Dita në Spanjë është jashtëzakonisht e gjatë. Dreka nuk nis deri në orën dy pasdite. Puna shpesh përfundon pas orës shtatë në mbrëmje dhe darka nis diku nga ora 8 e gjysmë. Për kënaqësinë e shumë turistëve që duan të shijojnë një mënyrë ndryshe jetese, shumë restorante mbyllen pas mesnate, duke bërë që stafi të përfundojë punën në orët e para të mëngjesit.
Kështu që, kur Yolanda Diaz, ministre për Punë dhe Ekonomi, e quajti kulturën e jetës së natës në vend si “çmenduri”, ajo nxiti reagime, shkroi CNN.
“Asnjë shtet i arsyeshëm nuk i mban restorantet hapur deri në orën një të mëngjesit. Është çmenduri të vazhdojmë të pretendojmë e të zgjasim orët deri nuk e dimë çfarë kohe është më”, ka thënë ajo.
“Por ne jemi ndryshe”, është përgjigjur kryebashkiakja e Madridit, Isabel Ayuso.
Pavarësisht ditës së gjatë, spanjollët punojnë vetëm shumë pak se mesatarja evropiane, 37.8 orë në javë sipas Komisionit Evropian. Megjithatë, ata bëjnë më pak orë gjumë se shumica e shteteve veriore, 7.13 orë natën.
Spanjollët nuk ishin gjithmonë të tillë që qëndronin vonë, ka thënë Marta Junque nga Instituti “Time Use” në Barcelonë.
“Spanja tani është unike në aspektin e orës së vonë kur largohemi nga puna”, ka thënë ajo. “Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Gjyshërit e mi kanë punuar si të gjithë të tjerët. Ata zgjoheshin kur lindte dielli dhe ndalonin së punuari kur ikte drita. Tani, bie errësira në gjashtë ose shtatë dhe ne ende jemi duke punuar”.
“Ajo çfarë ne po mbrojmë është e drejta për kohë”, ka theksuar ajo.
Junque ka thënë se ndryshimi i kohës mund të gjurmohet te një burrë: Francisco Franco, diktatori ushtarak i Spanjës që udhëhoqi nga viti 1936 deri më 1975. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franco e ndryshoi zonën kohore të Spanjës për tu rreshtuar me aleatin gjerman. Gjithçka u zhvendos përpara me një orë dhe nuk ka ndryshuar nga atëherë.
“Duhej të jemi në të njëjtën kohë si Lisbona ose Londra. Në vend të kësaj, në dimër ne jemi me kohën e Berlinit, dhe në verë jemi njëjtë si Stambolli”, ka shtuar ajo.
Sipas Junques, të gjithë treguesit thonë se sa më gjatë që qëndrojnë në punë, më pak produktiv je.
Për vite, Spanja ka pasur debat të brendshëm rreth kësaj çështjeje. Qeveria aktuale me kryeministrin Pedro Sanchez kërkon më pak orë punë dhe më shumë fleksibilitet. Po ashtu, rritje pagash për ata që punojnë mes orës 10 të mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit.