm ushtarak prej gjashtë muajsh. Ai tha për REL-in se kurrë nuk kishte qenë i përfshirë në grupe nacionaliste, e as nuk kishte qenë aktiv politikisht. Por ai u tërhoq nga mundësia “për të ndihmuar popullin vëlla rus” dhe pasaportën ruse, që Beriq ia kishte premtuar, që Dragani tha se kurrë nuk e mori. Ai tha se e ka blerë vetë biletën e avionit nga Aeroporti Ndërkombëtar Vnukovo i Moskës dhe kishte shkuar në Serbi përmes Turqisë.
“Rroga dhe paratë kurrë nuk ishin motivi im”, tha ai.
I pyetur për pjesën e pagesës, Dragani tha se kishte marrë 110.000 rubla (rreth 1215 dollarë) para ‘kesh’ për çdo muaj sa ishte në trajnim. Ishte trajnuar për dy muaj. Ndërkaq kishte pranuar pothuajse dyfishin e kësaj shifre për gjashtë muajt sa luftoi në Ukrainë. Paga mesatare mujore në Serbi ishte rreth 808 dollarë.
Dragani deklaroi se në aeroportin “Vnukovo” të Moskës ishte pritur nga një person që iu prezantuar si Dima, dhe Dragani e kuptoi se ai ishte një oficer i GRU-së, shërbimi i Inteligjencës ushtarake i Rusisë.
“Udhëtuam përmes një autostrade që kalonte përmes disa zonave të banuara. Në një pikë nisën të shfaqeshin postblloqet ushtarake”, tha Dragani. “Gjithçka përreth nesh ishte ushtri. Rojat vetëm qëndronin dhe përshëndesnin teksa hapnin laurën, pa thënë asgjë”.
REL-i ka konfirmuar dëshminë e Draganit lidhur me këtë udhëtim dhe fotografitë që ai i ofroi e që tha se ishin shkrepur në qendrën trajnuese ushtarake Alabino, që gjendet në perëndim të Moskës.
Dragani u dërgua në një tendë me rekrutë të tjerë të rinj serbë, dhe gjatë dy muajve të ardhshëm të stërvitjeve në Alabino, Dima dhe një oficer tjetër i supozuar i GRU-së, i cili u prezantua me emrin Oleg, ishin përgjegjës për ta.
Dragani tha se afro 25 serbë ishin bashkë me të në Alabino në tetë javët e ardhshme; pesë, tha ai, hoqën dorë para përfundimit të stërvitjeve. Kishte serbë nga Serbia, tha ai, por edhe nga Republika Sërpska e Bosnjë- Hercegovinës, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe madje edhe një serb etnik nga Franca.
Dragani tha se nënshkroi kontratë gjashtëmujore me një kompani private ushtarake në tendën e Dimas dhe Olegut. “Në kontratë mund të shihej se nuk kishte të bënte asgjë me Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë, por ishte kontratë me kompaninë private ushtarake, OOO Redut”, tha ai. Programet Sistema dhe Skema të REL-it paraprakisht kishin konfirmuar se Rusia atëbotë po përdorte një kompani të quajtur PMC Redut për të rekrutuar dhe për të dërguar luftëtarë në Ukrainë.
Siç zbuloi REL-i në tetor të vitit 2023, njësia “Ujku” ishte një prej të paktën 20 formacioneve luftuese në Ukrainë, nën siglën e Redutit.
Që atëherë, pjesërisht si rezultat i poshtërimit të Kremlini, pasi shefi i “Wagnerit”, Yevgeny Prigozhin, organizoi rebelimin kundër udhëheqjes ruse të mbrojtjes në qershor të vitit 2023, mercenarët e kontraktuar për Ukrainën nënshkruan kontrata direkte me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.
Dragani tha se pagesat mujore iu dorëzuan nga një person që përdorte nofkën “Amur”. Hulumtimet e REL-it konfirmuan lidhjet e Amurit me Redutin dhe e identifikuan atë si komandant të forcave aktive mercenare në zonat e pushtuara të Ukrainës. Amuri kishte urdhëruar ato forca për të grumbulluar individë dhe për t’i marrë në pyetje, e për t’i dërguar në “qeli” para se ai personalisht t’i merrte në pyetje dhe t’i torturonte të ndaluarit.
Dragani deklaroi se nuk kishte asnjë ankesë gjatë procesit të stërvitjeve dymujore ushtarake, që tha se zhvilloheshin gjashtë ditë në javë.
Ai ishte pjesë e njësisë së quajtur Brigada e Parë Sulmuese Diversante-Sulmuese “Ujqërit” dhe shtoi se grupi ishte trajnuar nga katër instruktorë që sipas tij ishin anëtarë të Forcave të Operacioneve Speciale të ushtrisë ruse.
Ai dhe rekrutët e tjerë u mësuan të qëllonin me armë zjarri, të operonin me dronë, të jepnin ndihmën e parë dhe po ashtu morën pjesë në simulime të betejave dhe të tjera.
