Botë

Jeta e errët e natës në Japoni

Silueta e Yusë

Foto: CNN

Edhe pse jo të gjitha klubet e natës i mashtrojnë klientët e tyre, autoritetet japoneze thonë se disa prej tyre janë të lidhura me krimin e organizuar, ndërsa aktivistët thonë se ligjet e buta ndaj industrisë e kanë lejuar rritjen e dhunës. Shpesh, ata që njihen si “mikpritësit” e këtyre klubeve i shënjestrojnë gratë e reja të pambrojtura, duke i bërë që të harxhojnë shumë dhe duke i detyruar të bëhen punëtore të seksit në lokalet e tyre për t’i shlyer borxhet. E disa po i fajësojnë gratë për këtë fenomen në rritje

Yu është ndjerë e emocionuar teksa është futur në lokalin e tij për herë të parë, e etur për ta takuar mikpritësin simpatik e të ri, të cilin ka qenë duke e ndjekur online për disa vite.

Në atë natë të ftohtë janari të vitit të kaluar, ata kanë biseduar për shampanjën – e para nga shumë takime që e ka bërë Yunë të bie në dashuri.

Yu, 41-vjeçare, mjeke e divorcuar, nënë e dy fëmijëve, shpejt ka filluar ta kalonte çdo minutë të lirë me të në lokalin e distriktit me drita të kuqe të Tokios, duke i shpenzuar mijëra dollarë për alkool.

Në rikthim, ai i ka dhënë Yusë vëmendje dhe dhurata të vogla, e ka festuar ditëlindjen me të, e madje i ka premtuar edhe se do t’i blinte unazë.

“Ai më ka thënë, ‘Ti je e dashura ime’”, ka thënë Yu, pseudonim për t’ia ruajtur privatësinë. “E kam besuar”.

Yu ka thënë se mikpritësi, i pashëm dhe në të 20-at, e ka inkurajuar ta hapte bar, çka bëri që gjërat të dilnin jashtë kontrollit.

Pastaj, paratë e saj mbaruan – dhe gjithçka ndryshoi.

Pa ndonjë mënyrë që Yuja t’i paguante 25 milionë jenët (rreth 165 mijë dollarë) që i detyrohej lokalit, ai i ka thënë se do të kujdesej për borxhin. Por tani asaj do t’i duhej ta paguante atë – me prostitucionin si të vetmen mënyrë për t’i mbledhur paratë.

Yu është një nga qindra gratë, që janë detyruar ta shesin trupin e tyre pasi i kanë frekuentuar të ashtuquajturat “klube të mikpritjes” në Japoni, kanë vlerësuar ekspertët.

Ka më shumë se 300 vende të tilla në distriktin me drita të Tokios, Kabukicho, që ofrojnë shoqëri nga burrat për gratë e vetmuara.

Edhe pse jo të gjithë klubet i mashtrojnë klientët e tyre, autoritetet thonë se disa klube janë të lidhura me krimin e organizuar, ndërsa aktivistët thonë se ligjet e buta ndaj industrisë e kanë lejuar rritjen e dhunës.

Sipas ligjeve aktuale, personat e moshës 18-vjeçare e sipër mund të futen në klube dhe përpjekjet e ligjbërësve për të krijuar mbrojtje më të fortë deri tani kanë dështuar.

Rastet me borxhe ekstreme, mashtrime dhe trafikim seksual janë rritur pas heqjes së bllokimeve pas COVID-19 në vitin 2023, thonë aktivistët, me gra që dynden drejt klubeve pas disa vitesh mbylljeje të bizneseve dhe izolimit.

Vitin e kaluar, policia e Tokios i ka arrestuar 140 persona nën pretendimet për prostitucion në Kabukicho, sipas kanalit publik televiziv NHK – rritje trefish më e madhe sesa vitin paraprak. Nga të arrestuarit, 40% e tyre i kanë thënë policisë se kanë qenë duke punuar për t’i shlyer borxhet ndaj klubeve, ka raportuar NHK-ja.

Me grumbullimin e rasteve të tilla, autoritetet kanë nisur linja të ndihmës për viktimat dhe i kanë arrestuar mikpritësit për dyshime për detyrimin e klientëve me borxhe në prostitucion.
Në dhjetor, policia e Tokios i ka inspektuar 176 klube në Kabukicho, sipas raportimit të NHK-së – duke gjetur shkelje në 75% të vendeve, kryesisht për mosvendosje të qartë të çmimeve të alkoolit.

“Në thelb, është romancë mashtruese”, ka thënë Ayaka Shiomura, anëtare e dhomës së lartë parlamentare të Japonisë, e cila në mënyrë të pasuksesshme ka bërë thirrje për masa mbrojtëse më të mira ndaj këtyre klubeve. “Disa nga këto gra shtyhen të mendojnë se janë në lidhje me këta mikpritës. Është cikël mizor dhe i keq”.

Mikami Rui, mikpritës i një klubi  (Foto: CNN)

Çmimi i dashurisë

Për shumë viktima, ky cikël fillon online, sidomos në rrjetet sociale – ku mikpritësit e kanë ndërtuar bazën e tyre të fansave, kur ndalimet nga pandemia i kanë detyruar klubet e tyre të mbyllen.

Mikami Rui, 28-vjeçar, ka punuar si mikpritës për 10 vjetët e fundit – dhe thotë se gjatë karrierës së tij, klubet nuk kanë qenë kaq të njohura. Por “ndërgjegjësimi është duke u shpërndarë në Japoni”, për shkak të platformave si Instagrami, TikToku dhe X, ku mikpritësit janë “duke punuar shumë për të rënë në sy”, ka thënë ai.

Edhe pse ai insiston se nuk e ka shtyrë ndonjë klientë në prostitucion, ai e pranon se i ka bërë gratë të shpenzojnë më shumë sesa që kanë dashur.

Tani, pretendon ai, “i argëtoj gratë pa i nxitur për të harxhuar para... I përmbahem asaj që ato mund ta përballojnë”.

Në këto aplikacione, mikpritësit identifikojnë dhe flirtojnë me konsumatorë për t’i joshur ato t’i vizitojnë klubet, ka thënë Hidemori Gen, avokat në Tokio që ofron shërbime konsultuese për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës nga bandat.

“Shpesh, mikpritësit shënjestrojnë gra të reja të pambrojtura, duke i bërë të harxhojnë shumë dhe duke i detyruar të bëhen punëtore të seksit në lokalet e tyre për t’i paguar borxhet”, ka thënë Gen.
Yu i ka shikuar videot e mikpritësit në Youtube për dy vjet para se të shkonte në klubin e tij – takimi i parë që i ka hapur rrugën lidhjes së njëanshme me premtime false.

Pas asaj nate, ai i ka shkruar asaj duke i kërkuar ta shohë përsëri – prandaj Yu e ka vizituar klubin përsëri. Shpejt, ai e ka dërguar atë në restorante dhe lokale me hookah, duke i dhënë vëmendje të veçantë “prej grave tjera”, ka treguar ajo. Ai ka folur për udhëtimin në vendet që i pëlqenin asaj, si në Disneyland ose ishullin e famshëm të Japonisë, Okinawa.

Ky lloj i vëmendjes së veçantë është pse viktimat – disa edhe 18-vjeçare – shpesh e besojnë me të vërtetë se mikpritësit janë të dashurit e tyre, ka thënë Shiomura, anëtare e asamblesë kombëtare.
Mikpritësit mund të kryejnë marrëdhënie me konsumatorët e tyre “herët” për të krijuar intimitet, duke thënë gjëra si “të dua” dhe “le të martohemi” – disa madje i takojnë edhe prindërit e grave, ka thënë ajo.

Gjatë tërë kohës, Yu ka qenë duke mbledhur fatura të cilat nuk ka qenë në gjendje t’i paguajë.
Klubet shpesh ofrojnë zbritje të vogla për konsumatorët e rinj, duke i joshur me pije të lira dhe pastaj i rrisin çmimet – me disa shishe të alkoolit që kushtojnë deri në 6.000 dollarë.

Shumë mikpritës gjithashtu i shtyjnë klientët  t’i mbajnë lokalet të hapura për javë të tëra – çka i ka shtyrë çmimet të rriten.

“Ai më pyeti mua, ‘Si do ma shlyesh borxhin?’ dhe kur i thashë se nuk e dija, ai tha, ‘Shko jashtë vendit për prostitucion’”, ka thënë Yuja. “Nuk doja. Por ai më tha se ishte e vetmja mënyrë për t’i fituar 8 milionë jenë (rreth 53 mijë dollarë) në muaj”.