Pas dy muajsh në Alabino, Dragani iu bashkua luftës në Ukrainë në janar të vitit 2023.
Ai ofroi shumë detaje lidhur me atë se ku ishte dislokuar ekipi i tij, por këto pretendime nuk u vërtetuan përmes fotografive dhe të dhënave të tjera digjitale. Ata luftuan afër Lisiçanskut në rajonin e Luhanskut dhe afër Avdivkës në rajonin e Donjeckut. Më pas, ata u dërguan në Soledar – qytet që para luftës kishin afrë 10.000 banorë – në rajonin e Bahmutit, që u pushtua nga forcat ruse në janar të vitit 2023.
Dragani tha se gjatë përvojës së tij tetëmujore kishte hasur edhe në afro 70 serbë të tjerë, edhe pse ai tha se shumë të tjerë ishin dërguar në luftime me më pak trajnim dhe të papërgatitur për beteja. “Ne ishim të vetmit që kishim trajnim [të plotë dymujor]”, tha Dragani.
Ai përmendi rastin e një serbi i cili kishte, po ashtu, kaluar përmes Alabinos, megjithëse ai kishte pasur një periudhë shumë më të shkurtër të trajnimit. Mediat serbe sugjeruan në gusht të vitit të kaluar se Emrah Zorniq, nga Novi-Pazari i Serbisë, në mënyrë të mistershme ishte shfaqur në Ukrainë para se të vritej duke tentuar “t’iu jepte ndihmë të plagosurve dhe civilëve”.
Por Dragani pretendoi se Zorniq ishte luftëtar i cili vetëm një pasdite ishte trajnuar në Alabino para se t’i jepeshin armët “dhe kjo ishte e gjitha”. Edhe pse familja e Zorniqit është myslimane dhe kishte përpjekje që ai të portretizohej si ortodoks për arsye politike, mediat ruse shfaqën ceremoninë e varrimit të tij, që u mbajt në qytetin jugperëndimor të Tambovit, ceremoni që udhëhiqej nga një prift ortodoks. Po ashtu u pretendua se Zorniq kishte qenë një famullitar në Tambov, qytet rreth 350 kilometra larg nga kufiri ukrainas. Kjo gjë ishte pothuajse e pamundur pasi që ai ditët e fundit i kishte kaluar rrugës nga një qendër trajnuese në periferi të Moskës, për në rajonin Luhansk, në lindje të Ukrainës.
Data e vdekjes së tij qe regjistruar 17 prilli i vitit 2023, që përkon me kohën kur Dragani ishte në Ukrainë. Beriq, “reporteri i luftës”, i cili e rekrutoi Draganin, shkoi në një televizion rus në gusht dhe pranoi se kishte vdekur një serb i paidentifikuar. Ai tha se serbi u vra “afër Bahmutit”. Në po të njëjtin program televiziv, Saviçiq, serbi nga Bosnja i lidhur po ashtu me “Ujqërit”, tha se ai kurrë nuk kishte dërguar në luftë persona të patrajnuar, por e pranoi se sa zgjat trajnimi “varet nga ajo se sa shpejt mund të mësojë një person”.
I pyetur nga REL-i, Dragani tha se 15 serbë kanë vdekur gjatë kohës sa ai luftoi në Ukrainë.
Pas gjashtë muajsh në Ukrainë, në qershor të vitit 2023, Dragani tha se ishte i zhgënjyer me atë që kishte parë në ushtrinë e Rusisë. Sipas pikëpamjes së tij, “biznesi dhe korrupsioni po lulëzojnë” dhe “rusët, sikurse i imagjinojmë ne serbët, ekzistojnë në një përqindje shumë të vogël”.
Ai tha se për të ishte e qartë, po ashtu, se ai kurrë nuk do të pajisej me pasaportë ruse, ashtu siç i ishte premtuar nga Beriqi.
Para se të kthehej në Serbi, Draganit i ishte dhënë një dokument në të cilin thuhej se kishte punuar me kompaninë me bazë në Moskë, të quajtur “Monte Gradnja”, në rast se zyrtarët kufitarë serbë do të dyshonin. Ky dokument kishte vulën e kompanisë dhe nënshkrimin e themeluesit dhe të drejtorit të saj, Rajko Baqkoviq. “Monte Gradnja” nuk iu përgjigj kërkesës për koment, por REL-i zbuloi lidhje mes Baqkoviqit dhe Saviçiqt përmes kompanisë me bazë në Rusi, të quajtur, “Volf Group”. Kjo kompani ka listuar ndërtimin e ndërtesave të banimit si aktivitetin e saj kryesor.
I dyshuar në Bosnje për bashkëngjitje në luftën në Ukrainë, Saviçiq ofroi shpjegim të ngjashëm për gazetarët, pas një udhëtimi të zhvilluar jashtë vendit më 2016. Ai deklaroi se ishte marrë me punë të ndërtimit. Vitin e kaluar, nëna e vullnetarit serb që luftoi në Ukrainë, Vukashin Stevanoviq, tha për BBC-në se djali i saj “punon në ndërtim”.