E dëshpëruar dhe me kursimet e harxhuara, Yuja ka filluar të punonte si prostitutë në Japoni dhe në territoret kineze Macao dhe Hong Kong. Nuk dukej se kisha zgjidhje tjetër, ka thënë ajo.

“Ne kemi punuar 10 orë e më shumë në ditë. Çdo orë, është mbajtur një shfaqe, ku më zgjidhnin dhe pastaj më blinin. Më mërziste shumë kur shihja rreth 100 vajza, përfshirë veten time, duke u blerë”, ka thënë ajo. “Kur trupi im lodhej ose ndihesha e dobët, mendoja se ishte më e lehtë të vdisja. E kam menduar këtë shumë”.

E mbushur me turp dhe zemërim ndaj vetes, ajo nuk u ka treguar miqve ose familjes për gjendjen e saj të vështirë.

Shiomura ka thënë se edhe pas mashtrimit, shumë gra akoma i shohin mikpritësit si të dashurit e tyre dhe se akoma duan t’i mbështesin ata.

“Mendoj se kjo iu tregon se kontrolli i mendjes shkon thellë”, ka thënë ajo.

As rregullore e as lehtësim

Geni, i cili e drejton shërbimin e konsultimeve për viktimat e dhunës, thotë se ka parë pesëfishim të rasteve si ai i Yusë, vetëm në vitin e fundit.

“Pranverën e kaluar, kur kemi dalë nga pandemia dhe u hoqën maskat, atëherë u rritën në mënyrë dramatike edhe konsultimet për klubet”, ka thënë ai.

Dhe ligjet ndihmojnë në rritjen e rasteve, duke i lejuar klubet shfrytëzuese t’i vazhdojnë praktikat e tyre të dyshimta.

Vitin e kaluar, Shiomura e ka propozuar një projektligj në parlament që ka bërë thirrje për hetime qeveritare, fushata publike për ndërgjegjësim, shërbime konsultuese dhe ndihmë për punësimin e viktimave. I refuzuar nga partia në pushtet, projektligji ka dështuar të kalojë, me disa kritikë që kanë argumentuar se klientët e mbajnë përgjegjësinë meqë kanë shkuar në këto klube dhe kanë shpenzuar në mënyrë të papërgjegjshme.

Kjo do të thotë se është në dorën e mikpritësve dhe klubeve të tyre për ta ndaluar këtë fenomen – disa prej tyre kanë premtuar ta bëjnë këtë. Që nga prilli, më shumë se dhjetëra operatorë të klubeve të Tokios – që kanë pronësi në vende të ndryshme – kanë thënë se nuk do ta lejojnë futjen e grave nën moshën 20-vjeçare dhe se do i parandalojnë konsumatorët nga borxhet e mëdha.
Rui, mikpritësi, e ka mirëpritur këtë masë, duke thënë se klubet që e shkelin rregullën duhet të mbyllen.

Por ka më shumë klube përtej këtyre në pronësi të 13 operatorëve që kanë premtuar se do t’i ndjekin rregullat e vendosura vet - dhe asnjë angazhim të tillë në nivel kombëtar. Edhe brenda Tokios, Shiomura ka ngritur dyshime nëse klubet do t’i mbajnë premtimet e tyre dhe ka thënë se do ta riparaqesë projektligjin e refuzuar nëse vazhdon ky problem.

“Shumë njerëz thonë se është përgjegjësi e grave. Por nuk do guxoja ta mendoja një gjë të tillë”, ka thënë ajo. “Mendoj se ka një problem me shoqërinë japoneze, që i sheh trupat e grave të reja, adoleshente dhe në të 20-at, si produkte”.

Dhe nuk ka pasur lehtësim për viktimat, jetët e të cilave janë shkatërruar.

Yu nuk është duke u takuar më me mikpritësin, i cili sipas saj, e ka liruar nga borxhi pasi ajo e ka paguar shumicën e tij. Por me faturat për t’i paguar dhe me borxhin e rëndë të kartës së kreditit, ajo ende ndihet e bllokuar.

“Jam akoma duke punuar si prostitutë, sepse nuk mund ta përballoj të largohem. Nuk e dua këtë punë. Më duket vetja copa-copa”, ka thënë Yu. “E kam arritur fundin tim. Nuk e di a do arrij t’ia nis nga e para”.